Dashuri Hysaj është këngëtare e njohur e muzikës popullore të trevës së jugut, kryesisht të Skraparit. Ajo ka mbi 30 vite karrierë ku ka marrë pjesë në mjaft koncerte brenda dhe jashtë vendit. Gjatë karrierës së saj ajo ka publikuar mjaft këngë polifonike dhe këngë popullore të muzikuara që janë pritur mirë nga publiku. Ajo së shpejti do të jetë pjesëmarrëse në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës bashkë me grupin e Skraparit. Në në intervistë për Radio Ejani Dashuria tregon për karrierën e saj muzikore, aktivitetet artistike si dhe projektet në të ardhmen.
CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj me këngën e mirëfilltë popullore?
Dashuri Hysaj: Unë vij nga polifonia e Skraparit dhe këngën e kam nisur si gjithë të tjerët në shkollë. Këngën e kam të trashëguar nga prindërit dhe gjyshërit. Gjithashtu xhaxhai im ka kënduar shumë dhe ka marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës dhe muzika eci në breza, madje edhe unë do ja trashëgoj fëmijëve të mi, nipërve dhe mbesave. Më pëlqen shumë që kënga popullore e Skraparit dhe e të gjitha trevave të vazhdojë rrugëtimin dhe të ngelet brez pas brezi.
CMG: Falë talentit dhe zërit tuaj burimor ju u bëtë një artiste e njohur muzikës popullore të jugut.
Dashuri Hysaj: Zëri patjetër që është i lindur, por dhe pasioni për këngën ku pastaj vijuam si gjithë të tjerët rrugëtimin tonë me këngët polifonike, që më vonë i realizuam dhe të muzikuara. Kjo na bëri që të jemi këtu sot, duke marrë pjesë nëpër koncerte dhe gëzime familjare.
CMG: Nga ndryshon polifonia e Skraparit nga ajo e trevave të tjera të jugut?
Dashuri Hysaj: Polifonia e Skraparit është shumë e bukur. Skrapari ka shumë talente dhe një folklor të pasur, që unë sado të bëj këngë të muzikuara prapë nuk largohem nga këngët polifonike të Skraparit.
CMG: Gjatë karrierës suaj artistike keni sjellë vetëm këngët të vjetra popullore apo dhe krijimtari të re?
Dashuri Hysaj: Unë kam sjellë këngë të vjetra popullore që i kam muzikuar, por dhe këngë të reja dhe tekstet i ka shkruar poeti i njohur Arben Duka dhe shumë tekstshkrues të tjerë. Në repertorin tim kam shumë këngë të vjetra sepse më pëlqejnë tekstet e këngëve të vjetra, që janë shumë të bukura, janë tekste domethënëse dhe më kanë bërë të ndjehem shumë mirë.
CMG: Preferoni më shumë të këndoni këngët polifonike apo ato të muzikuara?
Dashuri Hysaj: Të dyja këto gjini muzikore janë të ndryshme, por që kënga e muzikuar patjetër që bëhet më e bukur sepse muzika i bën për vete njerëzit kur shkojmë të këndojmë në gëzimet familjare të gjithë njerëzit kërcejnë dhe kënaqen. Ndërsa këngën polifonike duhet, që të ruajmë traditën dhe mos të harrojmë nga kemi ardhur, por ta dimë dhe se çfarë do të lemë mbrapa. Polifonia nuk duhet të harrohet asnjëherë dhe duhet ta promovojmë sa më shumë.
CMG: Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e materialeve muzikore?
Dashuri Hysaj: Unë kam bashkëpunuar me disa kompozitorë, në fillim me Genci Malaj me të cilin kam bërë disa këngë dhe po vazhdoj akoma. Genci është shumë popullor dhe unë ndjehem shumë mirë kur shkoj tek studio e tij. Gjithashtu kam bashkëpunuar me kompozitorët Edmond Zhulali, Genti Lako, Klodian Qafoku, Alban Hoxhaj dhe të tjerë. Unë kam shkuar edhe në Strugë për të realizuar këngë te kompozitori Ndriçim Musai, që është tosk dhe i pëlqen shumë këngët tona toske.
CMG: Si janë pritur këngët tuaja nga publiku?
Dashuri Hysaj: Këngët e mia janë pritur shumë mirë dhe kur këndoj këngët e vjetra që i kam kthyer me muzikë, mosha të ndryshme më thonë se këto këngë i kanë kënduar kur kanë qenë të rinj. Pra ju pëlqejnë shumë që unë i kam kthyer këngët e vjetra polifonike të muzikuara.
CMG: Në gëzimet familjare ju kanë kërkuar të këndoni dhe këngë polifonike?
Dashuri Hysaj: Patjetër që po dhe unë ju plotësoj gjithmonë dëshirat dhe nuk e kam problem fare. Vetëm se kënga e Skraparit do edhe marrrës, hedhës por dhe tre apo katër veta që të bëjnë dhe iso për të shkuar kënga mirë.
