“Ditët e librit” në Tiranë, tre javë takime me librin
2023-04-03 18:40:03

Ditët e librit (foto bukinist)

Ditët e librit (foto bukinist)

Libri sërish në fokus: një aktivitet i rëndësishëm kushtuar librit, ka nisur me 31 mars në Tiranë e do të vazhdojë deri më 23 prill. Në zemër të Tiranës adhuruesit e librit do të gjejnë me qindra kopertina librash, takime me autorë, quize, shpallje çmimesh si dhe oferta të mira për librat e ekspozuar.

Tashmë, “Ditët e librit” po kthehen në një traditë të bukur librore dhe kulturore. Kjo nismë shërben për ta çuar librin aty ku është dhe për t’i kthyer hapësirat publike dhe tregtare në mjedise kulturore.

Platforma më e madhe online e librit shqip, “Bukinist.al” dhe qendra tregtare “Toptani Shopping Center”, kanë vendosur të organizojnë bashkërisht për herë të dytë këtë panair libri, i cili përkon me Ditën Botërore të Librit për Fëmijë (më 2 prill) dhe me Ditën Botërore të Librit (më 23 prill).

“Ditët e librit” çmohen nga lexuesit për ofertat ekskluzive, ku kësaj radhe do të jenë mbi 110 libra cilësorë në ofertë 20-40%, të cilën lexuesit mund ta aplikojnë jo vetëm në mjediset e panairit, por edhe në pltaformën online të bukinistit.

Edhe në edicionin e këtij viti do të ketë shumë surpriza të tjera, të cilët janë për lexuesit, por edhe për autorët shqiptarë, sepse prilli është muaji i shkrimtarëve.

Në panair do të zhvillohen mjaft takime dhe biseda me të ftuar ku do t’I bëhet jehonë ngjarjeve më të rëndësishme të vitit.

Një ndër ta është çmimi i madh “Hans Christian Andersen” që jepet në Danimarkë e që Shqipëria për herë të parë e ka fituar me përkthyesin Klodian Briçi. E ndërsa përkthyesi me botuesen e Albas, Rita Petro, me datë 2 prill fluturuan për në Danimarkë për të marrë çmimin në ditën botërore që nderon Andersenin, në Tiranë gjatë kësaj dite pati biseda për librin si dhe oferta çmimesh speciale për “Përrallat e Andersenit”.

Ditët e librit (foto leximtari)

Ditët e librit (foto leximtari)

Një ndër mundësitë e mira që ofron panairi i këtij viti është mundësia për të blerë koleksione të mirë librash, përmes çmimeve të mirë. Kësaj radhe autori i muajit do të jetë Uilliam Shekspiri, për të cilin shtëpia botuese “Argeta LMG” sjell krijimtarinë e plotë, të përkthyer mjeshtrisht nga Skënder Luarasi. Pjesë e botimeve do të jetë edhe pakoja magjike me 10-vëllime, e cila mund të jetë një zgjidhje fantastike për dhuratë për shekspirdashësit.

Ndër autorët shqiptarë me tituj dhe çmime të mirë vijnë autorët shqiptarë si Ismail Kadare dhe Martin Camaj, ndërsa si autore e letërsisë për fëmijë Rudina Çupi, një autore e njohur e letërsisë bashkëkohore shqiptare për fëmijë, do të jetë prezente në panair së bashku me 12 titujt e saj, në pritje të takimeve me lexuesit e vegjël.

Nuk ka sesi të mungojë në evente të tilla edhe krijimtaria e “mbretëreshës së bestseller-it”, Colleen Hoover, hedhur në qarkullim nga Botimet Living, e cila do të jetë në ofertë speciale përgjatë 24 ditëve të këtij panairi.

Edhe seria e botimeve të biznesit, shkruar nga mentori i shquar i financave personale dhe investimeve, Robert Kiyosaki do të jetë në një kënd të përzgjedhur. Autorët klasikë si Erich Maria Remarque, Fjodor Dostojevski, dhe Gabriel Garcia Marquez do të jenë në fokusin e këtij eventi me veprat e tyre në shqip, të cilat do të jenë me ulje.

Ndërsa autorët bashkëkohorë si Lucinda Riley, Yuval Noah Harari dhe Paulo Coelho do të jenë në fokusin e organizatorëve por edhe të lexuesve. Ky i fundit vjen me një libër të ri, “Shigjetari” për lexuesit shqiptarë, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Toena”. Surprizë e bukur do të jetë edhe prania e librit të Prince Harry, “Spare – Në hije”, botuar nga “Uegen”

Ndërkohë vogëlushët kësaj radhe do të gjejnë në ofertë speciale edhe librat e David Ëalliams, serinë e Jeronim Stiltonit, kapiten Brekushin, ditaret e Gregut, dhe serinë fatastike të përrallave “1001 netë”.

Ditët e librit (foto origjinale cmg)

Ditët e librit (foto origjinale cmg)

“Ditët e librit” përkon me përmbylljen e votimit për librin për të mirë të vitit 2022 në gjashtë kategoritë: Libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri studimor dhe libri i biznesit dhe zhvillimit personal. Gjatë ditëve të panairit do të dalin edhe çmimet përkatëse.

Përgjatë këtyre javëve do të ketë të ftuar edhe autorë shqiptarë të letërsisë për fëmijë, poetë, romancierë, por edhe autorë të tjerë të librave non-fiction. Interesante është ideja për të organizuar lojëra, quize si dhe prani publike të personaliteteve publike, të cilët do të jenë prezent gjatë gjithë ditëve të panairit, duke ndarë mesazhe pro librit dhe leximit, sidomos për fëmijët dhe brezat e rinj.

Në këtë mënyrë “Ditët e Librit” kthehen në një festë të madhe 3-javore për autorët të cilët kanë mundësi të takojnë lexuesit e tyre dhe të ndajnë autografe, ndërsa lexuesit mund të gjejnë librat që i kanë kërkuar prej kohësh, me çmime mjaft të favorshme.   

Neritana Kraja