Ministeriali, Meloni: Integrimi i Ballkanit Perëndimor, investim strategjik për sigurinë e Evropës
2023-04-05 13:09:32

Ministrat e Ballkanit (Foto RTSH)

Ministrat e Ballkanit (Foto RTSH)

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i është drejtuar me një mesazh takimit ministror për Ballkanin Perëndimor mbajtur në Romë, ku të pranishëm ishin  ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, ministri i Jashtëm suedez, Tobias Billström, si president i Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe eurokomisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Varhelyi.

Në mesazhin e saj, kryeministrja italiane tha se një përshpejtim i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të rriste stabilitetin. Në mesazhin e saj hapës, Meloni vuri në dukje se Ballkani Perëndimor ka qenë gjithmonë me rëndësi strategjike për Italinë, citon “RTSH”. 

Qeveria italiane, theksoi ajo, synon të forcojë lidhjet politike, ekonomike dhe kulturore me këto kombe, pasi çdo gjë që ndodh përtej Adriatikut në mënyrë të pashmangshme ka një reflektim të menjëhershëm mbi Italinë.

“Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor është një investim strategjik për vetë sigurinë e Evropës dhe stabilitetin të zonës, aq më tepër në kontekstin aktual ndërkombëtar dhe në dritën e ekspozimit në rritje ndaj kërcënimeve hibride dhe kibernetike. Italia është kontribuuesi kryesor evropian për sigurinë e rajonit me misionet KFOR, EUFOR, ALTHEA, dhe synon të vazhdojë në këtë drejtim me vendosmëri të madhe. Ne kemi nevojë për angazhimin e të gjithëve për të çuar përpara procesin e pajtimit rajonal dhe për të rritur përpjekjet për të kapërcyer barrierat dhe pengesat që e pengojnë rajonin të shfrytëzojë potencialin e tij”,- tha Meloni.

Takimi në Romë u orientua në promovimin e integrimit evropian të vendeve ballkanike, me Italinë që dëshiron të luajë një rol udhëheqës dhe synon të lehtësojë procesin duke nxitur dialogun si dhe investimet. (Elona)