Përfundon faza e parë e investimit në Qendrën e Gjakut
2023-04-05 13:18:10

Ogerta Manastirliu (Foto ATSH)

Ogerta Manastirliu (Foto ATSH)

Ka përfunduar faza e parë e punimeve dhe investimit në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një inspektimi në këtë qendër tha se synimi është që i gjithë investimi së bashku me pajisjet, të përfundojë në muajin qershor të këtij viti, bën të ditur “ATSH”.

Ministrja Manastirliu foli edhe për digjitalizimin e bankave të gjakut.

“Me sistemin e ri informatik të menaxhimit të bankave të gjakut do të kemi mundësi që të kemi në kohë reale të gjithë rezervën e gjakut të evidentuar, do të kemi mundësi që fushatat tona të ndërgjegjësimit për të dhuruar gjak të jenë jo vetëm më intensive, por të kemi edhe evidenca shkencore dhe në kohë për të gjitha ata të cilët janë dhurues vullnetarë”,- nënvizoi Manastirliu.

Transformimi i qendrës së dhurimit dhe bankës të gjakut me pajisje të teknologjisë së lartë dhe riorganizim të shërbimeve janë të parashikuara në investimin që pritet të përfundojë brenda këtij viti. Ndërhyrja e plotë në strukturën e godinës do të mundësojë ngritjen e një qendre dinjitoze dhe bashkëkohore të cilësisë të lartë, e cila do të plotësohet me shërbimet laboratorike, të përpunimit dhe menaxhimit të bankës së gjakut, sipas standardeve evropiane. Investimi në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut do të rrisë edhe kapacitetet e burimeve njerëzore të shërbimit shëndetësor dhe do të çojë në një tjetër nivel edhe kërkimin shkencor në këtë fushë. (Elona)