Eksperti kinez: Mbajtja e maskave në publik mund të lehtësohet
2023-04-05 13:24:26

VCG

VCG

Një ekspert kinez i shëndetit sugjeron relaksimin e mbajtjes së detyrueshme të maskës në publik, përveç qendrave të kujdesit për të moshuarit dhe objekteve të tjera me rrezik të lartë, pasi pandemia globale Covid-19 po i afrohet fundit dhe infeksionet e gripit vendas po bien, raportoi “China Daily” të martën.

Epidemia në rënie në muajt e fundit ka shkaktuar diskutime për heqjen e maskave të fytyrës në një hap drejt rivendosjes së plotë të jetës normale.

Vendimi për të mbajtur maska mund t'u lihet individëve kur vizitojnë vende që nuk kërkojnë përdorim të detyrueshëm të maskave, citohet të ketë thënë Wu Zunyou, shefi epidemiolog në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Sipas të dhënave më të fundit të lëshuara nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, numri i rasteve të reja pozitive me Covid-19 kishte rënë në më pak se 3000 të enjten, afërsisht i njëjti nivel me tetorin përpara shfaqjes së një shpërthimi të madh që arriti kulmin në fund të dhjetorit.

Këto raste të reja pozitive u zbuluan kryesisht përmes testimit proaktiv dhe shumica e tyre nuk ishin infektuar gjatë valës së mëparshme, tha Wu, duke shtuar se gjithashtu nuk kishte vdekje të reja të lidhura me Covid 19 për disa javë rresht.

“Është e sigurt të thuhet se kjo valë e epidemisë së brendshme në thelb ka përfunduar”,- tha ai.

VCG

VCG

Në nivel global, Wu tha se infeksionet javore dhe vdekjet nga Covid-19 kishin rënë në nivele rekord muajin e kaluar që nga shfaqja e pandemisë në fund të vitit 2019, duke sugjeruar që edhe pandemia po i afrohet fundit. Për sa i përket sezonit të gripit të këtij viti, Wu tha se shkalla e pozitivitetit të gripit është stabilizuar në tri javët e fundit dhe rastet e reja do të vazhdojnë të bien ndërsa moti bëhet më i ngrohtë.

Megjithatë, individët janë ende të detyruar të mbajnë maska në vende të caktuara, si qendra të kujdesit për të moshuarit e spitale, tha epidemiologu. (Elona)