Studiuesit zbulojnë një rezervuar të mundshëm uji në Hënë
2023-03-31 10:42:06

Sonda Chang'e-5, e cila u kthye në Tokë më 17 dhjetor 2020, solli gjithsej 1731 gramë mostra hënore, të përbëra kryesisht nga shkëmbinj dhe dhera nga sipërfaqja hënore. Në një studim të fundit të botuar të hënën në “Nature Geoscience”, një ekip shkencëtarësh paraqesin të dhëna që sugjerojnë për një rezervuar të ri uji në Hënë. Studimi është bazuar pikërisht në mostrat e sjella nga Chang'e-5.

VCG

VCG

Studiuesit zbulojnë një rezervuar të mundshëm uji në Hënë

Shkencëtarët planetarë në Kinë gjetën në mostrat e Chang'e-5 të dhëna që sugjerojnë për një rezervuar të ri uji në Hënë, që tregojnë potencialin për shfrytëzimin e burimeve nga misionet e ardhshme të eksplorimit të hapësirës hënore dhe asaj të thellë.

Ekipi i studiuesve, të udhëhequr nga shkencëtarët nga Instituti i Gjeologjisë dhe Gjeofizikës nën Akademinë Kineze të Shkencave, identifikuan se rruazat e qelqit nga të cilat përbëhet dheu hënor përmbajnë një sasi më të madhe uji që rrjedh nga era diellore sesa mendohej më parë.

Sonda Chang'e-5, e cila u kthye në Tokë më 17 dhjetor 2020, solli gjithsej 1731 gramë mostra hënore, të përbëra kryesisht nga shkëmbinj dhe dhera nga sipërfaqja hënore.

MISTERI I UJIT

Misionet e mëparshme hënore kanë zbuluar praninë e akullit në Hënë. Sipërfaqja ujore ngrihet dhe ulet brenda një dite hënore dhe humbet në hapësirë, duke treguar se duhet të ketë një shtresë ose rezervuar në thellësi në tokat hënore për të mbështetur mbajtjen, çlirimin dhe rimbushjen e ujit sipërfaqësor hënor. Megjithatë, inventarët e ujit të grimcave të imëta minerale në tokat hënore, aglutinatet e prodhuara nga ndikimi i objekteve hapësinore, shkëmbinjtë vullkanikë dhe rruazat e qelqit të formuara në shpërthimet vullkanike nuk e shpjegojnë ciklin e ujit, thanë studiuesit.

Prandaj, disa studiues hënorë nxorën përfundimin e ekzistencës së një rezervuari uji ende të paidentifikuar në tokat hënore.  Sipas studiuesve, ndërveprimi i erës diellore me materialet sipërfaqësore mund të prodhojë ujë dhe të mbajë ciklin e ujit, por mbajtësi i një rezervuari të tillë ende nuk është gjetur.

Studimi i botuar të hënën në “Nature Geoscience” tregoi se rruazat e qelqit janë, me gjasë, rezervuarë uji në Hënë.

Grupi i studiuesve kinezë të udhëhequr nga Hu Sen analizoi përmbajtjen e ujit brenda rruazave të qelqit të prodhuara nga përplasjet hapësinore, të nxjerra nga mostrat e tokës hënore të sjella nga Chang'e-5.

Grupi i Hu analizoi pamjen e rruazave të qelqit, përbërjen e elementeve, sasinë e ujit dhe përbërjen e izotopit të hidrogjenit dhe zbuloi se uji në to vjen nga erërat diellore, me një sasi uji deri në rreth 2000 mg/L.

Ata vlerësuan se uji nga goditja e rruazave të qelqit në tokat hënore mund të arrijë deri në 270 trilion kg, shumë më pak se në oqeanet e Tokës. Sipas studimit, pas formimit të rruazave, uji i formuar nga era diellore hyri në to me difuzion.

Studiuesit gjithashtu analizuan bollëkun e ujit përgjatë gjashtë transekteve në pesë rruaza qelqi, të cilat treguan profilet e hidratimit të ujit nga era diellore.

Ata thanë se rruaza e qelqit regjistroi hyrjen dhe daljen dinamike të ujit me prejardhje nga era diellore dhe veproi si një sfungjer për të mbrojtur ciklin e ujit sipërfaqësor hënor. Shpërndarja e ujit brenda rruazave individuale tregoi se uji mund të grumbullohet me shpejtësi në rruaza qelqi me anë të difuzionit gjatë  disa viteve dhe të çlirohet me shpejtësi, gjë që paraqiti një mekanizëm efikas rimbushjeje për ciklin e ujit sipërfaqësor, sipas studimit.

VCG

VCG

“Këto gjetje tregojnë se xhamat e krijuara nga goditjet në sipërfaqen e Hënës janë të afta të ruajnë ujin që rrjedh nga era diellore dhe ta lëshojnë atë në hapësirë”, - tha Hu, autori i studimit.

Uji i bllokuar në rruaza xhami është relativisht i lehtë për t'u nxjerrë dhe mund të përfaqësojë një burim të mundshëm uji për eksplorimin e ardhshëm hënor, tha Hu. Për më tepër, gjetjet ofrojnë të dhëna për origjinën e ujit në gjerësi të ulët në trupa të tjerë pa ajër në sistemin diellor, si Merkuri dhe Vesta, shtoi Hu.

Studimi ishte një përpjekje bashkëpunuese midis Universitetit të Nanjing, Universitetit të Hapur, Muzeut të Historisë Natyrore, Universitetit të Mançesterit dhe Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë të Kinës.