“Harta e lumturisë” lehtëson jetesën në Shangai
2023-04-06 14:27:14


Foto nga VCG

Ndërsa Shangai shpesh konsiderohet si një nga qytetet më të jetueshme në Kinë, autoritetet lokale kanë punuar për të nxitur përmirësime të mëtejshme duke përdorur konceptin e qarkut 15-minutësh të jetës së komunitetit.

Koncepti i referohet vënies në dispozicion të një shumëllojshmërie të gjerë mallrash dhe shërbimesh brenda një shëtitjeje prej 15 minutash. Në këtë ambient janë përfshirë biznese që ofrojnë nevoja që lidhen me jetën e përditshme, punën, studimin, udhëtimin, kujdesin për të moshuarit dhe shumë më tepër.

I konceptuar për herë të parë në vitin 2014, projekti është zbatuar që nga viti 2019, kur autoritetet filluan provat në zonat urbane. Qëllimi është që qarqet e jetës në komunitet të bëhen të aksesueshme për 99 për qind të popullsisë deri në vitin 2035, sipas masterplanit të qytetit.

Ndër ata që kanë përfituar është dhe Liu Jin, një pensioniste nga Shangai në të 60-at e saj, e cila jeton në Jing'an në qendër të qytetit.

Deri kohët e fundit, Liu merrte me vete nipin e saj 2-vjeçar sa herë që duhej të shkonte për kontrollin e rregullt shëndetësor në spital. Por, jeta e saj është bërë shumë më e lehtë me hapjen e fundit të një institucioni të kujdesit për fëmijët në nëndistriktin Jiangning pranë shtëpisë së saj.

Ndryshe nga qendrat konvencionale të kujdesit për fëmijët, ky institucion i drejtuar nga qeveria ofron shërbime të kujdesit në blloqe treorëshe, duke bërë të mundur qëndrime të shkurtra, gjë që është një zgjidhje ideale për njerëz si Liu. Për më tepër, 12 seancat e para janë falas.

Yu Wenjun, drejtor i zyrës qeveritare të nëndistriktit Jiangning, tha se një nga qasjet kryesore për të krijuar një qark 15-minutësh të jetës së komunitetit është konsideruar si një “hartë e lumturisë”, ku shënohen shërbimet komunitare që banorët kanë kërkuar.

“Bazuar në sondazhet tona, ne zbuluam se shumë gjyshër janë të angazhuar duke u kujdesur për nipërit dhe mbesat e tyre. Ndaj, ata mezi e gjejnë kohën të merren me veten, si për shembull të shkojnë në parukeri apo te mjeku”,- tha Yu.

Sipas tij, shumica e qendrave të reja të kujdesit për fëmijët janë të vendosura brenda ambienteve të tilla si qendra komunitare të kujdesit për të moshuarit, qendrat e shërbimit të kopshteve dhe hapësirat e komunitetit, ku organizohen aktivitete të ndryshme.

Sipas Zyrës së Planifikimit Urban dhe Burimeve Natyrore të Shangait, qyteti ka një plan gjithëpërfshirës me qindra projekte që lidhen me qarqet 15-minutëshe të jetës së komunitetit.

“Më shumë se 180 projekte janë përfunduar dhe ato kanë përmirësuar mjedisin dhe shërbimet e komunitetit”,- tha Xu Yisong, ish-drejtor i zyrës, gjatë Sezonit të Artit të Hapësirës Urbane të Shangait 2021, ekspozita dyvjeçare e artit dhe dizajnit të qytetit, e cila kishte si temë pikërisht këto koncepte.

Krijimi i qarqeve 15-minutëshe të jetës së komunitetit plotësohet nga zgjerimi i sistemit të transportit publik të qytetit, duke u mundësuar banorëve të lëvizin më me lehtësi.  Në Shangai është krijuar rrjeti më i madh i metrosë në botë, i cili përfshin 831 kilometra rrugë metroje. Banorët në çdo pjesë të megaqytetit tani mund të hyjnë në një stacion metroje brenda 15 minutash në këmbë.

Qyteti gjithashtu filloi vitin e kaluar një projekt për rritjen e hapësirave të gjelbra dhe parqeve në 1000 deri në fund të vitit 2025. Projekti përfshin ndërtimin e rreth 300 parqeve të vogla, të cilat janë mini kopshte dhe zona të gjelbra në cepat e rrugëve, zona industriale dhe midis komplekseve të apartamenteve.

Hapësira të tjera të gjelbra publike që janë përhapur në Shangai gjatë pesë viteve të fundit prej fushatës 15-minutëshe të qarkut të jetës në komunitet përfshijnë ato në zonat ujore të dy rrugëve kryesore ujore të Shangait - përroi Suzhou dhe lumi Huangpu.

“Përmirësimet në mjedis kanë qenë të dukshme. Shangai është vërtet i bukur në atë që përmbush dhe atë që premton”,- deklaroi Guan Wenqin, një 35-vjeçar që punon në një ndërtesë me zyra në zonën Jing'an.