Alisa Dudaj, drejt krijimit të brandit dhe stilimet për VIP-at nga bota
2023-04-06 09:32:58

Alisa Dudaj (Foto Facebook)

Alisa Dudaj (Foto Facebook)

Alisa Dudaj është një e re shqiptare, që pas studimeve për fashion-design në SHBA është kthyer në Shqipëri për të bërë realitet ëndërrën e saj. Ajo është fituesja e Çmimit të pare prej 20 mijë eurosh  të “Muza Competition 1” dhe po punon për krijimin e brandit me emrin e saj.

Në një intervistë për mediat, Alisa sjell modelin e një vajze të re që është kthyer në atdhe për të realizuar një ëndërr, të krijojë veshje bazuar në traditën shqiptare.

Alisa Dudaj fituese e çmimit Muza Competition (Foto Facebook)

Alisa Dudaj fituese e çmimit Muza Competition (Foto Facebook)

 “ Diferenca që bëra unë mes konkurentëve të tjerë ishte fakti që koleksioni im ishte përbërë nga detaje të vogla të traditës shqiptare, të cilat ishin sjellë të modernizuara dhe shumë minimaliste, në të njëjtën kohë. Kjo ishte një risi në treg krahasuar me koleksionet e tjera që janë bërë të inspiruara nga tradita shqiptare. Unë kam studiuar në New York Parsens Fashion School dhe kur kam bërë tezën e temës së diplomës u referova që të bëja fotot e koleksionit te Fadil Berisha që më sugjeroi të merrja pjesë në këtë konkurs. Më pas u drejtova tek Andriola dhe dërgova aplikimin”-  tregon Alisa Dudaj për pjesmarrjen e saj në “Muza Competition 1”.

Stilime nga A. Dudaj (Foto Facebook)

Stilime nga A. Dudaj (Foto Facebook)

Brandi i saj ka marrë tashmë rrugë vetëm bazuar në element tradicionalë. Ndër të tjera stilistja thotë se bashkëpunimin më të madh e ka realizuar me Gjirokastrën.

“Tani jam drejt finalizimit të projektit që po bëj. Të gjithë paratë që fitova i kam drejtuar drejt hapjes së një brendi në emrin tim, të inspiruar nga tradita shqiptare pasi pashë që kishte shumë interes në këtë fushë. Kam bashkëpunuar më shumë me Gjirokastrën me traditën e çentrove sepse aty ishte interesi më i madh, por dhe  me Shkodrën. Çentrot i punojnë disa gra sepse unë kam mësuar si punohen por jo në mënyrë profesioniste. Më pas kalojnë në një proces që formojnë disa skulptura të mëdha voluminoze dhe nuk ndryshojnë formë. Më shumë ka patur interes nga të huajt, ka patur dhe modele shqiptare që kanë bashkëpunuar këto kohë. Ish-missi Sindi Marina ka qenë suportuese e këtij koleksioni,  por dhe aktorë nga Hollivudi. Deri tani bashkëpunimi ka qenë me Halle Bailey, të cilës i kam dërguar veshje në Los Angelos dhe me disa revista në New York që pres të dalin”, shprehet Dudaj.

Alisa Dudaj në kopertinën e BM (Foto BM)

Alisa Dudaj në kopertinën e BM (Foto BM)

Për talentin e ri ka patur një rol shumë të madh konkursi i realizuar në Shqipëri.

“Përvec shkollimit mendoj që kjo ishte një punë e fortë drejt njohjes më shumë në treg. Shkolla nuk ka vizualitetin që të jep një emision i tillë, siç ishte “Muza Competition”. Momentalisht çdo gjë po hapet në Shqipëri pasi inspirimi më i madh është nga Shqipëria dhe gjëja më pozitive ishte të hap diçka këtu për sa kohë tradita është këtu dhe gratë punojnë këtu. Më pas, në një të ardhme të largët të shkojmë dhe në Amerikë”- thotë ajo

Veshjet e stiluara nga Alisa (Foto Facebook)

Veshjet e stiluara nga Alisa (Foto Facebook)

Alisa Dudaj përcjell një mesazh për të rinjtë, sepse sipas saj në Shqipëri ka mjaftueshëm mundësi për të menduar të ardhmen e  tyre në sektorë të ndryshëm.

“Duke qenë se shumë njerëz, me çfarë kam hasur këto kohë pasi kam lëvizur në rrethina të Shqipërisë, kanë një tendencë të shkojnë jashtë. Nuk kanë më vullnetin të punojnë dhe të merren me punë dore dhe dihet që kushtojnë kohë dhe mund, ndaj nuk shohin përfitime monetare të mjaftueshme të suportojnë veten në Shqipëri. Mendoj që ka hapësira për të provuar gjëra të reja, por që gjithmonë duhet të jetë guximi në fillim pastaj gjërat varet si shkojnë. Çdo gjë vjen me risk nga pas, por gjithmonë ia vlen që ta provosh. Momentalisht rreth 300 dollarë është veshja më e shtrenjtë që kam shitur”, ka përfunduar Alisa Dudaj rrëfimin e saj për karrierën si stiliste dhe planet në të ardhmen.