Ergys Trimaci
Ergys Trimaci është 34-vjeç, por ka ndërtuar një jetë me themele të forta. Kur ishte ende në shkollën e mesme ai e lë atë duke mos ndjekur studimet e larta, por ëndrrën e tij për biznes. Gjithçka filloi me angazhimin në bizneset familjare, më pas Ergysi ndërtoi rrjetin e bizneseve të tij. Fillimisht ai u fut në tregun e kitarave, një instrument shumë i rëndësishëm muzikor tek i cili çdo njeri gjen kënaqësi, nëse është muzikant, apo thjesht pasion.
Ndërsa një pasion i fshehur tek ai, por jo për shumë gjatë ishte edhe "Motivimi". Ergysi ka mbajtur seanca të gjata motivimi për të rinj, të cilët ndoshta kanë humbur busullën e orientimit apo të besimit tek vetja. Më pas prej pasionit që kishte për leximin, hapi një dyqan të vogël ku ka mundësi për të shitur libra të fokusuar tek sipërmarrja dhe inovacioni.
Ergys Trimaci
CMG: Si ka lindur pasioni juaj për sipërmarrjen ?
Ergys Trimaci: Unë jam djalë në një familje që përherë ka ndjekur rrugën e biznesit dhe ata më kanë lënë trashegimi mua këtë gjë. Kanë qenë skeptikë nëse do t'ia dilja pa përfunduar ciklin e studimeve, por sot që reflektoj me veten për gjithçka që ka kaluar, mendoj që praktika është më e rëndesishme se teoria dhe mund te them me bindje qe kanë qenë prinderit të cilët nëpërmjet kulturës së tyre të biznesit ma përcollen. Ne në thelb jemi shëmbëlltyrë e prindërve tanë.
CMG: Cilat kanë qenë mesazhet më të fuqishme që të kanë dhënë ata për t’u bërë një njeri i sukseshëm?
Ergys Trimaci: Në thelb më kanë thënë të qëndroj njeri. Unë e kam mision të qëndroj vetëvetja dhe njeri, të kem mundësi t'ia dal me origjinalitet kësaj bote.
Sot njerëzit e drejtë vlerësohen pak, por unë në rrugën time së sipërmarrjes kam zgjedhur të jem origjinal, vetëm kështu mund të krijojmë veten të papërsëritshme.
CMG: Cili ka qenë dështimi i parë nga i cili nuk u dorëzove ?
Ergys Trimaçi: Unë nuk jam dorëzuar kurrë pavarsisht që fillesat në një biznes janë shumë të vështira. Kanë qenë të shumta momentet që i thoja vetes "S'ke për t'ia dalë", më pas e gjeja veten duke vrapuar drejt ëndrrave te mia.
Jam i lumtur që nuk jam shkëputur nga rutina ime prej uljeve që mund të kem pasur në jetë. Njeriu duhet të sfidohet për të qenë më pas i suksesshëm dhe të gëzojë arritjet. E kam parë veten përherë me sy optimist. Nuk ka asgjë që nuk arrihet dhe nuk ka problem që të zhyt. Ti mund të notosh fort, por jo të zhytesh.
Ergys Trimaci
CMG: Biznesi me kitarat në Shqipëri çfarë të ka mësuar ?
Ergys Trimaci: Më ka mësuar se shqiptarët janë një popull shumë i bukur, që janë përherë në kërkim të gjërave të bukura dhe nuk është shumë e vështirë të ndjekësh një pasion Ne kemi klientë që kitarën e përdorin jo vetëm për praktikë pune, por edhe për qejf. Ata zhvillojnë terapi nëpërmjet kitarës, gjejnë veten dhe ndjejnë kënaqësi. Është bukur të shohësh se si angazhohen njerëzit për ta bërë veten më të përparuar qenësisht.
CMG: A është e vështirë të gjesh tregun ku blihen kitarat?
Ergys Trimaci: Është pak e vështire sepse ne Shqipëri nuk ka treg kitarash është disi e pamundur për të gjetur persona që punojnë këto instrumente. Ne jemi të lumtur që bashkëpunojmë me tregun kinez, kemi gjetur aty materiale shumë të mira, të cilat preferohen tepër.
Ergys Trimaci
CMG: Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë e tjerë, të cilët duan të ecin në gjurmët tuaja ?
Ergys Trimaci: Për të rinjtë do doja që të gjenin guximin tek vetja për të bërë gjërat që duan dhe mos tërhiqen në një moment që mund t'ju duket e vështirë .
Le të bisedojnë me dikë, me njerëz që janë të fushës dhe të gjejnë rrugën e tyre, do të rekomandoja edhe një psikolog, i cili mund t’i orientonte njerëzit drejt gjërave psikologjikisht të duhura.
CMG: Cila është marrëdhënia me seancat e motivimit ? Sa ndihmojnë libra drejt motivimit dhe sipërmarrjes?
Ergys Trimaci: Kam qenë ndjekës i seancave të motivimit dhe kam ndjekur frymën e tyre. Më pas unë testova miqtë e mi nëse edhe ata kishin nevojë për libra motivues dhe rezultoi që kishin një dëshirë të madhe, e cila buronte nga nevoja për të mësuar. Kështu unë hapa një dyqan fizik dhe online ku shes vetëm libra. Ajo që më dallon në treg është që i kushtoj shumë rëndësi klientit, duke i ndihmuar ata të bëjnë zgjedhjet e duhura.