Konventa Ndërkombëtare e Turizmit, ministrja Ekonomi: E ardhmja digjitale në Shqipëri, e padiskutueshme
2023-04-06 10:46:58

Foto nga RTSH

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, ka deklaruar se Shqipëria ka nevojë për shkolla profesionale në turizëm. Ndonëse në këtë aspekt, shprehet ministrja, janë bërë investime, në hoteleri dhe kulinari, lind nevoja për persona me aftësi në fushën digjitale.

Sipas ministres Ekonomi, e ardhmja digjitale në Shqipëri është e padiskutueshme, sidomos në sektorin e turizmit, shkruan “RTSH”.

“Ne kemi nevojë për shkolla profesionale në turizëm. Janë bërë investime në këtë aspekt, në hoteleri dhe kulinari. Por kemi nevojë për njerëz me aftësi në fushën digjitale. E ardhmja digjitale është e padiskutueshme dhe sidomos në sektorin e turizmit, ku ne mendojmë se është kontributor i lartë në PBB-në kombëtare”,- tha ministrja gjatë fjalës së saj në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit, e zhvilluar në Tiranë, bashkorganizuar për herë të parë në Ballkan me Organizatën Botërore të Turizmit.

Ministrja Ekonomi theksoi se turizmi në Shqipëri gjatë vitit 2022 ka pësuar rritje të konsiderueshme, konkretisht në transportin ajror.

“Kur mbi 7 milionë e gjysmë turistë vizituan vendin vjet dhe që rritja e përfaqësimit turistik në Shqipëri ishte në numra të lartë, çdo shqiptar u ndje krenar. Pjesa më e madhe e tyre që erdhën në Shqipëri përdorën burime të ndryshme, tokën, detin, ajrin. Por për ne ishte mundësia e turistit të huaj që erdhi nëpërmjet ajrit. Ky turizëm u rrit me 35%. Shqipëria i kishte marrë shumë seriozisht të gjitha investimet që duhet të bënte në rrugët hyrëse të turizmit”, deklaroi ministrja Ekonomi. (Irma)