IPARD III dhe mbështetja shtetërore për bujqësinë 2023
2023-04-07 11:16:22

Bujqësia shqiptare (Foto Albanian Post)

Bujqësia shqiptare (Foto Albanian Post)

Më 30 mars, Komisioni Evropian hapi dritën jeshile për Programin IPARD III për Shqipërinë, me financim 146 milionë euro në vitet 2023-2027, ose 56 përqind fonde më shumë se programi IPARD II, në mbështetje të fermerëve, bujqësisë dhe agrobiznesit shqiptar. Në programin IPARD III në Shqipëri, për herë të parë do të futen masa të reja mbështetëse, në sektorë që trajtojnë diversifikimin e fermave, bimët mjekësore dhe turizmin rural.Eksperti i bujqësisë dhe zhvillimit rural Ilir Pilku në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës na njeh gjerësisht me këtë program dhe ndikimin e tij në ecurinë e bujqësisë në Shqipëri

 

Prezantimi i IPARD 3 (Foto AZHBR)

Prezantimi i IPARD 3 (Foto AZHBR)

IPARD III dhe mbështetja shtetërore për bujqësinë 2023

 

Më 19 mars  u hap Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2023, e cila rregjistroi në pesë ditët e para mbi 45 mijë aplikime. Janë të gjitha gjasat që qeveria të shtojë fondin prej 31 milionë euro, të akorduar për subvencionet në bujqësi për këtë vit, sikurse ndodhi vitin e kaluar. Më 30 mars, Komisioni Evropian hapi dritën jeshile për Programin IPARD III për Shqipërinë, me financim 146 milionë euro në vitet 2023-2027, ose 56 përqind fonde më shumë se programi IPARD II, në mbështetje të fermerëve, bujqësisë dhe agrobiznesit shqiptar.

Programi IPARD për Shqipërinë është një plan veprimesh(masash) me mbështetje financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural, në nivelin 75 përqind nga fondet e Bashkimit Evropian  dhe 25 përqind nga fondet e qeverisë shqiptare.

Në programin IPARD III në Shqipëri, për herë të parë do të futen masa të reja mbështetëse, në sektorë që trajtojnë diversifikimin e fermave, bimët mjekësore dhe turizmin rural.

Objektivat në zbatimin e programit IPARD janë zbatimi i politikave të integrimit evropian dhe programeve të zhvillimit bujqësor dhe rural, me qëllim arritjen e standardeve europiane në mbështetje të fermerëve, agropërpunimit, përmirësimin e konkurrencës dhe mbështetjen e investimeve në zonat rurale, për diversifikimin e ekonomisë rurale, duke çuar në zgjerimin e punësimit dhe përfshirjes sociale.

Ilir Pilku, ekspert i bujqësisë dhe zhvillimit rural në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) na njeh me këtë program.

 

Eksperti Ilir Pilku (Foto ABC News Albania)

Eksperti Ilir Pilku (Foto ABC News Albania)

CMG: Z. Pilku, sa mendoni se ndihma e huaj, grantet, kredite e buta, por edhe subvencionet shteterore do ta mbështesin këtë vit bujqësinë dhe zhvillimin rural?

Ilir Pilku: Viti 2023 tashmë i ka lançuar fondet. Janë dy kategori fondesh. Kategoria e parë ka të bëjë me fondet e Buxhetit të Shtetit, shumica e të cilave janë subvencione dhe pak prej tyre janë grante. Grantet e kësaj kategorie janë për ngritjen e tregjeve nga bashkitë, të cilat kanë kapacitetet për të përthithur këto fonde. Subvencionet përbëjnë gamën më të madhe të mbështetjes në kategorinë e parë të ndihmës. Kemi rreth 31 milionë euro. Është një vlerë relativisht e lartë, por mendoj se do të shtohet ndjeshëm, duke parë aplikimet brenda një jave. Ne kemi një kohë prej dhjetë ditësh që ka nisur Skema e Ndihmës Shtetërore në Bujqësi dhe janë afërsisht rreth 50 mijë aplikues. Kështu që mendoj se Buxheti i Shtetit, qeveria do të shtojnë fondet, sikurse ka ndodhur edhe në vitin e kaluar, ku nga 28 milionë euro, fondi u shtua dhe shkoi në 45 milionë euro. Ky fond mendoj që do të jetë i rritur edhe për këtë vit.

