Foto nga RTSH
“Field Museum” në Chicago, në bashkëpunim me 26 muze dhe institucione shkencore të 11 vendeve në gadishullin e Ballkanit, hapi për herë të parë muzeun “First Kings of Europe”, me më shumë se 700 objekte origjinale, të prodhuara e të jetuara më shumë se 5000 vjet më parë, në këtë rajon, shkruan “RTSH”.
Në këtë hapësirë, Shqipëria prezantohet me 17 objekte të rralla, pjesë e fondit të Muzeut Arkeologjik Tiranë, që datojnë nga shekullit VI-IV p.e.s..
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në këtë event, u shpreh krenare që trashëgimia kulturore shqiptare bëhet pjesë e një mozaiku të jashtëzakonshëm, krijuar mijëvjeçarë më parë.
Sipas saj, ky muze jo vetëm dëshmon pasurinë shqiptare, por është edhe një hap më tej në bashkëpunimin ballkanik.
Ministrja Margariti theksoi se ky event do të shfrytëzohet për të diskutuar rreth çështjeve me rëndësi për promovimin e kulturës shqiptare, duke e kthyer në një nxitës zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm. (Fatosi)