CMG: Duhet të reagohet fort ndaj “farsës politike” të dhënë nga ShBA-ja dhe Tajvani
2023-04-06 14:44:21

Të enjten, liderja e rajonit të Tajvanit të Kinës, Tsai Ing-wen, gjatë udhëtimit “tranzit” në ShBA, u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan Kevin McCarthy. Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, ky është një tjetër bashkëveprim me qëllime të fshehta ndërmjet të dy palëve pas vizitës së vjetshme të Nancy Pelosit në Tajvan, duke shkelur rëndë parimin e “Një Kine” dhe tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane, duke dëmtuar rëndë sovranitetin e tërësinë territoriale të Kinës dhe duke u dërguar sinjale seriozisht të gabuara forcave separatiste në Tajvan.

VCG

“Kjo i ka bërë po ashtu njerëzit të shohin më qartë se arsyet thelbësore të përshkallëzimit të tensionit ndërmjet dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit janë përpjekjet e vazhdueshme të Partisë Demokratike Progresive të Tajvanit për të arritur ‘pavarësinë e Tajvanit’ nëpërmjet përkrahjes së huaj dhe synimet e disa njerëzve në ShBA për frenimin e Kinës me anë të çështjes së Tajvanit," theksohet në koment.

Parimi i “Një Kine” është pohuar qartas në rezolutën nr. 2758 të miratuar në vitin 1971 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke qenë edhe konsensusi i gjerë i bashkësisë ndërkombëtare dhe normë e pranuar universalisht e marrëdhënieve ndërkombëtare. Deri tani, 182 vende të botës, duke përfshirë vetë ShBA-në, kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës në bazë të parimit të “Një Kine”.

Edhe ShBA-ja ka bërë premtime serioze lidhur me parimin e “Një Kine”. Në komunikatën e përbashkët të publikuar në dhjetorin e vitit 1978, theksohet që qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e njeh qëndrimin e palës kineze, pra që ka vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e Kinës. Edhe në këtë dokument thuhet qartë që Shtetet e Bashkuara e Amerikës e njohin faktin se qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme e Kinës dhe, në këtë kuadër, populli amerikan do të ruajë me banorët në Tajvan kontakte kulturore e tregtare dhe marrëdhënie të tjera jozyrtare. Pasi mori postin, presidenti i tanishëm amerikan Joe Biden ka theksuar disa herë se nuk mbështet “pavarësinë e Tajvanit”, as “Dy Kina” apo “Një Kinë, një Tajvan”.

VCG

VCG

“Por, veprimet e palës amerikane shkojnë në kundërshtim me fjalët,” thuhet në koment. Takimi i Kevin McCarthy-t, si figura e tretë e qeverisë amerikane, me Tsai Ing-wen-in shkel seriozisht premtimet e ShBA-së, duke dëmtuar edhe besueshmërinë politike të saj.

Në vijim në koment vihet në dukje që, prapa takimit të kësaj here, qëndrojnë synimet politike të të dy palëve. Tani kundërvëniet ndërpartiake në ShBA po acarohen. “Çështja e Kinës” është bërë një mjet manipulimi ndërmjet dy partive amerikane që po përgatiten për zgjedhjet e ardhshme. Me anën e takimit, McCarthy mund të ketë përfitime politike dhe t'i kalojë “telashet” mbi qeverinë e drejtuar nga demokratët.

Ndërsa, Tsai Ing-wen, dëshiron që, nëpërmjet kësaj “farse”, të fuqizojë partinë e saj, që pati dështim të madh në zgjedhjet e vjetshme lokale.

Por opinioni publik nuk manipulohet lehtë, theksohet në komentin e CMG-së. Ditët e fundit, në media qarkulloi një lajm që ShBA-ja ka në plan të “shkatërrojë” objektet e gjysmëpërçuesve në Tajvan nëse ky ishull sulmohet. Për këtë, shumë media tajvaneze e kritikuan fort palën amerikane, duke e quajtur “të pabesueshme” dhe duke e akuzuar që e përdor Tajvanin si gur shahu, të cilin mund ta braktisë nëse ndryshon situata. Në të njëjtën kohë, gjatë “tranzitit” të Tsai Ying-wen-it, shumë emigrantë kinezë në ShBA protestuan.

VCG

VCG

Por, sado që të përpiqen ShBA-ja dhe Tajvani, ato nuk mund ta ndryshojnë faktin historik e ligjor që Tajvani i përket Kinës, mbyllet komenti i CMG-së.