Shqipëria 14 vite në NATO
2023-04-03 10:43:44

 (Foto nga Facebook presidenti i Shqiperise Bajram Begaj)

Shqipëria shënon 14-vjetorin e anëtarësimit në NATO. Ajo u anëtarësua zyrtarisht në aleancën ushtarake më 1 prill 2009.

Më 4 prill 2009 Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasburg, ndërsa më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Presidenti Bajram Begaj, lidhur me këtë ditë të rëndësishme në historinë e vendit, shkruan se Shqipëria është krenare që kontribuon për paqen dhe sigurinë.

“14 vjet Shqipëria në NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë”, shkruan presidenti Begaj.

Shqipëria ka ofruar kontributin e saj në operacionet ndërkombëtare të paqes të drejtuara nga NATO, por edhe nga Bashkimi Europian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Vendi është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan, ndërsa gjatë 12 viteve si pjesë e Aleancës, Ushtria e Shqipërisë është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi, që nga personeli dhe deri te pajisjet dhe mjetet ushtarake. (Fatosi)