Risitë e Forumit Ndërkombëtar për Demokracinë mbajtur në Pekin
2023-04-07 10:28:32

Më 23 mars u zhvillua në Pekin Forumi i 2-të Ndërkombëtar mbi Demokracinë: Vlerat e Përbashkëta Njerëzore, ku mbi 300 të ftuar nga më shumë se 100 vende e rajone. Pjesmarrëse në këtë Forum ishte dhe drejtorja ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit dr. Marsela Musabelliu, e cila në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës flet për rëndësinë e këtij tubimi, por dhe rihapjen e Kinës, pas masave për përballimin e pandemisë.

Risitë e Forumit Ndërkombëtar për Demokracinë mbajtur në Pekin

Forumi i 2-të Ndërkombëtar mbi Demokracinë: Vlerat e Përbashkëta Njerëzore i zhvilluar në fund të marsit në kryeqytetin kinez Pekin u fokusua sivjet në  origjinën, formën dhe efektshmërinë e sistemeve të shumta demokratike, duke rënë në një mendje se demokracia e vërtetë karakterizohet nga dialogu, respekti i ndërsjellë dhe mësimi nga njëri-tjetri. Folësit në Forum theksuan nevojën e bashkëjetesës së sistemeve të ndryshme në bashkësinë me të ardhme të përbashkët të njerëzimit.

Dr. Marsela Musabelliu në intervistë për CMG

Dr. Marsela Musabelliu në intervistë për CMG

Forumi ofron një platformë për të gjitha vendet që të ndajnë mendimet, përvojat dhe praktikat e tyre lidhur me demokracinë. Si pjesëmarrëse dhe një ndër studiueset që mbajti një kumtesë në Forum, drejtorja e Institutit të Studimeve të Globalizimit dr. Marsela Musabelliu flet për këtë veprimtari në një intervistë për Grupi  Mediatik të Kinës

CMG: Sapo jeni kthyer nga një vizite në Kinë. Pas sa kohësh jeni rikthyer në Kinë?

Dr. Marsela Musabelliu: E vërtetë. U bënë gati 3 vite që nuk kisha udhëtuar në Kinë me punë ose për kënaqësi sepse siç dihet jo vetëm Kina, por e mbarë bota kishte kufizime, në mënyrë që njerëzit të evitonin sa më shumë udhëtimet e panevojshme, për shkak të pandemisë. Tani më në fund gjithçka është kthyer në normalitet. Puna jonë me Kinën dhe me institucionet kineze ka filluar të jetë edhe offline dhe jo vetëm online. U bë ky udhëtim para 10 ditësh gjatë të cilave kam patur takime të ndryshme me eksponentë të botës akademike dhe mediatike dhe u ktheva në Shqipëri. Gjithçka ishte tani si në kohën para pandemisë.

CMG: Është kjo periudhë e lehtësimit të masave shtrënguese në Kinë. Ju keni qëndruar në Pekin apo dhe në qytete të tjera? Si paraqitej realiteti  i përditshëm ?

Dr. Marsela Musabelliu: Qëndrova vetëm në Pekin sepse axhenda e punës ishte pjesmarrja në Forum dhe takime me institucionet akademike. Pekini është një qytet gjigant me mbi 25 milion njerëz dhe mendoja se rregullat do të ishin  më të shtrënguara, por gjithçka ishte si në kohën para pandemisë. Sigurisht që tregohej kujdes në vendet me grumbullime të mëdha personash.

CMG: Qytetarët vazhdonin të mbanin  maska, a kishte ende kufizime?

Marsela Musabelliu gjatë pjesmarrjes në Samit (Foto Facebook)

Marsela Musabelliu gjatë pjesmarrjes në Samit (Foto Facebook)

Dr. Marsela Musabelliu: Kufizimet ishin zero, si në pjesën tjetër të botës. Në mjediset e jashtme në Pekin shumë njerëz nuk e mbanin maskën, por në metro apo mjedise të mbyllura maska shërben dhe për mbrojtjen vetjake dhe të të tjerëve. Në Kinë dhe në vendet e tjera aziatike mbajtja e maskave shkon përtej një kulture vetjake të vetëmbrojtjes. Pandemia na solli një kujdesje për veten dhe kjo tregon emancipim të shoqërisë.

