
fermere ne Shqiperi (Foto ATSH)
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural hapi thirrjen për Skemën Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi, përmes së cilës do të përzgjidhen mbi 30 ferma në gjithë vendin ku do të aplikohen teknikat më të mira bujqësore e blegtorale, bën të ditur “ATSH”.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se skema kombëtare e trajnimit në bujqësi për vitin 2023 ka si qëllim ndërtimin e fermave model në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet përhapjes akoma dhe më të gjerë të teknikave më të mira të kulturave bujqësore e kafshëve blegtorale në serra, ara, pemëtore, stalla e të tjera, nga specialistët më të mirë të bujqësisë dhe pedagogët e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Thirrja është e hapur nga data 5 deri 15 prill 2023. Krifca u bëri thirrje fermerëve të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo masë mbështetëse.
Ministrja tha se fermerët e përzgjedhur do të shohin zbatimin në fermat e tyre të teknikave më të qëndrueshme të prodhimit dhe do të shërbejnë si ferma demonstruese për të gjithë fermerët e zonës.
Skema e Trajnimit në Bujqësisë zbatohet për të dytin vit radhazi, pas ecurisë së suksesshme që shënoi vitin e kaluar kur përfituan trajnim falas 2000 fermerë në shkallë vendi. (Elona)
