Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”/ Foto nga Instagrami
Përfundoi me sukses në Tiranë edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, ku fituesi për vitin 2023 është tenori kinez Chuan Wang.
Chuan Wang ka kryer studimet në Konservatorin e Guangzhou-t të Kinës, ku është diplomuar në vitin 2012. Karrierën e tij artistike ai e ka zhvilluar në Itali, ku falë suksesit është ngjitur deri në “La Scala”.
Chuan Wang Fitues i çmimit të parë në edicionin e 19-të të Festivalit Marie Kraja (Foto nga instagrami)
Në një garë të fortë mes artistëve ndërkombëtarë, u pozicionua në vendin e dytë sopranoja shqiptare Suada Gjergji. Ky çmim vjen pas një tjetër suksesi të saj në mars, ku u vlerësua në edicionin e 77-të të konkursit “Comunita Europea”, mes 100 të rinjve nga e gjithë Europa.
Çmimin e tretë në Festivalin Operistik “Marie Kraja” e fitoi sopranoja nga Gjermania Johanna Will. Ndërsa gara e këngës fituese ishte për sopranon nga Uashingtoni Catherine Wethington dhe shqiptaren Era Rusi.
Në këtë garë sa të fortë, aq emocionuese, por edhe të bukur, publiku arriti të shijonte përtej arieve klasike që sollën artistët konkurrentë edhe duetet e mrekullueshme me artistët më të mirë të muzikës së lehtë shqiptare, emrat më të njohur si, Aurela Gaçe, Kamela Islamaj, Era Rusi, Venera Lumani, Juliana Pasha, Eneda Tarifa, etj.
Johanna Will soprano nga Gjermania -çmimi i tretë në Marije Kraja edicioni i 19 -të të Festivalit Marie Kraja (Foto nga instagrami)
Edicioni i 19-të i Festivalit Operistik “Marie Kraja” u mbyll me një sukses të jashtëzakonshëm, me pjesëmarrjen e artistëve nga katër kontinente, duke treguar seriozitet dhe vijimësinë e kësaj tradite kaq të bukur me nivel ndërkombëtar. Juria e përbërë nga 11 personalitete të artit shqiptar e ndërkombëtar, drejtues të teatrove të njohur europianë, ishin pjesë e vendimmarrjes për vlerësimin e konkurentëve përgjatë këtij eventi të mbajtur në datat 29, 30 dhe 31 mars 2023. Drejtori Artistik i Festivalit i cili erdhi nga Anglia, Martin Andre dirigjoi Orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ky spektakël u transmetua drejtpërdrejtë nga Televizioni Kombëtar Top Channel në prezantimin e gazetarit Blendi Salaj dhe sopranos Enkeleda Kamani.
Festivali Ndërkombëtar i Artistëve të Muzikës Operistike “Marie Kraja” ka nisur edicionin e tij të parë në vitin 1999, si një nismë kjo e drejtores Zana Çela, duke u rritur profesionalisht vit pas viti, e tashmë në edicionin e 19-të i kaloi mbi 300 konkurentë që aplikuan nga e gjithë bota.
Foto nga instagrami
Një tjetër pjesmarrëse në Festivalin “Marie Kraja” ishte dhe sopranoja kineze Heming Li, e cila rrëfeu këtë eksperiencë në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani.
CMG: Përshëndetje Heming Li! Më thuaj diçka për veten, për vendin tënd?
Heming Li: Përshëndetje! Unë jam kineze. Jetoj në Londër. Vitin e kaluar u diplomova në Kolegjin e Muzikës dhe tani jam pranuar në Operan Kombëtare të Londrës ku do filloj punën së shpejti.
CMG: Si u njohe me festivalin “Marie Kraja” në të cilin sapo konkurove?
Heming Li: Dëgjova për të dhe hyra në websiten zyrtar të këtij konkursi. Më pëlqeu, sepse konkuruesit janë të një niveli të lartë dhe është mundësia për bashkëpunime, kështu që vendosa të marr pjesë.
Heming Li finaliste nga Kina në Festivalin Marije Kraja edicioni i 19 -të Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”
CMG: Kishe dëgjuar për Shqipërinë përpara se të vije tek “Marie Kraja “?
Heming Li: Po. E njoh Shqipërinë. Në Kinë jemi si vëllezër e motra, të afërt dhe ndjehem mes miqsh këtu, të gjithë janë të sjellshëm, miqësorë. Më pëlqen atmosfera këtu.
CMG: E mendon mundësinë për të ardhur përsëri në Shqipëri, me krijimtari në Teatrin Kombëtar të Operas?
Heming Li: Në të ardhmen? Po. Shpresoj dhe do më pëlqente të rikthehesha, sepse opera është karriera ime dhe më pëlqeu muzika e atmosfera këtu, në Shqipëri.
CMG: Do na pëlqente të të shihnim në skenë përsëri. Një përshëndetje për Radio Ejani,. Çfarë do thoni për dëgjuesit që na ndjekin në këto momente?
Heming Li: Dua t’ju them më shumë këngëtarëve kinezë sidomos këngëtarëve të operas, që ky konkurs është një mundësi shumë e mirë për të performuar në skenë, ia vlen, është një eksperiencë fantastike. Inkurajoj të rinjtë kinezë që të vijnë këtu dhe të shohin këngëtarët operistikë të vendeve të tjera.
CMG: Faleminderit! Ishte kënaqësi. Ju uroj suksese!
Heming Li: Faleminderit!
Heming Li Finaliste nga Kina (Foto nga Instagrami)
Sopranoja kineze Heming Li ka studiuar në Kolegjin Mbretëror të Muzikës në Londër, për "Master of Performance" me Justin Lavender. Ajo ka studiuar gjithashtu master në Universitetin e Birminghamit, ndërsa diplomën e saj bachelor e ka marrë në Konservatorin e Muzikës në Kinë. Ajo ka studiuar tek sopranoja angleze Rita Cullis, tenori britanik Justin Lavender, profesori Nick Sears dhe sopranoja italiane Luciana Serra. Li organizoi një recital diplomimi në vitin 2019 në Institutin e Arteve të Bukura Barber në Birmingham. Li u zgjodh për Programin e Trajnimit të Talenteve Vokale në Kinë për vitin 2020 në "Shenzhen Singing Festival". Ajo fitoi Çmimin e Argjendtë në Divizionin e Pekinit të Konkursit të 10-të Vokal të Kinës Golden Bell në vitin 2015. Heming është ftuar të marrë pjesë në shfaqjet e CCTV-Music dhe CCTV-3. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë aktive në shfaqjet e Federatës Rinore të Kinës. Ndërsa pjesëmarrja e saj e fundit është konkurimi në Festivalin Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” në Shqipëri, ku arriti deri në finale.
Intervistoi: Sava Lena