“Vjosa n’Fest” vjen këtë vit në edicionin e dytë në fund të muajit prill, një organizim nga Tirana Ekspres, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës. "Vjosa n'Fest" synon të promovojë nismat e turizmit natyror dhe kulturor nëpërmjet aventurës, artizanatit dhe kulinarisë, si një strategji për ruajtjen e biodiversitetit përgjatë luginës së Vjosës, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të zonës.
Është lobuar shumë që Vjosa të bëhej Park Kombëtar dhe tashmë është realizuar ky lajm kaq i bukur për Lumin Vjosa. Tirana Ekspres prej disa vitesh kontribuon në përmirësimin e turizmit, ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore dhe natyrore të Shqipërisë. Këtë vit pritet të ketë më shumë vizitorë se një vit më parë edhe për nga vetë statusi i ri. “Vjosa n’Fest” do të mbahet më datat 28, 29 dhe 30 prill, duke pritur çeljen e sezonit turistik më 1 naj. Do të zhvillohen shumë aktivitete buzë luginës së Vjosës, koncerte që do të fokusohen në disa pika kryesore, një mënyrë e mirë kjo për të zhvilluar turizmin e qytetit të Përmetit. Për të gjithë personat që janë të interesuar për të qenë prezent, mund të shohin të prezantuara në website-n, vjosanefest.al, ku do jenë të pasqyruara të gjitha aktivitetet dhe programi i këtyre 3 ditëve. Do të ketë panaire në qendër të qytetit të Përmetit për të zhvilluar artin e artizanatit dhe kulinarisë jo vetëm nga Përmeti, por nga e gjithë Shqipëria. Do ketë rikthim të lojrave të hershme, kampionate dominoje, lojrat me shah etj. Gjithashtu do të ketë hapësira për fëmijët, lojërat popullore, krijimin e balonave dhe shumë aktivitete të tjera argëtuese.
Sporte të ndryshme si rafting në lumin Vjosë, guida ditore, trekking kulturor në kishën e shekullit XVIII të Leusës, hiking në Ujërat Termale të Bënjës, ecje në parkun kombëtar Bredhi i Hotovës, trekking në Grykën e Këlcyrës do të jenë disa nga veprimtaritë. Paratrike/Fluturim Parashutë, paramotorr/ fluturim parashute me motor, HotAir Baloons, Balona e madhe me gaz, do të pozicionohet në qëndrën e qytetit dhe do t’u japë mundësinë të pranishmëve të shijojnë bukurinë e qytetit të Përmetit, gjatë ngritjes dhe uljes së komanduar. Hipizëm për të apasionuarit pas kuajve. Mountain Bike Fest, Climbing të "Guri i Qytetit" simboli i identitetit të qytetit të Përmetit. E ftuar në Radio Ejani për të folur më tepër për këtë aktivitet është Ermiranda Ndoj, koordinatore e “Vjosa N'Fest” .
Ermiranda Ndoj Koordinatore e Vjosa N'Fest (Foto personale)
CMG: Tashmë po i afrohemi kësaj feste të madhe "Vjosa N'Festë”, e cila është në edicionin e dytë. Si lindi ideja dhe si mori formën e vet ky projekt?
Ermiranda Ndoj: “Vjosa Park Kombëtar” ishte thirrje e “Tirana Ekspres” , përgjatë viteve që punonim që Lumi i Vjosës të shpallej Park Kombëtar. Në strategjitë e menduara për fuqizimin e jehonës që po i jepnim këtij lobimi për ruajtjen e Vjosës, ishte dhe festivali maratonë që do të mbante po të njëjtin emër. “Vjosa n’Fest” erdhi si një strategji potencialisht e sigurtë për qëllimin tonë.
CMG:Çfarë do të ketë ndryshe nga viti i parë? A do jetë më e lehtë puna juaj tani që Lumi Vjosa u shpall Park kombëtar për Shqipërinë dhe Evropën?
Ermiranda Ndoj: Edicioni i parë i Vjosës solli audiencën e festivalit që ishte jashtë çdo pritshmërie, Ky edicion i dytë na gjen me një ndryshim historik dhe arritjen e qëllimit tonë, pra shpalljen e Vjosës Park Kombëtar. Këtë vit do jetë ndryshe pasi fokusi ynë kryesor tashmë do jetë zhvillimi i turizmit natyror dhe kulturor në të gjithë luginën e Vjosës. Risi do jenë aktivitetet e shtuara, të cilat ndërtojnë një paketë pushimi tre ditor, në mënyrë që të promovohet dhe zhvillohet biznesi lokal dhe atraksione pikash të ndryshme që ndodhen në luginën e Vjosës. Tjetër risi është Vjosa -Kino. Rikonstruksioni i kimenasë së qytetit të Përmetit, na mundësoi të sillnim dhe një festival brenda festivalit të filmave shqiptarë me programe për të gjitha grupmoshat.
Përmeti (Foto CMG)
CMG: Keni dërguar një ftesë tek aktori Leonardo DiCaprio, si e ka pritur ai? Si do ndikonte ardhja e tij në Përmet?
Ermiranda Ndoj: Për këtë temë duhet të jemi optimistë dhe të vazhdojmë të jemi në pritje. Nuk është konfirmuar ende pjesëmarrja e Leonardos në Festivalin e Vjosës, pavarësisht se ai mbetet një mik dhe dashamirës i Vjosës.
CMG: Përveç të rinjve, çfarë do u thoje familjarëve që duan të zgjedhin për të kaluar fundjavën aty?
Ermiranda Ndoj: Kur “Vjosa N’Fest” lindi dhe erdhi në trajtën e sotme, ndër objektivat e këtij festivali tre ditor ishte gjithëpërfshirja e publikut, në mënyrë që të rrisnim audiencën dhe ndjeshmërinë ndaj kauzës sonë. Theksoj se strategjia jonë është të promovojmë turizmin kulturor dhe natyror të Vjosës, në mënyrë që një familje, çift, apo grup shoqëror t’i bashkohet festivalit në këto tre ditë aktivitetesh. Risitë e aktiviteteve tona kanë mundësuar që jo vetëm moshat e reja, por edhe familjarët të gjejnë veten.
Perla e egër e Evropës, Lumi Vjosa në Shqipëri në janar të këtij viti mori statusin Park Natyror Kombëtar. Lumi Vjosa është i gjatë 270 kilometra, rrjedh nga shpatet e mbuluara me pyje të maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin Adriatik të Shqipërisë. Shkencëtarët thonë se ekosistemi i Vjosës është habitati për 1.100 specie, 13 prej të cilave janë në rrezik të madh të zhdukjes. Vjosa gjithashtu ka vlerë ekologjike, kulturore dhe ekonomike për 60.000 shqiptarët që jetojnë në brigjet e saj. Shpallja e lumit Vjosa “Park Kombëtar” e ka bërë prioritet mbrojtjen e mjedisit. Për rrjedhojë, turizmi është kthyer në një synim unifikues, me potencialin për të pozicionuar zonën si një destinacion turistik konkurues, me vlerë në tregun kombëtar, rajonal dhe global.
Intervistoi: Sava Lena
Lumi Vjosa (Foto Exit.al)