Pas vendosjes muajin e kaluar të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës e Hondurasit, gazetarët e Grupit Mediatik të Kinës bënë një vizitë në kryeqytetin e këtij vendi Tegusigalpa, ku panë se produktet kineze janë mirëpritur gjerësisht. Shumë banorë dhe biznesmenë vendore u shprehën se produktet, si smartfonat, televizorët, laptopët, mobiliet dhe makinat e markave kineze janë me cilësi të lartë dhe çmim të arsyeshëm.
Foto:VCG
Kjo mund të vërtetohet në një supermarket për klientët me të ardhura të larta të kryeqytetit hondurian, ku gazetarët mësuan se jo vetëm smartfonat e televizorët, por edhe shumë kolltuqe që shiten këtu, janë nga Kina. Për sa u përket televizorëve, punonjësit e supermarketit thanë se produktet kineze, që kanë epërsi për sa u përket çmimeve e shërbimeve pas shitjes, shiten mirë vitet e fundit.
Jashtë aeroportit të vjetër të Tegusigalpës ka filiale dyqanesh të të paktën 16 markave të njohura të makinave nga Europa, ShBA-ja dhe Azia. Në dy muajt e fundit, shitja e makinave të markave kineze ka ecur shumë mirë.
Foto:VCG
Veturat, kamionçinat dhe furgonët e katër markave kineze, që prodhohen në Pekin, Nankin dhe Zhengzhou, kanë hyrë në tregun e Hondurasit, duke u mirëpritur prej klientëve. Tani disa ndërmarrje kineze dhe agjentët e tyre të shitjeve në Honduras kanë zhvilluar sondazhe dhe negociata për shitjen e makinave kineze me energji të re. Sipas biznesmenit vendor Ronaldo, deri në fund të këtij viti, kontingjenti i parë i makinave elektrike ose hibride mund të futet në tregun e Hondurasit. Ronaldo bëri të ditur që, si një agjent ndërkombëtar i tregtimit të makinave, ai po i shet makinat kineze në gjashtë vende të tjera të Amerikës Qendrore, ku ato gjithashtu janë mirëpritur.
Më 2 prill, ministri i Energjisë i Hondurasit, Erik Tejada, u shpreh në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës se vendi i tij planifikon të arrijë objektivin që energjitë e reja të zënë deri në 70 % të konsumit të energjisë para fundit të vitit 2030. Ai shtoi se pala honduriane dhe pala kineze kanë mundësi të mëdha bashkëpunimi lidhur me energjinë ujore dhe prodhimin e energjisë së pastër për automjetet.
Foto:VCG
“Makinat kineze kanë teknologji të përparuar dhe çmim konkurrues. Ne mirëpresim produkte të tilla që mbrojnë mjedisin dhe ndihmojnë në uljen e lëshimit të dioksidit të karbonit,” tha ministri hondurian i Energjisë.(Zhang Yan/Artan)