Komente të Ministrisë së Jashtme kineze mbi udhëtimin "tranzit" të Tsai Ing-wen-it nëpër ShBA
2023-04-06 13:11:22

Foto nga VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës bëri të enjten komente lidhur me udhëtimin "tranzit" të lideres së Tajvanit Tsai Ing-wen nëpër Shtetet e Bashkuara. Në vijim është teksti i plotë:

Gjatë ditëve të fundit, duke mos respektuar demarshet serioze dhe paralajmërimet e përsëritura të Kinës, Shtetet e Bashkuara kanë lejuar me kokëfortësi udhëtimin e Tsai Ing-wen-it nëpër Shtetet e Bashkuara dhe takimin e nivelit të lartë ndërmjet saj dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Kevin McCarthy, zyrtari i tretë më i lartë i qeverisë amerikane. ShBA-ja lejoi gjithashtu kontaktin e zyrtarëve amerikanë dhe anëtarëve të Kongresit me Tsai-n dhe i ofroi asaj një platformë për të bërë komente separatiste për "pavarësinë e Tajvanit".

Në thelb, Shtetet e Bashkuara komplotojnë me autoritetet e Tajvanit dhe bashkëpunojnë në përpjekjet e separatistëve që kërkojnë "pavarësinë e Tajvanit" për të kryer veprimtari politike në tokën amerikane, për t'u angazhuar në ndërveprim zyrtar ndërmjet Shteteve të Bashkuara e Tajvanit dhe për të ngritur nivelin e marrëdhënieve thelbësore ndërmjet Shteteve të Bashkuara e Tajvanit.

Akte të tilla kanë shkelur seriozisht parimin e "Një Kine" dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, kanë cenuar seriozisht sovranitetin e integritetin territorial të Kinës dhe u kanë dërguar sinjale seriozisht të gabuara forcave separatiste për "pavarësinë e Tajvanit". Kina i kundërshton dhe i dënon ashpër këto akte.

Parimi i "Një Kine" është një konsensus universal i bashkësisë ndërkombëtare e një normë bazë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe përbën parakushtin e themelin për vendosjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Në tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane, Shtetet e Bashkuara kanë bërë premtime të qarta mbi mbajtjen e marrëdhënieve jozyrtare me Tajvanin.

Megjithatë, për një periudhë të gjatë kohe, Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur me kokëfortësi në strategjinë e "përdorimit të Tajvanit për të frenuar Kinën", duke shkelur premtimet e bëra. Ato kanë sfiduar pa pushim vijën fundore dhe kanë bërë provokime në çështje të tilla si ndërveprimi zyrtar me Tajvanin, shitja e armëve dhe bashkëpunimi ushtarak me Tajvanin, si edhe ndihma ndaj Tajvanit për të zgjeruar të ashtuquajturën "hapësirë ndërkombëtare", duke e errësuar dhe e cenuar vazhdimisht parimin e "Një Kine".

Që nga marrja e detyrës, Tsai nuk ka pranuar ta njohë Konsensusin e 1992-shit, i cili përfshin parimin e "Një Kine"; ka pranuar heshtur, ka mbështetur dhe ka nxitur lloje të ndryshme fjalësh e veprimesh separatiste që kërkojnë "pavarësinë e Tajvanit" në ishull dhe ka shtyrë përpara "pavarësinë" me mënyra të ndryshme maskimi. Si pasojë, marrëdhëniet ndërmjet dy brigjeve të ngushticës janë tensionuar së tepërmi.

Çështja e Tajvanit është në thelbin e interesave thelbësore të Kinës dhe përbën vijën e parë të kuqe që nuk duhet të kalohet në marrëdhëniet kino-amerikane. "Pavarësia e Tajvanit" është absolutisht e papajtueshme me paqen dhe qëndrueshmërinë në të dy anët e ngushticës së Tajvanit dhe është një rrugë pa krye. Si përgjigje ndaj akteve seriozisht të gabuara të bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara e Tajvanit, Kina do të marrë masa të vendosura e efektive për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial.

Ne u kërkojmë përsëri Shteteve të Bashkuara të respektojnë parimin e "Një Kine" dhe dispozitat e tre komunikateve të përbashkëta kino-amerikane, ta mbajnë premtimin për të mos mbështetur "pavarësinë e Tajvanit" ose "Dy Kina" apo "Një Kinë, një Tajvan", të ndalojnë menjëherë të gjitha format e ndërveprimit zyrtar me Tajvanin, të ndalojnë ngritjen e nivelit të shkëmbimeve thelbësore me Tajvanin, të ndalojnë krijimin e tensioneve në të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit, të ndalojnë përdorimin e Tajvanit për të frenuar Kinën dhe të ndalojnë ecjen më tej në rrugën e gabuar e të rrezikshme.