Ledio Shehaj (Instagram)
Ledio Shehaj ka mbaruar studimet në Universitetin e Arteve në degën e regjisë dhe prej tre vitesh jeton në SHBA. Ai ka qenë i pasionuar që i vogël pas kinematografisë dhe televizionit dhe këtë rrugëtim po e ndjek edhe në kontinentin amerikan. Gjatë kohës që ka qenë në Shqipëri Ledio ka punuar si aktor në teatër, asistent regjisor filmi dhe në televizion. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për rrugëtimin e tij artistik si dhe projektet në të ardhmen.
CMG: Keni tre vite që jeni larguar nga Shqipëria dhe jetoni në SHBA. Keni mall për vendlindjen?
Ledio Shehaj: Mall ke edhe nëse shkëputesh një muaj sepse është familja, njerëzit më të dashur, shoqëria gjithashtu. Unë në këto tre vite që jam larguar kam ardhur çdo vit në Shqipëri. Nuk është ndonjë shkëputje shumë e gjatë, pastaj dhe fakti që mjetet e kominikimit na e bëjnë shumë të lehtë edhe mallin e kemi disi të kontrolluar tani.
CMG: Tashmë jeni një artist i kompletuar ku rrugëtimin artistik e keni nisur në Shqipëri, duke e vazhduar në SHBA? Si ju lindi pasioni për kinematografinë?
Ledio Shehaj: Janë disa elementë që evidentohen që në vegjëli. Unë kam qenë i pasionuar shumë pas kinematografisë dhe filmave që i kam ndjekur, ndërkohë në shkollë merresha me organizimin e shfaqjeve dhe aktiviteteve të ndryshme. Kur përfundova gjimnazin e pashë të udhës që të konkuroja në Universitetin e Arteve, ku në fillim studiova për regji teatri dhe më pas masterin për regji filmi. Ky ka qenë pasioni, i cili u punua mbi pasionin dhe mendoj se diku kam arritur.
CMG: Cili ka qenë angazhimi juaj në lidhje me kinemanë dhe televizionin përpara se të largoheshit në SHBA?
Ledio Shehaj: Në një periudhë pesëvjeçare pothuajse i kam prekur nga pak të gjitha. Kam punuar në teatër si aktor, në televizion si asistent regjisor, në filma si asistent regjisor dhe asistent kamera. Gjithashtu kam punuar edhe në radio si folës lajmesh, si dhe zë zyrtar në dublime. Të gjitha këto gjëra që kam bërë i dua shumë, por e preferuara ime mbi të gjitha ngelet regjia e filmit sepse ky është edhe specializimi që unë po marr këtu në vendin që jetoj dhe besoj se vazhdimi i karrierës time do jetë në regjinë e filmit.
Ledio Shehaj gjate nje spketakli (Instagram)
CMG: Sa i vështirë ka qenë integrimi juaj me jetën në SHBA si dhe në lidhje me profesionin tuaj?
Ledio Shehaj: Në lidhje me profesionin nuk ka qenë e vështirë sepse shkolla e Shqipërisë njihet dhe vlerësohet. Përgjithësisht shkollat e artit njihen kudo, por vështirësi kam pasur sepse ti shkon në një realitet tjetër dhe nuk e di mënyrën se si funksionojnë gjërat dhe në këtë pikëpamje ka qenë pak e vështirë. Pastaj për t’u integruar për punë nuk ka qenë aspak e vështirë. Pothuasje muajin e parë kam qëndruar pa punë sepse duhet që t’i gjeja fillin gjërave, por më vonë ka qenë krejt e thjeshtë.
CMG: Ju keni takuar shumë artistë të njohur shqiptarë në SHBA, ku njëri prej tyre është fotografi i njohur Fadil Berisha. Si erdhi bashkëpunimi juaj me fotografin Berisha?
Ledio Shehaj: Unë kisha menduar të realizoja diçka dhe kontaktova me Fadilin ku ai u tregua shumë i gatshëm. Ne u takuam në studion e tij në Nju Xhersi dhe arritëm që të kishim një punë bashkë dhe mendoj se është një punë e mirë për një brend veshjesh amerikane. Së shpejti do të kemi një bashkëpunim të dytë.
CMG: Ju lëvroni fotografinë dhe videografinë në artin tuaj, por cilën nga këto të dyja preferoni më shumë?
Ledio Shehaj: Të dyja e kanë bazën siç e dimë tek imazhi, por mua më pëlqen më tepër imazhi i lëvizshëm dhe prandaj është zhanri që lëvroj më shumë, por të dyja i kam eksploruar. Unë punoj si fotograf në pjesën dërrmuese të kohës këtu ku jetoj dhe pak më tepër si videograf sepse kërkoj të bëj projekte specifike dhe ato që zgjedh i bëj me shumë dëshirë. Unë i bëj të dyja me qejf, por gjithmonë më tërheq më shumë videografia ose më saktë filmi.
