MJK: Bota i sheh më qartë standardet e dyfishta hipokrite të ShBA-së mbi çështjen e demokracisë
2023-03-31 18:29:12

foto/MPJ

foto/MJK

Nga e mërkura deri të enjten në ShBA u mbajt "Samiti i 2-të për Demokracinë". Sipas komenteve, ky samit ishte më shumë një farsë për të ndarë botën. Lidhur me këtë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning u shpreh në një konferencë për shtypin se ky samit e ka bërë më të vetëdijshme botën për standardet e dyfishta hipokrite të ShBA-së për çështjen e demokracisë.

"I ashtuquajturi 'Samit për Demokracinë' i mbajtur nga ShBA-ja kishte në thelb si qëllim t'i klasifikonte vendet e tjera sipas standardit amerikan dhe të bënte ndërhyrje sipas interesit të ShBA-së. Pala amerikane ka formuar një 'rreth të vogël miqsh' në emër të demokracisë dhe ka krijuar një retorikë të rreme mbi 'kundërvënien e autoritarizimit ndaj demokracisë', duke e ndarë bashkësinë ndërkombëtare në kategori të ndryshme dhe duke krijuar ndarje në botë për t'i shërbyer politikës së grupeve dhe për të ruajtur strategjinë e hegjemonisë," u shpreh zëdhënësja.

Mao Ning vuri në dukje se praktika të tilla cenojnë seriozisht domethënien e vërtetë të demokracisë dhe prirjen e demokratizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, si edhe shkelin rëndë qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, duke mos ndihmuar në unitetin e bashkësisë ndërkombëtare për të përballuar së bashku sfidat. Ato tregojnë egoizmin dhe arrogancën e palës amerikane, dhe përbëjnë shkelje e nëpërkëmbje të demokracisë, që është vlera e përbashkët e mbarë njerëzimit.

foto/VCG

foto/VCG

“Ky samit e ka bërë botën më të vetëdijshme për standardet e dyfishta hipokrite të ShBA-së për çështjen e demokracisë dhe për rreziqet e tyre. Të gjitha çështjet e përfshira në samit, pa përjashtim, ishin të vendosura nga ShBA-ja, duke u kërkuar të gjitha vendeve të tjera vetëm të plotësonin formularët dhe të përmbushnin premtimet e tyre, dhe pastaj Shtetet e Bashkuara do të shqyrtonin këta formularë. I gjithë procesi nuk ishte demokratik, përfshirës dhe tolerant. Pala amerikane paraqiti 'Nismën presidenciale për ringjalljen e demokracisë', po në të vërtetë donte të ringjallte hegjemoninë amerikane, jo demokracinë e vendeve të tjera. ShBA-ja promovoi samitin për të nxjerrë një deklaratë të përbashkët, duke inkurajuar disa vende të mbështesin disa të ashtuquajtura ‘udhëzime’dhe ‘parime’, me qëllim për të nxitur ndarjen e botës, gjë që është shumë e dëmshme dhe e rrezikshme,”theksoi zëdhënësja.

foto/VCG

foto/VCG

Mao Ning shtoi se problemet dhe sfidat globale në botën e sotme janë pa fund. "Ajo që i duhet botës, nuk është krijimi i ndarjeve në emër të demokracisë dhe praktikimi i njëanshmërisë, por forcimi i solidaritetit dhe bashkëpunimit në bazë të qëllimeve e të parimeve të Kartës së OKB-së dhe respektimi i multilateralizmit të vërtetë. Ajo që i duhet botës, nuk është ndërhyrja nën maskën e demokracisë në punët e brendshme të vendeve të tjera, por praktikimi i demokracisë së vërtetë, braktisja e pseudodemokracisë dhe promovimi i demokratizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo që i duhet botës, nuk është i ashtuquajturi 'Samit për Demokracinë' që krijon konfrontim, por solidariteti dhe bashkëpunimi që mund të zgjidhin problemet me të cilat përballet bashkësia ndërkombëtare," vuri në dukje zëdhënësja e demokracisë kineze. (Fang Xiaoyu/Artan)