Kjo, pasi bujqësia shqiptare ka nevojë për shumë më tepër fonde. Jemi vendi me një potencial të madh jo vetëm në Ballkan, por do të thoja edhe në gjithë Evropën, në lidhje me bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Bujqësia nuk mund të ndihmohet dot realisht, nëse nuk ka mbështetjen e duhur financiare. Këtë mbështetje e konsideroj si financim alternativ. Këto financime janë zakonisht subvencione, grante, programe donatorësh, por edhe kredi nga sistemi financiar dhe bankar, që janë aktorë shumë të rëndësishëm.

Në vijim të përgjigjes së pyetjes suaj, kategoria e dytë është Fondi IPARD. Tashmë kemi miratimin nga “Ministria” e Bujqësisë e Komisionit Evropian, DG-Agri. Kemi kërkuar një rimodelim të programit, për arësye se kriza ekonomike botërore dhe lufta në Ukrainë ka krijuar problematika të mprehta me bimët e arave, si gruri, misri, tërshera, etj. dhe kërkohet një rimodelim, një qasje e re me politikat, me qëllim që të shtohet prodhimi për këto bimë, nëpërmjet IPARD III. Programi ka në total 146 milionë euro në formë granti, ku kontributi i qeverisë shqiptarë është 25 përqind dhe 75% është kontributi i Bashkimit Evropian.

IPARD përfaqëson instrumentin kryesor ndihmës, në mbështetje të bujqësisë shqiptare. Shpesh herë në analizat tona, por edhe nga studentët në auditorë, përballemi me pyetjen: a janë këto fonde të mjaftueshme?

Agroturizmi në Shqipëri (Foto Azsh)

Agroturizmi në Shqipëri (Foto Azsh)

CMG: Sigurisht që nuk janë!

Ilir Pilku: Do t’i referohem vetëm një statistike. Po të shfletosh literaturën e Organizatës Botërore të Ushqimit, FAO, Shqipëria është një vend që ka 72 aktivitete të ndryshme bujqësore. FAO këto aktivitete i ka përkufizuar me termin në anglisht “commodities”, pra produkte. Por edhe duke mos i konsideruar këto produkte në tërësinë e tyre, ne kemi afërsisht 25 aktivitete potenciale kryesore. Një shumëllojshmëri e madhe. Sepse ky është pozicioni gjeografik i Shqipërisë. Ne kemi kodra, kemi male, kemi fushë, kemi bregdet. Pra, kemi terrene të tilla, në të cilat mund të ushtrohen, me potencial e intensitet të lartë, veprimtari bujqësore.

Po të marrim Veriun e vendit, kemi bimët arrorre, gështenja, arra, lajthia, etj., që janë potencial. Kemi bimët mjekësore. Ato përbëjnë një mjet jetese për banorët e zonave të largëta në Veri.

Pastaj vijmë pak më poshtë, duke filluar nga Durrësi, Tirana, Lushnja dhe Fieri. Kemi serat. Nëse kemi një hov të madh, kemi rritje 16-18 përqind të eksporteve bujqësore brenda vitit të kaluar dhe këtë e kemi nga serat. Serat janë shtuar ndjeshëm  si sipërfaqe. Kanë shkuar në 2 mijë e nëndëqind ha, nga një mijë e katërqind e tetëdhjetë ha që i kemi pasur përpara 8 vitesh.       

CMG: Gati dyfishin.

