NSFC dhe Fondacioni Gates nisin një fond të përbashkët për të përmirësuar shkencën rregullatore të vaksinave
2023-04-01 13:52:43

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Fondacioni Kombëtar i Shkencave Natyrore të Kinës (NSFC) dhe Fondacioni “Gates” njoftuan nisjen e një programi të përbashkët, duke kërkuar propozime kërkimore për sisteme të reja shkencore rregullatore, mjete dhe metodologji për të çuar përpara zhvillimin dhe inovacionin e vaksinave në Kinë, shkruan “Xinhua”.

Programi planifikon të mbështesë kërkimin në katër fusha: politikat dhe rrugët për të përmirësuar efektivitetin e rregullimit të vaksinave, reformën e sistemit rregullator të vaksinave dhe optimizimin e procesit, farmakovigjilencën aktive pas marketingut dhe mjetet dhe qasjet e reja shkencore rregullatore që vlerësojnë efikasitetin, sigurinë dhe cilësinë e vaksinës.

“Ky bashkëpunim synon të zhvillojë strategji dhe protokolle kërkimore, të vërtetojë modele dhe metodologji të reja dhe të mbështetet në përvojën ndërkombëtare në menaxhimin e të gjithë ciklit jetësor të vaksinave. Unë besoj se programi i përbashkët do të kontribuojë në zhvillimin me cilësi të lartë të industrisë së vaksinave të Kinës”,- tha Xie Xincheng, zv.drejtor i NSFC.

“Shpresojmë se programi mund të ndihmojë në eksplorimin e mënyrave për të përmirësuar shkencën rregullatore, e cila nga ana tjetër do të mbështesë inovacionin për produktet dhe platformat e vaksinave, si dhe do të përmirësojë sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave, duke përfituar kështu më shumë njerëz”,- deklaroi Zheng Zhijie, drejtor i Zyrës në Kinë të Fondacionit “Gates”.

Programi i përbashkët do të financojë deri në tetë propozime. Çdo propozim i përzgjedhur do të marrë financim deri në 750.000 juanë (109.000 dollarë amerikanë) nga NSFC dhe deri në 125.000 dollarë amerikanë nga Fondacioni “Gates”.

NSFC, një burim kryesor financimi në Kinë për kërkimin bazë dhe eksplorimin, ka lëshuar një udhëzues aplikimi në faqen e internetit, duke njoftuar se aplikimet e të interesuarve duhet të dërgoheshin online në dy fondacionet përpara datës 31 maj. (Irma)