Turqia dëshiron që Egjeu dhe Mesdheu të jenë dete të miqësisë
2023-04-06 15:20:18

Foto nga VCG

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, deklaroi në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun grek, Nikolaos Panagiotopoulos, se Turqia ka shprehur dëshirën për t’i bërë Egjeun dhe Mesdheun dete të miqësisë dhe solidaritetit, shkruan “Anadolu Agency”, citon “ATSH”.

Akar dhe Panagiotopoulos vizituan provincën jugore Hatay, e cila u godit nga tërmeti i 6 shkurtit, ku ministri turk tha se Turqia po përpiqet të ketë marrëdhënie të mira me fqinjin e saj Greqinë.

Akar tha se si dy vende të civilizuara, Turqia dhe Greqia mund t’i trajtojnë disa probleme mes tyre në përputhje me frymën e aleancave, nëpërmjet një mënyre paqësore, respektit të ndërsjellë dhe dialogut. Sipas tij, kjo do të ishte me dobi reciproke.

Ministri turk falënderoi homologun e tij grek dhe vendin e tij për solidaritetin dhe interesimin e treguar pas tërmeteve.

Panagiotopoulos, nga ana e tij, shprehu vullnetin për të vendosur stabilitet në marrëdhëniet dypalëshe dhe tha se tragjeditë si tërmetet tregojnë se sa të vogla janë problemet ekzistuese midis Greqisë dhe Turqisë.

“Kur vëzhgohen nga një këndvështrim tjetër, ne shohim se këto tragjedi dhe fatkeqësi në fakt veprojnë si një katalizator në drejtim të uljes së tensioneve”, shtoi ai. (Irma)