Ledio Shehaj gjate nje programi televiziv (Instagram)
CMG: Mendon se videografia është pak më e vështirë se fotografia?
Ledio Shehaj: Unë mendoj se sot është pothuajse njësoj sepse me këtë globalizim kaq të madh të rrjeteve sociale çdokush ka nevojë për një fotograf dhe një videograf për të reklamuar produktet e tyre dhe veten. Ka shumë të rinj të cilët janë të ingranuar në këto lloj pozicionesh dhe ka të ardhura shumë të mira, të paktën për Amerikën e Veriut të kontinentit amerikan. Pra janë të dyja po aq të njohura dhe të rëndësishme si dhe janë të dyja shumë mirë të paguara.
CMG: Kush ju ka mbështetur në rrugën tuaj të artit?
Ledio Shehaj: Në fakt shkolla e artit është një shkollë e kushtueshme sepse ke nevojë që të blesh pajisjet profesionale. Shkollat në Shqipëri kanë anën teorike shumë të mirë, por anën praktike nuk e kanë dhe aq të mirë dhe normalisht familja është kryesorja sepse të duhet një mbështetje financiare. Pra është një moment ku çdo njeri që dëshiron të studiojë dhe ndoshta nuk e ka mundësinë të punojë për të siguruar të gjitha të ardhurat. Familja ime ka qenë gjithmonë pro, jo dhe aq në fillim sepse thoshte që ka shumë aktorë dhe regjisorë nga më të mirët në Shqipëri të cilët kanë një jetë normale sot pas 50 viteve karrierë. Pra si të thuash kush donte këtë shkollë merrte riskun gjithë jetën me një nivel mesatar, nuk të jepet mundësia që të bëhesh i pasur, por pasioni dominon dhe unë ja ku jam. Familja ime pas ca kohësh është e kënaqur me zgjidhjen time.
CMG: Pas disa arritjeve që ju kishit në Shqipëri në fushën e artit a ka qenë i vështirë vendimi për largimin në SHBA?
Ledio Shehaj: Mendoj se është një vendim i vështirë kur ti ndihesh i plotësuar në vendin tënd me ato që ke arritur dhe me ato që ke potencial për të bërë se ndryshe do ishte shumë e thejshtë të udhëtoje. Çdo njeri do mendonte që kaq ishte përvoja, nuk ja dola dhe po iki. Kjo për mua ishte një lloj sfide dhe më pëlqen që ta sfidoj veten, ndaj e provova.
Ledio Shehaj.(Instagram)
CMG: Në Shqipëri ju keni punuar në radio dhe televizion. Kë do të zgjidhje nga këto të dyja?
Ledio Shehaj: Unë do zgjidhja radion sepse është më praktike dhe më pëlqen gjithmonë që mos të jemë i shfaqur, por të jem pas mikrofonave dhe kamerave.
CMG: Cilat gjëra ju mungojnë më tepër nga vendlindja?
Ledio Shehaj: Nëse flasim nga vendi im si pozicion gjeografik do thoja që asgjë sepse të gjitha ato që janë në Shqipëri mund t’i gjesh dhe këtu, por e vetmja gjë që do veçoja është familja dhe asgjë tjetër. Gjërat e tjera janë të zëvendësueshme lehtësisht.
CMG: Mbani komunikim të përhershëm me ish kolegët në Shqipëri?
Ledio Shehaj: Komunikim të përhershëm jo për faktin se ne kemi një diferencë prej gjashtë orësh dhe nuk është aq e thjeshtë sepse krijon probleme në komunikim qoftë dhe me familjarët e mi. Si pasojë e kësaj komunikim periodik jo, por komunikim përshëndetës patjetër që po. E respektojmë njëri-tjetrin dhe unë gjithmonë i kam vlerësuar miqtë dhe kolegët që kam punuar
CMG: Cilat janë projektet tuaj artistike në të ardhmen?
Ledio Shehaj: Do vazhdoj që të merrem me gjërat e mia të zakonshme me fotografinë dhe shkollimin tim këtu. Ndonjë projekt specifik nuk kam, por jam duke punuar për një skenar filmi, i cili do marrë kohë sepse një projekt i mirë do kohë që të bëhet.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Ledio Shehaj: Unë ju përshëndes të gjithëve dhe uroj që të gjithë të jenë mirë.
Intervistoi: Gazmend Agaj