Zyra e Çështjeve të Tajvanit e KQ të PKK-së publikon deklaratë për "tranzitin" e Tsai Ing-wen-it në ShBA
2023-04-06 11:18:48

Foto nga VCG

Zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) publikoi të enjten një deklaratë pëe takimin ndërmjet lideres së Tajvanit Tsai Ing-wen dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Kevin McCarthy. Në vijim është teksti i plotë i deklaratës:

Liderja e Tajvanit Tsai Ing-wen u takua të enjten me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Kevin McCarthy gjatë të ashtuquajturit "tranzit" të Tsai-t  nëpër Shtetet e Bashkuara. Kjo është një tjetër lëvizje provokuese nga autoritetet e Partisë Demokratike Progresive (DPP) të Tajvanit për të bashkëpunuar më tej me Shtetet e Bashkuara dhe "për t'u mbështetur te ShBA-ja për të kërkuar pavarësinë". Ne shprehim dënimin tonë të fortë, do të marrim masa të vendosura për të ndëshkuar forcat separatiste që kërkojnë "pavarësinë e Tajvanit" e sjelljen e tyre dhe do të mbrojmë vendosmërisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës.

Për disa kohë, autoritetet e DPP-së e kanë gjykuar keq gjendjen, duke menduar që konkurrenca strategjike ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara ofron mundësi "për t'u mbështetur te ShBA-ja për të kërkuar pavarësinë", dhe janë bashkuar në mënyrë të paskrupullt me forcat e jashtme. Ato kanë iluzionin se, duke u mbështetur te Shtetet e Bashkuara, mund të veprojnë në mënyrë edhe më të shfrenuar në përpjekjet e tyre provokuese për të kërkuar "pavarësi" dhe për të tradhtuar interesat e kombit kinez. "Tranziti" i Tsai-t nuk është asgjë më shumë se një mbulim i skemave për kërkimin e "pavarësisë".

Arritja e ribashkimit të plotë të Kinës është një aspiratë e përbashkët e të gjithë bijve dhe bijave të kombit kinez dhe një pjesë thelbësore e rilindjes kombëtare. Kina duhet dhe sigurisht do të ribashkohet. Si mundet forcat separatiste që kërkojnë"pavarësinë e Tajvanit" të ndalojnë rrotën e historisë? Tsai dhe autoritetet e DPP-së, duke u nisur nga motivet egoiste të DPP-së, mbajnë pozicionin e gabuar të "pavarësisë së Tajvanit" dhe shërbejnë si një mjet për forcat antikineze në Shtetet e Bashkuara për të frenuar Kinën. Megjithatë, veprimet e tyre nuk mund ta ndryshojnë kurrë faktin se Tajvani është pjesë e Kinës dhe vetëm sa do të shtyjnë Tajvanin në prag të luftës dhe do t'u sjellin vuajtje të mëdha bashkatdhetarëve tajvanezë.

Në botë ka vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e Kinës. Parimi i "Një Kine" është një normë e njohur universalisht e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një konsensus i pranuar nga bashkësia ndërkombëtare. Zgjidhja e çështjes së Tajvanit i takon popullit kinez dhe është një punë e brendshme e Kinës, ku nuk lejohet ndërhyrja e huaj. Pala amerikane vazhdimisht e errëson dhe e cenon parimin e "Një Kine" dhe shkel rëndë premtimin e saj serioz politik që ka bërë në tre komunikatet e përbashkëta kino-amerikane. Ajo përsërit gjithashtu veprimet dhe komentet e gabuara lidhur me çështjen e Tajvanit dhe u dërgon sinjale seriozisht të gabuara forcave që kërkojnë "pavarësinë e Tajvanit". Megjithatë, çfarëdo veprimi që ndërmerret nga forcat antikineze në Shtetet e Bashkuara për "ta përdorur Tajvanin për ta frenuar Kinën" ose "për ta frenuar Kinën duke mbështetur Tajvanin", nuk do ta ndalojë procesin historik

Ne u kërkojmë autoriteteve të DPP-së të heqin dorë plotësisht nga skemat separatiste që kërkojnë "pavarësinë e Tajvanit" dhe të ndalojnë ecjen, deri në pikën e moskthimit, në rrugën pa krye të "mbështetjes te ShBA-ja për të kërkuar pavarësinë". Çdo veprim që kërkon "pavarësinë e Tajvanit" do të shkatërrohet nga forca e fuqishme kundër ndarjes dhe pro ribashkimit e popullit kinez.