Xi Jinping-u dhe Emmanuel Macron-i zhvillojnë konferencë të përbashkët shtypi
2023-04-06 21:24:01

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të enjten, pas bisedimeve në Pekin, presidenti kinez Xi Jinpin dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron zhvilluan një konferencë të përbashkët shtypi.

Xi Jinping-u vuri në dukje se, në bisedimet e sapopërfunduara, të dy presidentët ishin të një mendimi që, si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy vende me një traditë pavarësie, Kina e Franca duhet t'u përmbahen marrëdhënieve të qëndrueshme të partneritetit të gjithanshëm strategjik me përfitime të përbashkëta, për t'u sjellë marrëdhënieve kino-evropiane gjallëri të re, duke dhënë kontribut të ri për përballimin e sfidave globale nga bashkësia ndërkombëtare.

Xi Jinping-u u shpreh se të dy palët vendosën njëzëri të punojnë së bashku në katër fusha.

Së pari, për ruajtjen e qëndrueshmërisë së marrëdhënieve dypalëshe dhe të kontakteve të ngushta ndërmjet liderëve të të dy vendeve. Sivjet do të zhvillohet mbledhja dypalëshe për çështjet strategjike, financiare e të shkëmbimeve njerëzore sipas mekanizmit të dialogut të nivelit të lartë. Po ashtu, do të rinisin sa më parë shkëmbimet ndërmjet organeve ligjvënëse dhe ushtrive të dy vendeve. Të dy palët ritheksojnë respektimin e sovranitetit e të tërësisë territoriale dhe të interesave thelbësore të njëra-tjetrës.

Së dyti, ndjekja e zhvillimit me përfitime të përbashkëta. Kina dhe Franca do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e aviacionit e të fluturimeve hapësinore, të energjisë bërthamore civile, të zhvillimit të gjelbër, të risive tekniko-shkencore etj. Kina do të promovojë hapjen me botën e jashtme dhe do të ndajë me vendet e ndryshme mundësitë e reja që ofron zhvillimi i vet. Të dy vendet do të krijojnë një mjedis të barabartë biznesi për sipërmarrjet e njëra - tjetrës.

Së treti, rifillimi i shkëmbimeve njerëzore. Viti 2024 do të jetë 60-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës e Francës dhe Viti i Kulturës e i Turizmit Kinë-Francë. Me këtë rast, të dy vendet do të nxitin shkëmbimet në fusha të ndryshme, si kulturë, arsim, mësimin e gjuhëve, botime, kinematografi, turizëm, në nivel pushteti vendor, shkëmbime rinore etj. Me rastin e Lojërave Olimpike të Parisit 2024, të dy vendet do të thellojnë bashkëpunimin sportiv.

Së fundmi, mbështetja e ndërsjellë. Kina dhe Franca duhet të përkrahin njëra-tjetrën, multilateralizmin botëror dhe demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, si edhe të kundërshtojnë Luftën e Ftohtë dhe përballjen mes kampeve.