CMG: Flasim për Forumi i 2-të Ndërkombëtar mbi Demokracinë: Vlerat e Përbashkëta Njerëzore  zhvilluar në Pekin, ku ju morët pjesë duke përfaqësuar Institutin që drejtoni. Çfarë solli edicioni i dytë i këtij Forumi?

Dr. Marsela Musabelliu: Ky ishte edicioni i dytë i Forumit mbi Demokracinë: Vlerat e Përbashkëta Njerëzore. Është hedhur ideja që në vitin 2021 dhe asokohe është zhvilluar një forum vetëm online pasi dihet që në atë periudhë e gjithë bota kishte kufizime të lëvizjes dhe pjesmarjes në konferenca dhe bëheshin online për shkak të situatës. Në vitin 2021 nisi Forumi i pare për Demokracinë, për vlerat e përbashkëta të njerëzimit, fokusuar kryesisht në politikat zhvillimore.

Ndërsa Forumi i dytë që mblodhi mbi 300 të ftuar nga e gjithë bota dhe më shumë se 100 vende të përfaqësuara  kishte 5 tematike dhe nuk u ndal vetëm tek demokracia dhe zhvillimi, porn ë 5 panele të ndryshme. Ishin 3 ditë intensive me panele paralele dhe me të ftuar që hapën eventin ku do të përmendja organizatorin kryesor të Forumit që ishte Akademia e Shkencave Sociale të Kinës, si dhe organizatorët e tjerë China Media Group (CMG) praktikisht media më e madhe në Kinë, por përsa i përket njerëzve dhe kapitalit është dhe media më e madhe në botë, si dhe China International Comunication Group. Të tre këto institucione me drejtuesit e tyre përkatës përshëndetën të ftuarit në Forum me idetë dhe konceptet e tyre për këto 5 drejtime në të cilat Forumi u zhvillua.

Në Forum ishte i pranishëm dhe hapi punimet Li Shulei, anëtar i Byrosë Politike të KQ të PKK-së, që u ndoq nga fjala e zotit Du dhe më pas mbajti fjalën zonja Xin. Pra këta folës përfaqësojnë dhe institucionet bashkëorganizuese të Forumit, të cilat institucione në mbyllje të punimeve bënë dhe konkluzionet përkatëse.

CMG: Ky Forum është një platformë  ku pjesmarrësit, përfaqësues të vendeve të ndryshme ndajnë opinionet e tyre, por dhe përvojat e praktikat lidhur me demokracinë dhe zhvillimin e saj në realitetet e reja. Cila ishte tema që ju trajtuat të Forum?

Marsela Musabelliu në samit (Foto Facebook)

Marsela Musabelliu në samit (Foto Facebook)

Dr. Marsela Musabelliu:  Unë mora pjesë në panelin e fundit i cili  titullohej “Demokracia dhe rruga drejt modernizimit”. Siç e thashë eventi ishte ndarë në 5 panele ku profesorë, njerëz të medias, akademikë dhe ekspertë folën secili për 15-20 minuta dhe artikujt e tyre do të botohen në mediat kineze dhe në institutet akademike të Kinës. Pas çdo paneli kishte një sesion me pyetje dhe përgjigje.

