Eksportet rekord nga veshjet dhe këpucët do të vijojnë edhe në vitin 2023
2023-03-31 09:44:01

Industria rajonale veshje këpucë (Foto Monitor)

Industria rajonale veshje këpucë (Foto Monitor)

Intervistë me Edvin Prençe,  Kryetar i Shoqatës Pro Eksport Albania (PEA)

 

Vitin e kaluar, industria e veshjeve dhe e këpucëve në Shqipëri, e quajtur ndryshe sektori i fasonit(prodhime me material porositësi), eksportoi rreth 1 miliardë euro prodhime të saj, duke u renditur si industria numër një eksportuese e vendit dhe duke mbuluar mbi 40 përqind të eksporteve tona. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, kjo industri përfshin 750 fabrika dhe punëson 75 mijë punonjës.

Industria e ka të domosdoshëm realizimin e ciklit të plotë të prodhimit, për të dalë me produktet  “Made in Albania”, të cilat i garantojnë vlerë të shtuar dhe shumë më tepër të ardhura. Ajo ka ardhur duke i shtuar gradualisht pagat për punonjësit e vet, përballë presioneve të rritura të mungesës së fuqisë punëtore, për shkak të emigracionit të lartë.

Industria e veshjeve dhe këpucëve ka një bashkëpunim të mirë me strukturat qeveritare dhe me donatorët e huaj. Ajo është në kërkim të programeve të përbashkëta e mbështejes nga Buxheti i Shtetit, për të rinovuar teknologjinë dhe rritur kapacitetet prodhuese të saj.

Sipas ekspertit të fushës dhe Kryetarit të Shoqatës Pro Eksport Albania, Edvin Prençe, fasonet këtë vit do të vijojnë rritjen e eksporteve, megjithë vështirësitë që fabrikat e këtij sektori po përballojnë, me çmimet e rritura të energjisë elektrike dhe të transportit.

              

E. Prençe në intervistë për CMG

E. Prençe në intervistë për CMG

CMG: Gjatë vitit të kaluar, ju si industri realizuat rreth 1 miliardë euro eksporte. Një shifër rekord kjo. Si e bëtë këte? Sa arritët të shfrytëzonit kapacitetet tuaja?

Edvin Prençe: Sektori ka arritur në vitin 2022 rreth një miliardë euro faturim. Ajo që duhet specifikuar është se ky 1 miliardë euro nuk është xhiroja ose likuiditeti që mbetet po në Shqipëri. Ajo çfarë ngelet në Shqipëri është rreth 35 përqind e kësaj shume. Pra, 350 milionë euro. Pjesa tjetër, 650 milionë euro, është lënda e parë, është likuiditet i cili del përsëri nga Shqipëria. Ajo që sektori ka arritur, i ka arritur me të gjitha sakrificat e punonjësve dhe sipërmarrësve të ndërmarrjeve prodhuese. Flasim për një sektor që ka mbi 75 mijë të punësuar. Në punësim, renditet sektori i tretë më i madh, pas bujqësisë dhe sektorit shtetëror. Përfaqëson një industri ku 95 përqind e fuqisë punëtore përbëhet nga gra dhe vajza. Është një industri që ka bërë shumë sakrifica. Kemi kaluar një periudhë të vështirë. U goditëm nga tërmeti i 26 nëndorit 2019. Pastaj erdhi goditja nga pandemia e Covid 19. Më vonë u rikthye lëvizja e lirë e njerëzve dhe kjo solli bumin e kërkesave nga ana e vendeve evropiane, për të prodhuar në vendin tonë.   

CMG: Ju e dini që tek teknologjia e re, tek rritja e rendimentit qëndron edhe formula e suksesit për industrinë tuaj.  Si e keni parë këtë rinovim, me përpjekjet për të realizuar një cikël të mbyllur të produkteve tuaja, për të realizuar produktin “Made in Albania”?   

