Xi Jinping-u dhe Emmanuel Macron-i zhvillojnë bisedime
2023-04-06 17:25:58

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të enjten pasdite, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime në Pekin me homologun e tij francez Emmanuel Macron, që ndodhet për vizitë në Kinë.

Xi Jinping-u mirëpriti vizitën përsëri të Macron-it në Kinë pas më shumë se tre vjetëve. Ai tha se, gjatë kësaj periudhe, situata ndërkombëtare ka ndryshuar shumë. Me përpjekjet e përbashkëta të të dy palëve, marrëdhëniet kino-franceze kanë ruajtur prirjen e zhvillimit aktiv e të qëndrueshëm. "Ne kemi mbajtur kontakte të ngushta strategjike në mënyra të ndryshme. Kina dhe Franca e kanë përkrahur njëra-tjetrën në luftën kundër pandemisë dhe vëllimi i tregtisë dypalëshe ka pasur rritje të shpejtë. Bashkëpunimi dypalësh në fushat e aviacionit e të fluturimeve hapësinore, të produkteve bujqësore etj., ka pasur arritje të rëndësishme. Të dy vendet kanë mbajtur gjithashtu shkëmbime e bashkëpunim të ngushtë për çështje si ndryshimet klimatike, biodiversiteti, zhvillimi i Afrikës etj.," tha kreu i shtetit i Kinës.

Xi shtoi se bota po njeh ndryshime të thella historike. Si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy vende me një traditë pavarësie, si edhe si përkrahëse të vendosura të multilateralizmit dhe demokratizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Kina dhe Franca kanë aftësi dhe përgjegjësi për kapërcimin e mosmarrëveshjeve e kufizimeve, për zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme të partneritetit të gjithanshëm strategjik me përfitime të përbashkëta dhe për zbatimin e multilateralizmit për të mbrojtur paqen, qëndrueshmërinë e lulëzimin e botës.

Xi Jinping-u shprehu po ashtu bindjen që vizita e presidentit Macron në Kinë do t'i sjellë energji e mundësi të reja zhvillimit të marrëdhënieve kino-evropiane. (Fani)