Në Forum kishte studiues nga Amerika e Jugut, Amerika e Veriut, Europa, Afrika dhe Azia dhe këndvështrimet e panelistëve ishin sa të ndryshme po aq edhe të njejta. Vetë tematika e Forumit ishte vlerat e përbashkëta njerëzore dhe aty pashë se nuk ka rëndësi nëse vjen nga Brazili, India, Kina apo Spanja sepse ajo që ne të gjithë duam janë këto arritje të cilat u ndanë në 5 panele në Forum.  Temat janë: Zhvillimi i qëndrueshëm, që u trajtua në panelin e pare, Demokracia dhe inovacioni  dhe rëndësia e tyre për botën dhe zhvillimin e shoqërive, Qeverisja globale dhe rëndësia e saj në kohët e vështira që po jetojmë dhe tema e Diversitetit të qytetërimeve njerëzore, që do të thotë se pavarësisht se nga cili cep i botës vjen, apo nga cila kulturë jemi, ne mund të komunikojmë dhe të bashkëpunojmë me njeri-tjetrin.

Paneli ku mbajta referatin ishte Modernizimi, pasi duke ardhur nga një vend si Shqipëria, ajo që duam të shohim dhe të projektohemi është rruga e modernizimit dhe zhvillimit. Unë ndava eksperiencën time si një ekonomiste shqiptare që flet në Kinë, duke patur parasysh sistemin ekonomiko-politik si dhe kushtet sociale të vendit tim.

CMG: Punimet e Forumit janë pasqyruar në mediat kineze. Fjala juaj në Forum u pasqyrua në mediat vendëse dhe a dhatë intervista?

Dr. Marsela Musabelliu: Pas çdo paneli  ne flisnim me njeri-tjetrin si pjesmarrës nga kontinente dhe shtete të ndryshme. Pasi mbaronin panelet afrohej media dhe personat që kishin spikatur u intervistuan  nga mediat e pranishme.Ishin intervista spontane direkt pas paneleve. Unë u intervistova nga  Agjencia kineze e lajmeve Xinhua, por dhe ekspertë të tjerë që folën në panelin për modernizimin, duke qenë se ishim nga kontinente të ndryshme mediat donin të dinin perceptimin e vendeve të varfra ose të pasura për modernizimin.

Gjithashtu pata një diskutim me median CGTN, që i referohej më shumë perceptimit të Kinës në vitin 2023 si dhe një intervistë nga Akademia e Shkencave Sociale të Kinës, që përgatit një reportazh përsa i përket fjalës sime lidhur me konceptin e modernizimit nga Ballkani.

CMG: Meqë jemi në muajt e pare të vitit cilat do të jenë veprimtaritë e Institutit të Studimeve të Globalizimit, që ju drejtoni?

Dr. Marsela Musabelliu: Jemi duke përgatitur dy konferenca. Në fillim të qershorit presim të shkojmë në Budapest për një konferencë që ka të bëjë me marrëdhëniet Kinë-Europë dhe se si i sheh Ballkani Perëndimor këto marrëdhënie. Duhet specifikuar se bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të BE-së. Ndërsa në muajin tetor kemi një forum tjetër që pritet të zhvillohet në Varshavë ose në Beograd dhe ka të bëjë me ndryshimet gjeopolitike me të cilat po përballet bota dhe rolin e Kinës në këto ndryshime. Instituti ynë është i fokusuar në studimet e Kinës moderne dhe në aplikimin e politikave ekonomike, të marrëdhënieve me jashtë të Kinës me vendet e tjera.

CMG: Besoj se në fokus të studimeve të institutit tuaj është Mekanizmi Kinë-Europë Qendrore dhe Lindore

Dr. Marsela Musabelliu: Po patjetër. Duke qenë se studiojmë Kinën ne studiojmë dhe çdo iniciativë të saj në rajon dhe kontinent. Fokusi ynë është gjithashtu nisma “Një brez, një rrugë”, në të cilën Shqipëria merr pjesë si dhe nisma e bashkëpunimit të Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Ne tani po bëjmë dhe një punë parapërgatitore akademike përsa i përket shkëmbimeve akademike studimore midis instituteve tona dhe  gjatë vitit presim takimin e liderëve të Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore ku shpresojmë të shohim arritje përsa i përket këtij mekanizmi.

Intervistoi Eda  Merepeza