Ministrja Manastirliu: 66 mjekë të rinj i shtohen sistemit shëndetësor
2023-03-31 15:50:32

Ministrja e Shendetesise Ogerta Manastirliu (Foto Atsh)

Ministrja e Shendetesise Ogerta Manastirliu (Foto Atsh)

Sistemit shëndetësor publik shqiptar i janë shtuar edhe 66 mjekë të rinj, të cilët sapo janë punësuar pas një procesi transparent e meritokratik përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vlerësoi punën e bërë në drejtim të mundësisë që tashmë mjekët dhe infermierët kanë për t’u punësuar me transparencë dhe meritë në sistemin shëndetësor publik.

“Ju jeni profesionistët më të rinj brenda sistemit. Jeni 66 mjekë të përgjithshëm dhe specialistë që përgjatë këtyre muajve të parë të vitit 2023 i jeni bashkuar sistemit shëndetësor publik në kujdesin parësor dhe në atë spitalor”, tha ministrja Manastirliu, citon “ATSH”.

Gjatë takimit me mjekët e rinj, ministrja Manastirliu foli për përmirësimin e infrastrukturës dhe të teknologjisë, për të krijuar kushtet dinjitoze për punën e mjekëve si dhe për rritjen e incentivave financiare në vijim.

“Do të kemi këtë vit një rritje të targetuar të pagave për mjekët specialist, paga bazë e të cilëve do të rritet me 500 dollarë. Gjithashtu do të rrisim pagën edhe për mjekët dhe infermierët në masën 7% këtë vit. Duke filluar nga viti 2024, ne do të kemi sërish rritje page të targetuar për mjekët e familjes, mjekët e përgjithshëm dhe infermierët, për të garantuar që politika e rritjes së pagave të jetë e qëndrueshme”, tha Manastirliu.

Përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë” janë punësuar më shumë se një mijë mjekë të familjes dhe mjekë specialist, me një sistem transparent të rekrutimit dhe përzgjedhjes së vendeve të punës sipas meritës. (Irma)