Presidenti francez mbërrin në Pekin për vizitë shtetërore
2023-04-06 10:27:36

Foto nga CMG

Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbërritur në Pekin, për të zhvilluar një vizitë shtetërore në Kinë nga 5 deri më 7 prill.

Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, presidenti kinez Xi Jinping do të takohet me homologun e tij francez për të planifikuar zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe, për të thelluar bashkëpunimin Kinë-Francë e Kinë-BE në fusha të ndryshme dhe për të pasur shkëmbim pikëpamjesh mbi çështjet kryesore ndërkombëtare e rajonale.

Kryeministri kinez Li Qiang dhe kryeparlamentari Zhao Leji do të takohen gjithashtu me Macron-in.

Presidenti francez do të vizitojë edhe Guangzhou-n, kryeqendrën e provincës Guangdong.

Njoftohet se ai do të shoqërohet gjatë vizitës së tij në Kinë nga ish-kryeministri francez Jean-Pierre Raffarin, kryetari i Këshillit Kushtetues francez Laurent Fabius, disa ministra e anëtarë të parlamentit francez, si edhe më shumë se 60 drejtues të ndërmarrjeve të mëdha e mbi 20 përfaqësues kulturorë.

Pala kineze ka thënë se është e gatshme të punojë me palën franceze për ta shfrytëzuar këtë vizitë si një mundësi për pasur rezultate të reja në partneritetin e ngushtë e të qëndrueshëm strategjik gjithëpërfshirës ndërmjet të dy vendeve, për të promovuar zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve Kinë-BE dhe për të dhënë kontribut për paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin botëror.

Gjatë viteve të fundit, shkëmbimet ekonomike dhe tregtare kino-franceze kanë ruajtur vrullin e rritjes. Statistikat e fundit nga Franca tregojnë se tregtia dypalëshe e mallrave e kaloi për herë të parë vjet shifrën 100 miliardë euro (109.5 miliardë dollarë), duke arritur në 101.8 miliardë euro, 14.6 për qind më shumë se në vitin 2021. (Çang Çuo)