CMG: Keni bërë bashkëpunime me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?
Dashuri Hysaj: Unë në fillimet e mia kam realizuar duete me kushërirën time Neta Doko dhe kemi bërë dy-tre albume. Së fundi kam bërë një duet me Paron, një këngë dedikuar brezave që mos të harrojnë traditën e këngës popullore. Gjithashtu kam bërë dhe bashkëpunime të tjera.
CMG: Mendon se të rinjtë sot kanë dëshirë ta këndojnë polifoninë apo është zbehur pak ky zhanër muzikor?
Dashuri Hysaj: Unë kam vënë re te të rinjtë që e pëlqejnë këngën popullore dhe atë polifonike, pavarësisht se nuk e këndojnë të gjithë polifoninë, por ka të rinj që e këndojnë. Kur i dëgjoj unë kënaqem shumë sepse për të kënduar këngë popullore të muzikuara kanë dalë shumë të rinj dhe mendoj se kënga popullore do vazhdojë dhe nuk ka për t’i humbur kurrë vlerat.
CMG: Kur këndoni e vishni dhe kostumin popullor tradicional të krahinës tuaj?
Dashuri Hysaj: Unë e kam veshur gjithmonë kostumin popullor dhe do ta vesh. Kam dy-tre kostume që i ndërroj si dhe fustanin e Skraparit që i vesh gjithmonë në koncerte të ndryshme kur marr pjesë me shoqata të ndryshme të polifonisë së Skraparit. Gjithashtu kostumin popullor e kam veshur edhe në videoklipe ku i jam përshtatur këngës popullore.
CMG: Përveç aktiviteteve muzikore branda vendit, po jashtë shtetit keni qenë për koncerte?
Dashuri Hysaj: Unë kam qenë për koncerte në Itali, Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë.
CMG: Si ju ka pritur publiku shqiptar i diasporës?
Dashuri Hysaj: Kur kam qenë në koncerte në Greqi publiku atje na ka pritur shumë mirë, por gjithmonë kam kënduar këngë popullore të muzikuara. Ndërsa kur kam qenë në Kalabri me grupin polifonik të Skraparit na kanë pritur arbëreshët jashtë mase mirë. Kam mbetur shumë e kënaqur sepse kënduam vetëm këngë polifonike dhe kemi qenë të veshur me kostume popullore ku vinin dhe bënin foto me ne. Ka qenë një kënaqësi e madhe sepse jemi duaartrokitur dhe vërtetë jemi ndjerë mirë.
CMG: Fëmijët tuaj e kanë trashëguar këngën nga ju?
Dashuri Hysaj: Sa do të doja që vërtetë ta trashëgonin, por djali im i vogël ka një zë fantastik dhe gabimi ka qenë i imi që nuk e kam lejuar të shkonte në lice për të vazhduar karrierën e tij. Do të më pëlqente shumë të vazhdonte sepse do ta kisha dhe unë krah sot.
CMG: Cilat kanë qenë këngët e fundit që keni publikuar për artdashësit tuaj?
Dashuri Hysaj: Unë së fundi kam bërë dy kolazhe me këngë popullore të ndryshme, ku njëra fillon me polifoni dhe titullohet “Babai filloi dasmën”. Kolazhet pëlqehen dhe tani jam duke pregatitur një projekt të ri që do ta le surprizë.
CMG: Si këngëtare profesioniste me 30 vite karrierë, cili është mendimi juaj për interpretuesit e rinj të këngës popullore sot?
Dashuri Hysaj: Disa këngëtarë kanë filluar të devijojnë pak nga muzika popullore. Unë nuk mund t’i gjykoj në këtë pjesë sepse secili ka mënyerën e vet, por koha evoluon dhe mbase janë të detyruar që këngët t’i bëjnë më të moderuara.
CMG: Si mund ta ruajmë folkun tonë të pastër?
Dashuri Hysaj: Mendoj se duhen emisione në radio dhe TV që të promovojnë muzikën tradicionale popullore dhe kështu mund të ruhet folku.
CMG: Shkoni shpesh në qytetin e Skraparit për aktivitete muzikore?
Dashuri Hysaj: Unë shkoj shpesh në Skrapar sepse më ftojnë për aktivitetet e Bashkisë, por dhe për gëzimet familjare dhe nuk përtoj fare kur shkoj sepse gjithë rrugën e kaloj me këngë. Unë shkoj sa herë ka koncerte dhe tani po përgatitemi për Festivlain Folklorik të Gjirokastrës, ku do të marr pjesë se më kanë bërë ftesë dhe jam shumë e lumtur.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Dashuri Hysaj: Unë i përshëndes të gjithë adhuruesit dhe miqtë e mi dhe ju them të bëhen pjesë e Radio Ejani dhe Bio Folk sepse është emisioni më i bukur që ruan dhe promovon traditën e muzikës popullore.
Intervistoi: Gazmend Agaj