Kryeministri Li Qiang nxit përparimin e marrëdhënieve Kinë-Japoni
2023-04-03 11:38:50

Foto nga Xinhua

Kryeministri kinez Li Qiang i bëri thirrje të dielën Japonisë të shmangë rreziqet në marrëdhëniet e saj me Kinën, të vazhdojë të zgjerojë sferën pozitive të lidhjeve dypalëshe dhe të çojë bashkërisht përpara krijimin e marrëdhënieve kino-japoneze që përmbushin kërkesat e epokës së re.

Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm japonez Yoshimasa Hayashi në Pekin, Li theksoi po ashtu që Kina e Japonia janë fqinje dhe vende të rëndësishme në Azi, duke shtuar se ruajtja dhe zhvillimi i marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit kino-japoneze jo vetëm u shërben interesave të të dy vendeve e popujve, por është edhe në dobi të paqes, qëndrueshmërisë dhe lulëzimit rajonal.

Duke vënë në dukje se më 2023 është 45-vjetori i nënshkrimit të Traktatit të Paqes dhe Miqësisë Kinë-Japoni, Li u bëri thirrje të dy palëve të respektojnë parimin e traktatit, të zgjerojnë vizionin e tyre dhe të mbeten të angazhuara për zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme, paqësore dhe miqësore ndërmjet të dy vendeve.

Kryeministri kinez shprehu shpresën e tij se Japonia do të ecë në të njëjtin drejtim me Kinën dhe do ta shikojë 45-vjetorin e nënshkrimit të traktatit si një mundësi për të forcuar dialogun e bashkëpunimin dhe për të menaxhuar si duhet dallimet.

Çështjet parimore madhore, të tilla si historia dhe çështja e Tajvanit, janë themeli politik i marrëdhënieve dypalëshe, vuri në dukje Li, duke kërkuar zgjidhje të sinqertë e të kujdesshme të tyre.

Duke vënë në dukje se Kina dhe Japonia janë vende të rëndësishme partnere ekonomike e tregtare, Li tha se të dy palët duhet të shtojnë përfitimet prej bashkëpunimit ekonomik e tregtar.

Të dy palët duhet dhe mund të zgjerojnë bashkëpunimin ekonomik e tregtar, tha kreu i qeverisë kineze, duke shtuar që duhet të forcohet bashkëpunimi në fusha të tilla si ekonomia digjitale, zhvillimi i gjelbër, financat, shëndetësia dhe shërbimet e kujdesit për të moshuarit, për të arritur një nivel më të lartë përfitimesh të ndërsjella.

Li tha se mirëpret që Japonia të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me Kinën, për të ndarë përfitimet prej zhvillimit të Kinës e për të shkruar një kapitull të ri të bashkëpunimit me dobi të ndërsjellë ndërmjet të dy vendeve.

Ai, po ashtu, shprehu shpresën që të dy vendet do të mbrojnë së bashku tregtinë e lirë, do të praktikojnë multilateralizmin e vërtetë dhe do të nxisin aktivisht procesin e integrimit rajonal.

Kryeministri kinez bëri thirrje gjithashtu për ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe funksionimit të lirshëm të zinxhirëve globalë të industrisë dhe furnizimit, duke pakësuar së bashku pasiguritë, për të dhënë kontribut në zhvillimin rajonal dhe botëror.

Hayashi, nga ana e tij, theksoi se Kina e Japonia kanë potencial të madh bashkëpunimi në një larmi fushash, duke shtuar se Tokioja është e angazhuar për nxitjen e bashkëpunimit me Pekinin.

Duke e  marrë 45-vjetorin e nënshkrimit të traktatit si një mundësi, Japonia është e gatshme të punojë me Kinën për të mbajtur shkëmbimet e nivelit të lartë, për të vijuar dialogun e komunikimin dhe për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive e të qëndrueshme Japoni-Kinë, shtoi ai.