Edvin Prençe: Cikël i mbyllur është një fjalë që kthehet në një detyrim. Ka një kosto në rritje të përditshme, për të mbajtur biznesin, si kosto e energjisë, kosto e transportit, kostot e pagave dhe të sigurimeve shoqërore. Ka dhe shumë kosto të tjera, ndoshta në disa momente edhe të paparashikueshme. Dalin me një vendim nga ana e qeverisë, por janë edhe kostot e tarifave bashkiake.

Cikli i mbyllur ose produkti “Made in Albania” është pikërisht ajo që i jep një vlerë të shtuar këtij sektori. Ju thashë edhe pak më përpara se janë 650 milionë euro që dalin nga ky vend.

Sektori ynë deri më sot ka shitur vetëm hakun, krahun e punës. Por ai ka eksperiencën mbi 30 vjeçare të punës. Ka know-how, dijet e nevojshme dhe objektivin e tij të qartë. Në rast se deri dje prodhonte për x person nga jashtë, sot ai mund të jetë konkurrues dhe të tregtojë produktin e tij, modelet e tij. Të prodhojë atë çfarë dëshiron vetë sektori dhe çfarë kërkon tregu, e jo të jetë i ndikuar nga elementë të tjerë, nga tregtarë që të vijnë dhe të prodhojnë në Shqipëri.      

 

Industria e veshjeve dhe këpucëve (Foto Monitor)

Industria e veshjeve dhe këpucëve (Foto Monitor)

CMG: Emigracioni po kthehet në një fenomen shqetësues për të gjithë ekonominë tonë dhe për sektorët kryesorë, sidomos ata prodhues, sikurse jeni edhe ju. Ju jeni industria numër një prodhuese dhe eksportuese e vendit. A hasni dhe ju vështirësi në sigurimin e fuqisë së duhur punëtore? Sikurse e thatë edhe ju, një nga kostot tuaja kryesore është pikërisht kosto e krahut të punës. Si po e bëni që edhe të pranoni kontrata të reja, edhe të keni prodhim,  kapacitete më të rritura dhe njëkohësisht të gjeni punonjësit e duhur për këto kapacitete?

Edvin Prençe: Mendoj se është një problematikë rajonale dhe botërore. Emigrimi i njerëzve, largimi i punonjësve ndodh në të gjitha vendet e botës dhe Shqipëria nuk mund t’i shpëtonte këtij trendi. Ne nuk e quajmë krahu i punës. Çdo punonjës për ne është aseti më i rëndësishëm që ne kemi. Ky fenomen, largimi i punonjësve është një këmbanë alarmi, pasi mosha mesatare që tashmë ka arritur sektori është 38 vjeç dhe nuk ka një rigjenerim të punonjësve.

Pra nuk ka prurje të reja. Sektori po mendon dhe ka reaguar me mënyrën e vet, me mundësitë ekonomike që ka, për të pasur një rritje të konsiderueshme të pagës së punonjësve.

Nga ana tjetër, kemi një mungesë të theksuar të likuiditetit që ka ky sektor, për të bërë investimet e nevojshme. Këto investime do të arrinin të shtonin produktivitetin e sektorit dhe të rrisnin cilësinë e produkteve tona.

Ana tjetër që është shumë e rëndësishme, ka të bëjë me trajnimin që u duhet bërë punonjësve të sektorit. Duhet të arrijmë të realizojmë trajnimet e nevojshme për njerëzit tanë, pse teknologjia ndryshon me produkte të reja që marrim porosi. Punonjësit tanë, përmes këtyre trajnimeve, duhet ta shohin dhe ta kuptojnë që janë një element shumë i rëndësishëm, themelor i sektorit. Ne duhet t’i ndërgjegjësojmë punonjësit për rolin që kanë në ndërmarrje. Për ta ndjere veten shumë të rëndësishëm,

Pa trajnimin e duhur, shoqëruar me investimet e nevojshme të teknologjive të reja, jo vetëm sektori ynë, por në të gjithë sektorët e tjerë industrialë dhe të sherbimeve të vendit, suksesi do të fillojë të mungojë dhe do të çojë drejt shuarjes së sektorit.

