“Muza Competition”, të bësh biznes me trashëgiminë kulturore
2023-04-05 10:35:55


Pas suksesit në edicionin e parë, Muza Competition rikthehet në sezonin e dytë. Një projekt i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, i cili përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetëzimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajnit me mundësi për hapjen e bizneseve të reja.

Logo e Muza Competition (Foto Revisza Bordo)

Logo e Muza Competition (Foto Revisza Bordo)

Andriola Kambo, Drejtore Ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon tregon për mediat se si lindi ideja për këtë projekt të rendësishëm, ku fituesve u ofrohen çmime deri në 20 mijë euro.

“Ideja ka lindur shumë spontanisht. Në udhëtimet e mia të shpeshta nëpër rajon, unë pata fat që takova një zonjë në Komunën e Tuzit, që quhet nënë Tolja, e cila ishte e vetmja në Malësinë e madhe që mbante ende gjallë dhe bënte xhubletën. Në një takim me nënë Tolen dhe familjarë të saj po i pyesja nga kurioziteti që e ke të trashëguar, apo ta ka mësuar dikush tjetër këtë pasion.  Jo më tha, sepse është pak i paguar është një punë e lodhshme kurse të rinjtë nuk e duan këtë profesion. Unë me profesion jam historiane dhe thashë si ta shohim trashëgiminë kulturore tashmë si një mundësi ekonomike. Shkrova projektet dhe ideja ishte se si ne t’i japim një ide biznesi të rinjve, t’i stimulojmë dhe t’i orientojmë drejt trashëgimisë kulturore që ta shohim atë si një mundësi ekonomike. Ndodhi kur nuk kisha këtë lloj pritshmërie që do kishim aplikim dhe përqafim të idesë në mënyrë të menjëhershme sepse ishte hera e parë. Projekte të tilla ka patur në harkun kohor nga 1990, por ta shohësh këtë në trashëgiminë kulturore në atë moderne, ishte hera e pare”shprehet Kambo.

Sfilata e Muza Competition (Foto Gazeta Metro)

Sfilata e Muza Competition (Foto Gazeta Metro)

Nisja e një gare të tillë nuk ka qenë e lehtë për organizatorët

“Shumë e vështirë, sepse  ishte një rrugë që nuk e njihja më pare. Vetëm në fazën e parë të aplikimeve ka pasur 350 aplikime  që nuk vinin vetëm nga Tirana, por madje dhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. 350 aplikime për 10 fitues nuk është pak. Kjo tregoi që ne kemi pasur nevojë për ide të reja, inovacion dhe të rinjtë tanë janë të talentuar, por u mungon orientimi në treg. Nëse sjell diçka të bukur, i stimulon ata që janë krijues dhe përshtaten idetë  e tyre”, thekson Kambo.

Juria dhe pjsmarës të Miza Competition edicioni i parë (Foto Tirana post)

Juria dhe pjsmarës të Miza Competition edicioni i parë (Foto Tirana post)

Të rinjtë përveç se motivohen pasi marrin çmime, orientohen edhe në ndërtimin e biznesit.

“Vjet sollëm dhe trajnime në fushën e trashëgimisë kulturore dhe si mos të abuzojmë me elementin e trashëgimisë nëse ne marrim një element nga xhubleta, sepse është shumë e rëndësishme  të ruajmë realitetin. Ka një interes shumë të madh dhe këtë vit ne do shtojmë ciklet e trajnimeve, jo vetëm në pjesën e trashëgimisë. Tashmë do fusim edhe disa elementë të tjerë te ekonomisë, si të dijë të orientohet në një plan biznesi, hapat për të hapur një biznes, si të ulim riskun para se të dalë në treg dhe besoj që do jetë diçka që është e dobishme. Unë  e pashë nga eksperienca e parë dhe do jetë jo vetëm e dobishme, por do t’u shërbejë të rinjve për të hapur bizneset dhe brendet e tyre”, bëri të ditur Kambo.

Organizatorija Adriola Kambo (Foto Klan TV)

Organizatorija Adriola Kambo (Foto Klan TV)

Për të marrë pjesë në “Muza Competition” nuk është kusht të kesh studiuar në këtë fushë, por mjafton të jesh krijues. Cilat janë kriteret e pjesmarrjes në këtë garë?

“Sapo janë hapur aplikimet. Duhet të jesh nga 18 deri në 36-vjeç, elementet e trashëgimisë kulturore t’i sjellësh në atë moderne, të jesh krijues dhe të kesh përgjegjësi për punën që po aplikon. Nga eksperienca që ne kemi pasur vjet,  disa të rinj nuk kishin fare lidhje me dizajnin, por kishin ide, ishin shumë novatorë dhe  sillnin diçka në mënyrë shumë të bukur dhe origjinale. Ne nuk kemi vendosur prioritet këto, apo kriter klasifikues, por e kemi lënë të hapur që çdo i ri që ka një ide dhe do të përfshihet në trashëgiminë kulturore për ta sjellë atë në moderne, pse jo? Në fakt qëllimi i gjithë këtij projekti,  është se nëpërmjet elementeve të trashëgimisë kulturore promovojmë turizmin dhe zona të caktuara rajonale. Ky është objektivi kryesor dhe si t’i kthejmë këta të rinj me bizneset e tyre  në promotorë të një zone të caktuar. Nëse flasim për kulturën për zonën e Hasit që ka një pasuri të bukur të trashëgimisë kulturore,  nëpërmjet saj u prezanton turistëve edhe trashëgiminë por dhe punën tënde”, vuri në dukje ajo

“Muza Competition” është ndarë në tre faza. Gjatë  fazës së parë do të pranohen të gjitha aplikimet që do të shqyrtohen nga një juri profesioniste. Vetëm një pjesë e tyre do të mund të kalojnë në fazën e dytë.  Gjatë fazës së dytë, juria do të dëgjojë prezantimet nga çdo aplikant dhe do të bëjë një përzgjedhje ku vetëm 10 prej tyre do të kalojnë në fazën e fundit. Ky takim synon t’u ofrojë të rinjve mundësinë të takojnë personalitete që punojnë për një kohë të gjatë në këtë sektor dhe që mund të transmetojnë njohuritë e tyre në një mënyrë tjetër, duke forcuar njëkohësisht motivimin e të rinjve në sektorin e ekonomive kreative. Finalja e madhe do të mbledhë të gjitha trevat shqipfolëse në Tiranë në muajin qershor  të këtij vit, ku 10 finalistët do të mund të shfaqin koleksionin e tyre në një spektakël madhështor, i cili do të kurorëzojë dhe fituesin e madh.  Çmimet fituese variojnë prej shumave 20 mijë, 10 mijë dhe 5 mijë euro përkatësisht për vendin e pare, të dytë dhe të tretë të “Muza Competition”