Ilir Pilku: Po. Gati dyfishin. Dhe kjo është arritur jo vetëm për arësye të mbështetjes nga këto fonde dhe grante, por është edhe rezultat i aktivizimit të remitancave, dërgesave të emigrantëve, për të investuar në bujqësi. Të ardhurat e familjeve të ndryshme bujqësore në emigracion janë mbledhur, janë investuar këtu dhe kanë krijuar këtë sinergji pozitive. Pra, kemi rritje të volumeve.

Vijmë pak më poshtë, në Jug. Ne kemi vreshtari të mrekullueshme. Kemi ullishtari, plantacione të tëra me ullinj. Është për ta theksuar. Kemi 11 milionë rrënjë ullinj. Për 2.9 milionë banorë, ne kemi afërsisht katër pemë ullinj për banor. Jemi vendi me potencialin më të lartë në Evropë, përsa i përket ullishtarisë.

Kjo duhet shfrytëzuar. Shqipëria konkurron në lidhje me vreshtarinë me vende potenciale si Spanja, e cila ka plantacione të mëdha me ullinj super intensive, deri në 7 mijë rrënjë për ha. Ndërkohë, me Greqinë dhe Italinë jemi në konkurrencë, për shkak të potencialit të Shqipërisë.

Po në Jugun e Shqipërisë kemi agrumet. Kemi eksporte të mira. 60 përqind e prodhimit të mandarinave shqiptare shkon për eksport. Është klima aq e mirë. Pastaj kemi perimet e fushës, që janë varietete pa fund. Kemi brokoli, lakra, lule lakra, preshi, qepa, patatja, karrota. Kemi një larmishmëri të madhe të produkteve të fushës, të cilat kërkojnë një vëmendje nga politikat bujqësore për mbështetje.

Vijmë në Juglindjen e Shqipërisë. Kemi pemtoret më të mëdha: me pemë si mollë, kumbulla, qershi. Përmenda vetëm disa nga veprimtaritë në bujqësi, se ka edhe shumë të tjera.

Pastaj të dalim tek blegtoria. Kemi traditë të madhe në blegtori, në kafshët e imta, dele dhe dhi. Mbajmë një rekord në këtë lloj prodhimtarie, në racat tona autoktone. Ndërkohë, si në Jug, dhe në Veri të Shqipërisë, mbarështimi i gjedhit ka rënie, sepse ka një rënie të mbështetjes nga politikat blegtorale. 

Përmenda këtu më shumë se 20 produkte potenciale shqiptare, pa harruar akuakulturën.

Të gjitha këto që përmenda, nuk mund të ecin përpara me ritmin e kohës dhe me kërkesat e tregut të huaj, nëse nuk kanë një mbështetje të fuqishme nga politikat bujqësore të shtetit. Po ashtu dhe nga sipërmarrja private, duke përfshirë edhe sistemin bankar.      

IPARD 3 (Foto Meteoalb)

IPARD 3 (Foto Meteoalb)

CMG: Kemi disa masa të programit IPARD III, që ende nuk janë akredituar. A po punohet që ky akreditim të vijë sa më shpejt, në dobi të zhvillimit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në vendin tonë?

Ilir Pilku: Programi IPARD III përbëhet nga nëndë masa. Janë nëntë masa, të cilat në total bëjnë 146 milionë euro. Ne nuk mund të aksesojmë këto fonde 146 milionë euro, pa u akredituar nga strukturat përkatëse të Bashkimit Evropian, për seicilën masë në veçanti. Seicila masë kërkon për akreditim një punë voluminoze. Këtë pune e çertifikon, e akrediton DG-Agri në Bruksel, që është Ministria e Bujqësisë e Bashkimit Evropian.

Në këtë mënyrë, ti ke mundësi të hapësh thirrjet për aplikimet, vetëm kur masat akreditohen.Duhet ta themi se Shqipëria ka ecur mirë në këtë drejtim dhe duhet të japim nota pozitive të përparimit të saj. Kemi katër masa tashmë të akredituara. Pra për këto masa, ne në çdo moment mund të aplikojmë dhe të marrim mbështetjen financiare për keto masa.

