Gjyqi ndaj Donald Trump, ish-presidenti deklarohet i pafajshëm për 34 akuzat
2023-04-06 11:15:16

Foto nga VCG

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, akuzohet për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, për të cilat u deklarua i pafajshëm.

Trump, i cili u akuzua në Gjykatën Penale të Manhattan në New York City, bëhet kështu ish-presidenti i parë i SHBA-së që u padit penalisht, shkruan “Xinhua”.

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, njoftoi aktakuzën, duke e akuzuar Trump për falsifikim të të dhënave të biznesit në Nju Jork për të fshehur informacione të dëmshme dhe aktivitet të paligjshëm nga votuesit amerikanë para dhe pas zgjedhjeve të 2016.

Aktakuza e Gjykatës së Lartë të Shtetit të Nju Jorkut përmendi tre raste të pagesave me para për të mbuluar aferat e supozuara të Trump.

Ish-presidenti republikan në Shtëpinë e Bardhë nga fillimi i vitit 2017 deri në fillim të 2021, Trump mohoi akuzat dhe deklaroi se hetimi penal i udhëhequr nga Bragg, një demokrat, është i motivuar politikisht.

Avokati i Trump, Todd Blanche, duke folur me gazetarët jashtë Gjykatës Penale të Manhattan, deklaroi se klienti i tij është i frustruar dhe i mërzitur.

Përveç çështjes së pagesës së parave të heshtura, Trump po përballet me disa hetime të tjera penale në nivel shtetëror dhe federal, duke përfshirë përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020, trajtimin e tij të dokumenteve të klasifikuara dhe rolin e tij në trazirat e Kapitolit më 6 janar 2021.

Si pjesë e procedurës, ish-presidenti u vendos në paraburgim para nisjes së seancës, por 34 akuzat që rëndonin ndaj tij, nuk parashikonin mbajtjen e tij në burg. Për këtë arsye, Trump u lirua pas përfundimit të seancës dhe u kthye në Florida, nga ku deklaroi se krimi i tij i vetëm ishte mbrojtja pa frikë e kombit nga ata që do ta shkatërronin atë.

Ish-presidenti do të gjykohet në gjendje të lirë për 34 akuzat e ngritura ndaj tij. Ai i hodhi poshtë akuzat ndaj tij, teksa pretendoi pafajësinë, por nuk pranoi të jepte asnjë deklaratë për mediat pas zhvillimit të seancës, e para e këtij lloji për një president të SHBA-së.

Akuzat për të cilat po hetohet ish-presidenti amerikan, janë të gjitha të klasit E, që i përkasin kategorisë më të ulët të veprave penale, dhe përfshin një dënim maksimal prej 4 vitesh burg, shkruan “RTSH”.

Por, sipas ekspertëve ligjorë, nëse ish-presidenti do të dënohet, nuk do të arrestohet, por me shumë gjasa, ndaj tij do të vendoset një gjobë.

Sakaq, ekipi i Trump ka kohë deri më 8 gusht për të paraqitur çdo mocion dhe prokuroria do të përgjigjet deri më 19 shtator.

Gjyqtar Juan Merchan njoftoi se ai do të vendosë mbi mocionet në seancën e ardhshme dëgjimore, të planifikuar për 4 dhjetor. (Irma)