Kina dhe Franca nxitin zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës
2023-04-06 21:17:36

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të enjten pasdite, pas zhvillimit të bisedimeve ndërmjet tyre, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtypin.

Duke folur për krizën e Ukrainës, Xi Jinping-u u shpreh se Kina i përmbahet nxitjes së bisedimeve paqësore dhe zgjidhjes politike të krizës. Kina është e gatshme t'u bëjë thirrje së bashku me Francën palëve në konflikt të mbajnë gjakftohtësinë për të shmangur përkeqësimin, madje edhe daljen jashtë kontrollit të krizës, dhe të respektojnë rreptësisht ligjin humanitar ndërkombëtar duke shmangur sulmin ndaj civilëve e objekteve civile dhe duke mbrojtur gratë e fëmijët.

Palët në konflikt duhet të zbatojnë realisht premtimet e bëra lidhur me mospërdorimin e armëve bërthamore dhe moszhvillimin e luftës bërthamore, të mos përdorin armë biokimike dhe të mos sulmojnë centralet bërthamore dhe objektet e tjera bërthamore civile.

Të dy palët duhet të rifillojnë sa më parë bisedimet paqësore dhe të kërkojnë zgjidhjen politike të krizës, duke krijuar një kornizë të barabartë, të efektshme e të vazhdueshme të sigurisë evropiane sipas parimeve të Kartës së OKB-së dhe shqetësimeve të arsyeshme të palëve të ndryshme për sigurinë.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të bashkëpunojë për përballimin e pasojave të sjella nga kriza e Ukrainës në fushën e ushqimeve, të energjisë, të financave, të transportit etj., për të pakësuar ndikimin e krizës mbi botën, veçanërisht mbi vendet në zhvillim. (Fani)