Qeveria shqiptare miraton regjistrin për shqiptarët e dënuar në botë
2023-04-01 15:47:00

Qeveria shqiptare miratoi vendimin e posaçëm për krijimin e regjistrit elektronik me të dhënat e të dënuarve shqiptarë në botë.

Sipas vendimit të publikuar nga Kryeministria, ky regjistër është një bazë e të dhënave shtetërore, nëpërmjet së cilës grumbullohet informacioni i organizuar dhe i ruajtur në formë elektronike për ҫdo vendim penal të formës së prerë, të dhënë nga autoritetet e huaja ndaj shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj ose pa shtetësi, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar, ku përpunimi dhe përditësimi i tij kryhet nëpërmjet një sistemi kompjuterik, shkruan “RTSH”.

Regjistri në fjalë përmban të dhëna që nga gjendja civile e të dënuarit, shteti ku është dënuar, vendimi i dhënë për të, vepra për të cilën është dënuar, shteti në të cilin është dënuar personi etj.

Regjistri i krijuar do të ndërlidhet edhe me regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile, atë të çështjeve gjyqësore dhe penale.

Ky regjistër elektronik i gjendjes gjyqësore të personave të dënuar jashtë vendit do të administrohet e mirëmbahet nga Ministria e Drejtësisë. (Irma)