Ato janë investimet në asetet fikse të njësive bujqësore, investimet në asetet fikse për agro-përpunimin, diversifikimi i fermave dhe asistenca teknike. Është mbaruar dhe masa e pestë, që është përqasja e grupeve të ndërveprimit, ose të komponentit “lider”.

Për këtë, qeveria shqiptare ka miratuar dhe infrastrukturën përkatëse. Është miratuar Ligji i Grupeve të Ndërveprimit. Pritet vetëm miratimi i kësaj mase të pestë nga DG-Agri.

Edhe masat e tjera janë të rëndësishme, po aq sa këto pesë masa. Po të shikojmë shpërndarjen e buxhetit të akorduar për nëndë masat nga IPARD III, është edhe një masë që ka lidhje me infrastrukturën publike rurale. Kjo masë ka afërsisht një fond rreth 18 milionë euro. Ky është një fond që i takon pushtetit lokal. Pra njësive administrative, bashkive, në mënyrë që ato të investojnë, nëpërmjet këtij fondi, për rrugë, kanale, kopshte, çerdhe, etj. Pra, të gjitha ato investime për shërbimet ndaj komunitetit, ndaj qytetarëve në infrastrukturën rurale.

IPARD III tek ne ka aktualisht këtë situatë. Ne presim me padurim që të hapet Thirrja e Parë e IPARD III. Nga informacionet që kemi, do të hapet brenda një periudhe tre-katermujore, besoj në shtator të këtij viti, duke qenë se jemi në një periudhë prag zgjedhjesh vendore.

Në shtator 2023, do të hapet IPARD III. Ky program do të vazhdojë pa ndërprerje deri në fund të vitit 2027. Kemi humbur një vit, për arësye se kemi patur fonde rezervë të IPARD II, të cilat DG-Agri na ka lejuar t’i përdorim. Jemi në disbursimet e fundit të këtij programi.

 CMG:  Në këndvështrimin tuaj, si e parashikoni ecurinë e bujqësisë dhe zhvillimit rural të vendit tonë për këtë vit? Do të ketë rritje dyshifrore të eksporteve bujqësore edhe për këtë vit në vlerë dhe sasi, sikurse ju përmendet që pati vitin e kaluar?

Ilir Pilku: Sapo kam ardhur nga një Konferencë Ndërballkanike në Shkup, lidhur me potencialin e eksporteve bujqësore të vendeve të rajonit. Mund të them me plot gojën se, jo vetëm nga ajo që rezulton nga shifrat që analizojmë, jo vetëm nga situata me mbjelljet ne vend, por edhe nga trendi i zhvillimit dhe i kërkesës për produkte (jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe në vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore), shikoj që kërkesa për produktet tona është shumë e lartë.

Na avantazhon një favorizim i shkëlqyer i klimës me 308 ditë në vit me diell. Kemi një tokë shumë të pasur, e cila nuk është e ngarkuar me mbetje. Kjo vërtetohet nga raporti i doganave për sasitë e pakta të pesticideve dhe kimikateve të importuara në Shqipëri.  Sasia e mbetjeve për ha në Shqipëri është një tregues shumë i ulët, shumë më poshtë se norma mesatare e rajonit tonë.

Gjykoj se i kemi të gjitha këto kushte dhe favore që folëm më lart, për të prodhuar dhe për të penetruar tregun e huaj. Edhe njëherë dua të jap një mesazh nëpërmjet emisionit tuaj. Ky potencial që ka Shqipëria, kjo eksperiencë bujqesor e vendit, ku 40 përqind e krahut të punës është në bujqësi dhe, nga ana tjetër, kjo kërkesë e madhe e tregut të huaj, e cila është gjithnjë e në rritje, e bën të domosdoshme një politikë bujqësore të mirëstudjuar dhe një mbështetje më të madhe buxhetore. E them shumë shpesh: si mbështetje nga Buxheti i Shtetit, bujqësia shqiptare nuk duhet të bjerë poshtë nivelit të 100 milionë eurove në vit.  

Intervistoi Fatos Çoçoli