Rusia premton kundërmasa ndaj anëtarësimit të Finlandës në NATO
2023-04-06 14:49:05

Foto nga VCG

Ministria e Jashtme njoftoi se Rusia do të përgjigjet me masa ushtarako-teknike dhe masa të tjera për të adresuar kërcënimet e sigurisë kombëtare që dalin nga pranimi i Finlandës në NATO.

“Vendimet specifike në lidhje me ngritjen e aftësive mbrojtëse përgjatë kufijve veriperëndimorë të Rusisë do të varen nga kushtet specifike në të cilat Finlanda bashkohet me NATO-n, duke përfshirë vendosjen e infrastrukturës ushtarake të NATO-s dhe armëve sulmuese në territorin e saj”, citon “Xinhua” një deklaratë të kryediplomacisë ruse.

Linjat e kontaktit midis NATO-s dhe Rusisë janë më shumë se dyfishuar, duke përbërë një ndryshim të madh për Europën Veriore, një nga rajonet më të qëndrueshme në botë, vuri në dukje ministria.

“Aderimi i Finlandës në NATO do të ketë një efekt negativ në marrëdhëniet dypalëshe midis Rusisë dhe Finlandës”, thuhet në deklaratë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, shprehu shqetësimet e tij për hyrjen e Finlandës në NATO, duke theksuar se ajo cenon sigurinë dhe interesat e Rusisë.

“Ne do të marrim kundërmasa për të garantuar sigurinë tonë në aspektin taktik dhe strategjik”,- tha ai në një konferencë shtypi.

Finlanda të martën u bë zyrtarisht shteti i 31-të anëtar i NATO-s. Flamuri kombëtar i Finlandës u ngrit dhe himni i vendit u luajt për herë të parë në selinë e NATO-s në Bruksel të martën pasdite në një ceremoni të shkurtër. (Irma)