Zhvillohet takimi trepalësh Kinë-Francë-BE
2023-04-06 21:31:44

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të enjten pasdite, presidenti kinez Xi Jinping, homologu i tij francez Emmanuel Macron dhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen zhvilluan në Pekin takimin trepalësh Kinë-Francë-BE.

Xi Jinping-u u shpreh në takim se Kina dhe Europa kanë interesa të gjerë të përbashkët. Bashkëpunimi dypalësh është më i madh se konkurrenca dhe mendimet unanime janë më të shumta se mosmarrëveshjet. Tani situata ndërkombëtare është shumë e ndërlikuar. Si pala kineze, ashtu edhe pala evropiane duhet ta respektojnë njëra-tjetrën, të shtojnë besimin e ndërsjellë politik dhe të forcojnë dialogun e bashkëpunimin, për të mbrojtur së bashku paqen e qëndrueshmërinë botërore dhe për të promovuar zhvillimin e lulëzimin e përbashkët, duke përballuar së bashku sfidat globale.

Presidenti Xi theksoi në vazhdim se duhet të forcohet qëndrueshmëria e marrëdhënieve kino-evropiane. Këto marrëdhënie nuk drejtohen kundër ndonjë pale të tretë e as nuk varen prej ndonjë pale të tretë. Kina i trajton gjithmonë marrëdhëniet me Evropën nga këndvështrimi strategjik afatgjatë, duke ruajtur qëndrueshmërinë e politikës ndaj Evropës. Të dy palët duhet të respektojnë interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës dhe të kërkojnë konsensusin, duke lënë mënjanë mosmarrëveshjet, nëpërmjet dialogut e konsultimeve. Të dy palët duhet të respektojnë rrugët e zhvillimit të njëra-tjetrës. Kina dhe Evropa duhet të mbrojnë së bashku qëndrueshmërinë e paqen botërore e të kundërshtojnë hegjemonizmin, unilateralizmin dhe “shkëputjen”.

Ursula von der Leyen u shpreh nga ana e saj se pala evropiane e respekton historinë dhe kulturën kineze. Zhvillimi i dialogut të sinqertë e konstruktiv dhe ruajtja e zhvillimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve dypalëshe kanë rëndësi të madhe për paqen dhe qëndrueshmërinë e Evropës. Evropa dhe Kina janë partnere të rëndësishme tregtare, dhe “shkëputja nga Kina” nuk përputhet me interesat e palës evropiane e nuk është zgjedhja strategjike e BE-së. Pala evropiane dëshiron të rifillojë dialogun ekonomiko-tregtar të nivelit të lartë me Kinën për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare europiano-kineze.

Nga ana e tij, presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh që bota e sotme është plot me faktorë të paqartë dhe nevojitet forcimi i dialogut dhe i shkëmbimeve ndërmjet Evropës e Kinës, duke respektuar njëra-tjetrën dhe me një qëndrim të sinqertë.

Të tre udhëheqësit shkëmbyen mendime edhe lidhur me krizën e Ukrainës. Ursula von der Leyen dhe Emmanuel Macron e njohën palën kineze me qëndrimin e palës evropiane për këtë problem. Ata u shprehën se Kina nuk është krijuesja e krizës së Ukrainës dhe BE-ja i vlerëson përpjekjet e Pekinit për zgjidhjen politike të krizës.

Xi Jinping-u theksoi se Kina i përmbahet qëndrimit të nxitjes së bisedimeve paqësore në problemin e Ukrainës dhe u bën thirrje palëve të ndryshme të ruajnë gjakftohtësinë për të krijuar kushte për bisedimet paqësore. Tani detyra kryesore është armëpushimi. Pekini do të vazhdojë të luajë një rol aktiv për nxitjen e bisedimeve paqësore.