Ermal Pepa pianist, tenor dhe drejtues i bandës muzikore të Aurela Gaçes
2023-04-02 10:46:39

Artisti Ermal Pepa ka mbaruar studimet e larta për kanto në Universitetin e Arteve në Tiranë, por  ka filluar mësimet fillestare të pianos që në moshën 5 vjeçare dhe ky është pasioni i parë i cili vazhdon ta shoqërojë edhe sot. Prej shumë vitesh ai është drejtues i bandës muzikore të këngëtares Aurela Gaçe, gjithashtu edhe i shumë artistëve të tjerë. Ermali ka marë pjesë në disa festivale muzikore, por materiali muzikor interpretuar nga ai dhe vëllai Landi, ka qenë kënga "Si ta pranoj" dedikuar motrës së tyre të ndjerë. Për Ermalin, axhenda e tij është shumë e ngarkuar nga e hëna në të dielë, ku përveç mbrëmjeve live në Tiranë, ai shpesh herë gjendet me koncerte live nëpër Europë dhe më gjerë. Në intervistë për Radio Ejani ai na tregon pasionin e tij të madh për muzikës, planet për të ardhmen, por edhe emocione nga jeta e tij personale.  

CMG: Ermal, ti je prej disa kohësh drejtues i bandës së madhe muzikore të këngëtares Aurela Gaçe. Çfarë do veçoje nga ky bashkëpunim?

Ermal Pepa: Kam 6 vite që bashkëpunoj me këngëtaren Aurela Gaçe dhe aq më tepër është kënaqësi të jem drejtues i bandës së saj muzikore. Nga ky bashkëpunim do të veçoja udhëtimet tona nëpër Europë dhe kryesisht në SHBA. Përveç skenës që e shijoj çdo sekondë, ne si grup kemi një miqësi shumë të ngushtë dhe kjo është gjëja kryesore për një skuadër.

CMG: Si e sheh karrierën tënde artistike sot?

Ermal Pepa: Është shumë herët për të folur sepse një muzikant i mirë nuk duhet të jetë i kënaqur me veten, por duhet të kërkojë më shumë nga vetja, të punojë fort për të arritur.

CMG: Cili ka qenë momenti më i bukur, apo më i veçantë gjatë interpretimeve live?

Ermal Pepa: Kam shumë momente të bukura në skenë, por do të veçoja njërin prej tyre. Aurela ishte duke interpretuar në skenë dhe një moment më fton mua të këndoja. Nuk isha përgatitur që të interpretoja një këngë klasike-operistike edhe pse unë për zhanrin klasik kam përfunduar studimet e larta. Këndova dhe pasi përfundova interpretimin, duartrokitjet që mora atë natë do t’i mbaj mend shumë gjatë. Ishin emocione të bukura.


CMG: Ti ke studiuar për Kanto dhe ke një zë fantastik, gjithashtu i shoqëron këngëtarët live edhe duke kënduar, ke qenë pjesëmarrës më parë në disa kompeticione si këngëtar, por si nisi devijimi nga kënga?

Ermal Pepa: Është e vërtetë që unë kam përfunduar studimet për kanto dhe jam shumë i lumtur për këtë gjë, sepse më ka formuar shumë artistikisht.  Por unë në moshën 5 vjeçare kam filluar  mësimet fillestare  të pianos dhe ky është pasioni im i pare, i cili vazhdon edhe sot.

CMG: Familja Pepa ka shumë talentë. Ju jeni dy vëllezër që këndoni, motra juaj Blerta (e cila fatkeqësisht nuk jeton më) ka qenë një vajzë mjaft e talentuar në muzikë. Ti Ermal dhe vëllai yt Landi sollët një këngë dedikuar motrës "Si ta pranoj" , duke premtuar se do vazhdoni këngën, pasionin e lënë përgjysmë nga Blerta....

Ermal Pepa: Muzikën e kemi të trashëguar nga babai, pasi ai ka qenë baterist shumë i talentuar. Ndërsa unë me vëllain nga mosha  8 deri 12 vjeçare kemi marrë pjesë në festivale të ndryshme për fëmijë. Me lindjen e Blertës motrës tonë, ndryshoi edhe jeta jonë, e cila u bë edhe më e bukur. Blerta ishte më e talentuara dhe më e bukura e familjes. Ajo e donte shumë muzikën. Mori pjesë te "Gjeniu i vogël" ku u spikat si talent. Fatkeqësisht nuk jeton më fizikisht, por është në çdo sekondë të jetës tonë me ne. Prandaj edhe ne kemi bërë këngën "Si ta pranoj", që të mbetet një kujtim i bukur për familjen tonë.

CMG: Përveç interpretimeve live, cili  është pasioni tjetër i Ermalit?

Ermal Pepa: Përveç muzikës, pasion tjetër i imi është futbolli. Madje i them edhe nuses nëse bëjmë djalë do e bëj futbollist.

CMG: A do të shohim me  ndonjë material të ri muzikor?

Ermal Pepa: Po besoj që po, dëshira është shumë e madhe patjetër.

CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?

Ermal Pepa: Të them të drejtën plane kam shumë, por varet se sa i kemi mundësitë dhe kohën që t’i realizojmë.

CMG: Cila është gjëja më e bukur që ka ndodhur në jetën tënde artistike?

Ermal Pepa: A ka artist që nuk ka gjëra të bukura?! Do të veçoja gjënë më të bukur të jetës time, nëpërmjet të cilës më ka ndryshuar jeta. Më ndryshoi jeta në skenë dhe s'kishte si të ndodhte ndryshe. Kam qenë në një mbrëmje në Prishtinë me Vedat Ademin, ku isha duke luajtur në piano. Aty kam shkëmbyer shikime gjithë natën me një vajzë të Prishtinës. Shikimet u rritën me kulmin kur ajo vajzë u bë pjesë e jetës time, u bë bashkëshortja ime, të cilën unë e dua pafund. Më ka bekuar Zoti me atë vajzë. Kjo ishte gjëja më e bukur që më ka ndodhur në gjithë jetën time.

CMG: Na trego për udhëtimet?

Ermal Pepa: Gjëja që më shijon së shumti janë udhëtimet. Marrim shumë energji pozitive kur udhëtojmë, e shijojmë pafund. Të jem realist udhëtimet kanë qenë të shumta nëpër Europë si Itali, Francë, Greqi, Angli, por më shumë më ka pëlqyer udhëtimi në ShBA, ishte udhëtim i gjatë por i mrekullueshëm. Në Florida është vend i ngrohtë dhe ku ka më bukur se të jetë verë, pasi energjia është shumë e mirë. Në Majami Beach kam kaluar shumë mirë, ishte bukur.

Intervistoi: Sava Lena