Dialogu me sipërmarrjen për pagat
2023-04-03 09:26:01

Sektori i ndertimit (Foto Albanian Construction Portal)

Sektori i ndertimit (Foto Albanian Construction Portal)

Qeveria shqiptare vijon dialogun kombëtar me sipërmarrjen për domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të pagave në sektorin privat. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, së bashku me Kryeministrin Rama dhe zv.ministren e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, zhvilluan një vizitë në një ndër sipërmarrjet e para në fushën e ndërtimit me rreth 90 të punësuar, ku bashkëbiseduan me punonjës dhe drejtues të kompanisë për rritjen e pagës minimale dhe transforminin rrënjësor të sistemit të pagave në vend.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se po ndiqet një politikë pagash e qëndrueshme dhe biznesi ka arritur një maturim të vlerësimit të kapitalit njerëzor.

“Sot jemi në kushtet kur mund të flasim për një politikë pagash më qëndrueshme. Jemi në kushte kur biznesi ka arritur një maturim që të vlerësojë që kapitali njerëzor është më i vyeri. Mund të bëjmë investime sa të duam, mund të kemi para si biznese për të bërë këto investime, por nëse nuk investojmë në njerëz nuk do marrim asnjëherë maksimumin e atyre investimeve që bëjmë. Shifrat e kohëve të fundit e tregojnë qartë këtë.”- tha  Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj me bizneset (Foto Ora News)

Ministrja Ibrahimaj me bizneset (Foto Ora News)

Nëpërmjet politikave të saj qeveria ka rritur në mënyrë të herë pas hershme pagën minimale, tha Ibrahimaj, ndërsa pohoi se ka sektorë, si ai i ndërtimit, të cilët nuk kanë pritur vendimin e qeverisë për të rritur pagat për punonjësit, por e kanë bërë më parë këtë gjë.

“Nëpërmjet politikave tona kemi rritur në mënyrë të herë pas hershme pagën minimale, por ka disa sektorë specifikë të cilët realisht nuk paguhen me pagë minimale dhe shifrat e kompanisë Kika e tregojnë qartë këtë. Me pagë minimale sot në kompaninë ku ndodhemi janë vetëm 4 punonjës nga 90 punonjës që punojnë këtu, sepse kjo kompani vlerëson punonjësit e vet dhe ky sektor nuk ka më paga minimale. Nëse do të shohim shifrat e të gjithë sektorit, janë 5930 kompani të cilat punojnë në sektorin e ndërtimit, i cili në këtë moment është në lulëzim qoftë prej politikave të ndjekura nga ne, qoftë prej procesit të madh të rindërtimit, që i dha një hov këtij sektori. Në 5930 kompani, janë 32 % e punonjësve që paguhen me paga minimale. Kushtet e punës në këtë sektor janë të vështira dhe ne e dimë shumë mirë që paga është çmim, pra oferta dhe kërkesa duhet të përputhen në çmimin që paguhet, në pagën që paguhet dhe për kushtet e punës që ka ndërtimi, që janë të vështira, është e pamundur që punonjësit të paguhen me paga minimale.”- thekson Ministrja në një kompani private ndërtimi.

Ibrahimaj shpjegon arsyen se përse po shkohet drejt rritjes së pagës minimale.

“Kjo është dhe arsyeja pse ne e rritëm dhe bëmë një hov në rritjen e pagës minimale, nga 34 mijë lekë që është sot, nga data 1 prill, paga minimale do të jetë 40 mijë lekë sepse ne mendojmë që ka sektorë specifikë të cilët ende vuajnë nga informaliteti dhe vuajnë ende nga zarfet e dhëna nën dorë punonjësve, të cilët janë të padrejtë. Në këtë moment ne nuk mund të flasim më për zarfe pasi paga është drejtësi për punonjësit, është dinjitet për punonjësit dhe është dhe e ardhmja e punonjësve pasi në fund të fundit ajo do të përkthehet në të ardhmen në pensione dhe kontributi që jepet për pensionet është paga e sotme, ajo që ju merrni sot me pagesë të deklaruar dhe jo nën dorë.Ka dhe shumë sektorë të tjerë të cilët vijojnë të operojnë në këtë formë dhe kjo është arsyeja pse po shkojmë në të gjithë bizneset më të mira që kapërcimin e pagës e kanë bërë përpara se qeveria marrë vendim për të, biznese të cilat nuk kanë patur nevojë që të nxiten nga politikat qeveritare, por e kanë vlerësuar kapitalin njerëzor dhe do vijojnë ta vlerësojnë atë.”- tha Ministrja.

Biznese (Foto Monitor)

Biznese (Foto Monitor)

Rritja e pagës minimale do të ketë efekt zinxhir në pagat e tjera.

“Me rritjen e pagës minimale që nga 1 prilli, pagat mesatare në kompaninë ku ne jemi nga rreth 60 mijë lekë që janë sot do të shkojnë në 68 mijë lekë, pra do të ketë një kapërcim. Ne politikën e pagave nuk po e aplikojmë vetëm në sektorin privat. Kemi ndërmarrë një nismë të madhe për një reformë për pagat dhe në sektorin publik dhe është një iniciativë e guximshme, por ne mendojmë se kemi ndërtuar infrastrukturën e duhur ekonomike, e cila mund ta përballojë këtë rritje të pagave.Ne kemi marrë reformat e duhura, të cilat po japin frytet. Tashmë të ardhurat që qeveria mbledh janë mjaftueshëm më të larta se më parë, me qëllim që të arrijmë në një nivel pagash që më parë nuk mund të përballoheshin dot. Të njëjtën gjë që po bën biznesi, që po rrit dalëngadalë pagat mesatare, atë do të bëjë dhe qeveria. Për këtë reformë do të flasim në detaje më tutje.”

Ministrja nënvizoi më tej se politikat e rritjes së pagave nuk po aplikohet vetëm në sektorin privat dhe qeveria ka ndërmarrë reformën për pagat edhe në sektorin publik, pasi është ndërtuar infrastruktura e duhur ekonomike e cila mund ta përballojë rritjen e pagave.

“Ajo që duam të bëjmë nëpërmjet kësaj reforme është që të rrisim eficencën dhe efikasitetin jo vetëm të sektorit privat, i cili është duke e bërë me iniciativën e tij, por edhe të sektorit publik dhe duke rritur pagat e sektorit publik sigurisht që ne do të jemi si shtet dhe më konkurrues me sektorin privat, për të tërhequr kapitale dhe kjo do të nxisë edhe pagat e përgjithshme të sektorit privat.Dua të falënderoj të gjithë bizneset që janë bashkuar këtyre reformave përpara thirrjes sonë dhe në veçanti ju për kontributin që keni dhënë jo vetëm në ndërtimin e vendit, por edhe në ndërtimin e kapitalit njerëzor të vendit.”

Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në harkun kohor të dy viteve qeveria synon rritjen e pagës mesatare në Shqipëri në nivelin prej 900 eurosh.