Përdoruesit aktivë të IPv6 në Kinë i kalojnë 700 milionët
2023-04-03 17:34:29

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kina ka njohur përparim të ri dhe të madh në kthimin në një fuqi digjitale, me më shumë se 700 milionë përdorues aktivë të versionit 6 të Protokollit të Internetit (IPv6) deri në fund të vitit 2022 si një ndër arritjet kryesore, u vu në dukje në një konferencë shtypi të hënën përpara samitit të gjashtë "Kina Digjitale" që do të mbahet në Fuzhou të provincës juglindore kineze Fujian.

Gjithsej 2.31 milionë stacione bazë 5G ishin ndërtuar në Kinë deri në fund të vitit të kaluar, me rrjetet optike gigabit në gjendje për të arritur në më shumë se 500 milionë familje. Numri i lidhjeve të internetit të gjërave të lëvizshëm e ka kaluar numrin e përdoruesve të telefonisë së lëvizshme për herë të parë, duke e bërë Kinën vendin e parë në botë që arriti këtë pikë të rëndësishme, tha Cao Shumin, zëvendësministër i Administratës Kibernetike të Kinës.

Me 718 milionë përdorues aktivë të IPv6-s, Kina u rendit e para globalisht në dhjetor 2022, e ndjekur nga India me 495 milionë përdorues dhe ShBA-ja me 155 milionë, sipas një libri të bardhë mbi mbështetjen globale të IPv6-s të publikuar në janar.

Ekonomia digjitale e Kinës zë vendin e dytë në botë, duke u bërë ndër nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike të vendit, theksoi Cao.

Në  vitin 2022, të ardhurat operacionale të industrisë së prodhimit të informacionit elektronik arritën në 15.4 trilionë juanë (rreth 2.2 trilionë dollarë) dhe të ardhurat e biznesit të softuerëve në 10.8 trilionë juanë, duke i kaluar 10 trilionë juanët për herë të parë.

Kina nisi vjet gjithashtu një platformë të arsimit të zgjuar, duke ndërtuar rezervuarin më të madh publik në botë të burimeve arsimore dhe mësimdhënëse. Në sektorin e shëndetësisë, më tepër se 26.7 milionë shërbime telemjekësore u ofruan anembanë vendit.