Organi më i lartë ligjvënës i Kinës dënon takimin e lideres së Tajvanit me kreun e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së
2023-04-06 14:51:41

Komisioni i Punëve të Jashtme i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, organi më i lartë ligjvënës i vendit, publikoi të enjten një deklaratë si reagim ndaj takimit ndërmjet anëtarëve të Kongresit amerikan, duke përfshirë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, dhe lideres së provincës së Tajvanit Tsai Ing-wen në ShBA.

Në vijim është teksti i plotë i deklaratës:

Më 6 prill, duke shpërfillur kundërshtimin e fortë dhe demarshet solemne të Kinës, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Kevin McCarthy dhe anëtarë të tjerë të Kongresit amerikan u takuan me Tsai Ing-wen-in, që është në një udhëtim "tranzit" nëpër Shtetet e Bashkuara. Kjo ka shkelur ashpër parimin e “Një Kine” dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, ka cenuar seriozisht ligjin ndërkombëtar e normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka dëmtuar rëndë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kinës. Për këtë, Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës shpreh kundërshtim të vendosur dhe dënim kategorik.

Në botë ka vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e pandashme e territorit të Kinës. Qeveria e Republikës Popullore të Kinës është qeveria e vetme e ligjshme që përfaqëson të gjithë Kinën. Në një varg dokumentesh ligjore ndërkombëtare, duke përfshirë Deklaratën e Kajros dhe Proklamatën e Potsdamit, është qartësuar sovraniteti i Kinës mbi Tajvanin. Tajvani nuk ka status tjetër ligjor në arenën ndërkombëtare përveç të qenit pjesë e Kinës. Veprimi i McCarthy-it, zyrtari i tretë më i lartë i qeverisë amerikane, ka shkelur seriozisht premtimet e bëra nga Shtetet e Bashkuara ndaj Kinës për çështjen e Tajvanit dhe u ka dërguar sinjale seriozisht të gabuara forcave separatiste që kërkojnë "pavarësinë e Tajvanit", duke nëpërkëmbur faktet historike e drejtësinë dhe duke dëmtuar sundimin e ligjit ndërkombëtar.

Sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kinës nuk lejojnë asnjë shkelje apo ndarje. "Ligji kundër ndarjes", i hartuar dhe i miratuar nga Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës, ka dispozita të qarta për çështjet kryesore, si respektimi i parimit të “Një Kine”, frenimi i aktiviteteve separatiste që synojnë "pavarësinë e Tajvanit" dhe kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të jashtme mbi çështjen e Tajvanit. Çdo orvatje që synon "përdorimin e Tajvanit për ta frenuar Kinën" dhe mbështetjen ose lejimin e veprimtarisë së forcave separatiste të "pavarësisë së Tajvanit", do të dështojë dhe çdo akt që kërkon "pavarësinë e Tajvanit nëpërmjet mbështetjes së huaj" ose minon ribashkimin kombëtar të Kinës, do të sillet para drejtësisë.

Çështja e Tajvanit ka të bëjë me interesat thelbësore të Kinës dhe përbën themelin politik, si edhe vijën e kuqe që nuk duhet kaluar në marrëdhëniet Kinë-ShBA. Ne kundërshtojmë me vendosmëri të gjitha format e ndërveprimit zyrtar ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Tajvanit. U bëjmë thirrje serioze qeverisë dhe Kongresit të ShBA-së të ndalojnë shtrembërimin, errësimin dhe cenimin e parimit të “Një Kine”, të ndalojnë veprimin aventuresk të kalimit të vijës së kuqe dhe të ndalojnë minimin e themelit politik të marrëdhënieve kino-amerikane. (Zhang Yan/Artan)