Xi Jinping-u takohet me Von der Leyen-in
2023-04-07 12:45:13

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping u takua të enjten në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me kryetaren e Komisionit Europian Ursuela von der Leyen.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Xi Jinping-u vuri në dukje gjatë këtij takimi se Kina e konsideron Bashkimin Europian si një forcë strategjike në arenën ndërkombëtare dhe u jep përparësi zhvillimit të marrëdhënieve me palën europiane në politikën e vet të jashtme. Kina është e gatshme të vijojë miqësinë tradicionale, të ruajë kontaktet e ngushta dhe të nxitë besimin e ndërsjellë strategjik, duke u fokusuar në bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë dhe duke kapërcyer ndërhyrjet e sfidat.

Kreu i shtetit i Kinës theksoi më tej që të dy palët duhet të forcojnë shkëmbimet, të kenë një njohje të drejtë të njëra-tjetrës dhe të shmangin keqkuptimet e gjykimet e gabuara. “Kombi kinez, me një histori e qytetërim mbi 5000-vjeçar, ka qenë gjithmonë kundër luftës, përdorimit të dhunës ndaj të dobtëve dhe hegjemonizmit. Zhvillimi i Kinës synon një jetë më të mirë për popullin kinez. Ndërkohë, Kina është e vendosur të mbrojë sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit, dhe nuk lejon askënd që t'i heqë popullit kinez të drejtën për një jetë të lumtur. Kina dhe Europa duhet t'i përqendrojnë forcat te bashkëpunimi, të mbështesin globalizimin ekonomik e liberalizmin e tregtisë dhe të zhvillojnë komunikim të thellë për problemet në bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dypalësh, për të arritur marrëveshje të pranueshme për të dyja palët me anën e konsultimeve. Kina është partnere e rëndësishme e Europës për përballimin e sfidave, si kriza energjetike e inflacioni, dhe për ngritjen e aftësisë konkurruese. Ne mirëpresim që pala europiane të vazhdojë të ndajë përfitimet nga zhvillimi i Kinës”, tha presidenti kinez.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Lidhur me çështjen e Tajvanit, Xi Jinping-u vuri në dukje se ajo ka të bëjë me interesat më thelbësore të Kinës. “Populli kinez kurrë nuk do të pranojë ndërhyrjet e huaja në këtë çështje. Nëse dikush pret që Kina të bëjë lëshime mbi këtë problem, e ka të kotë,” tha kreu i shtetit i Kinës.

Nga ana e saj, Von der Leyen-i tha se Kina ka një histori të gjatë dhe kulturë të pasur. Shkëmbimet ndërmjet qytetërimeve të Kinës e Europës mund të kenë ndikim pozitiv për të dy palët dhe mbarë botën. Sipas saj, Europa dhe Kina kanë shumë mendime të përbashkëta lidhur me përballimin e sfidave globale dhe zgjidhjen politike të mosmarrëveshjeve rajonale. Të dyja palët duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të kontribuuar për ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe të paqes botërore. Pala europiane nuk mbështet “shkëputjen” dhe shpreson se do të forcojë dialogun e shkëmbimet me Kinën, duke zhvilluar më shumë bashkëpunim me leverdi ndërsjellë.

Von der Leyen theksoi më tej se Bashkimi Europian nuk ka si synim të ndryshojë politikën e zbatuar prej kohësh të “Një Kinë” dhe njeh qeverinë e Republikës Popullore të Kinës si të vetmen qeveri të ligjshme që përfaqëson gjithë Kinën. Brukseli dëshiron të shohë paqe e qëndrueshmëri në rajonin e ngushticës së Tajvanit.