 

Industria fason (Foto Monitor)

Industria fason (Foto Monitor)

CMG: Ju përmendët trajnimet dhe mendja të shkon tek universitet tona që kanë know-how, dijet e duhura, me pedagogët që mundet të ndihmojnë në këtë rast. Ju jeni ndër sektorët prodhues të vendit që keni një eksperiencë shumë të mirë me Universitetin Politeknik të Tiranës. Sa ka ndihmuar kjo eksperiencë, që ju të mund ta zgjeroni atë në programin tuaj të trajnimeve, përse jo edhe në krijueshmërinë e modeleve në produktet tuaja të reja?

 

Edvin Prençe: Çdokush nga ne mund të bëjë investime sa të dojë, me çfarëdolloj kosto, në teknologji. Në fund të ditës, duhet një punonjës që këtë teknologji ta përdorë. Në të kundërt, nuk do të kishte rendimentin dhe cilësinë e nevojshme.

Prandaj dhe bashkëpunimi me Universitetin Politeknik dhe me shkollat profesionale, për mendimin tim është “A”-ja e çdo nisme. Edhe këto institucione shumë të rëndësishme kanë nevojë për një përditësim të përhershëm të njohurive të tyre. Bashkëpunimi mes të dyja palëve, pra nevojat e biznesit me bazën e të dhënave që universitetet kanë dhe me didaktikën që ato përdorin, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë, sjellin produktin e shkollave, pra një kuadër, një teknicien i përgatitur dhe i azhornuar. Ky kombinim do ta çojë përpara këtë sektor dhe do të bëjë të mundur që të gjitha informacionet e reja që teknologjia e sotme vë në dispozicion, të kemi mundësi t’i aplikojmë në produktet tona, duke rritur rendimentin e punës.

 

CMG:  Industria juaj ka nevojë për rinovim teknologjie dhe në këtë kuadër, edhe projektet me donatorët e huaj. Ju si shoqatë keni bashkëpunim dhe ne kemi ndjekur në media prezantimin e projekteve, edhe me ndihmën e donatorëve, ku kanë përfituar kredi të buta disa nga fabrikat tuaja, apo jo?

Edvin Prençe: Kemi dy tre vite që po kërkojmë fort që sektori ynë të mbështetet nga qeveria. Është një sektor që ka shumë vështirësi të ketë akses në bankat e nivelit të dytë. Dhe pikërisht kjo e çoi sektorin dhe ne, përfaqësuesit e tij, që të krijonim mundësi për ta realizuar këtë akses, edhe nëpërmjet ndihmës së një donatori të huaj. Ka shumë vështirësi në këtë qasje, megjithatë kjo shpresoj të kuptohet nga qeveria që sektori ynë ka shumë nevojë të ndihmohet për të modernizuar teknologjinë e vet.

Sektori nuk mund të zhvillohet më tej, pa likuiditetin e nevojshëm, i cili, për fat të keq, po pakësohet, pikërisht nga rritja e kostove. Duhet një ndërhyrje në investime, për të bërë të mundur blerjen e makinerive të reja. Kjo do të rriste produktivitetin dhe cilësinë e mallrave tona. Në këtë mënyrë, ne do të ishim akoma dhe më shumë konkurrues në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Po flasim për rajonin e Ballkanit, pasi pikërisht konkurrencën më të madhe e kemi nga Serbia dhe nga Maqedonia e Veriut. Sektorët si i yni në këto vende nuk janë kaq të rëndësishëm sa këtu në Shqipëri, për punësimin që realizojnë, për faturimet dhe për pjesën që kanë në eksportet e vendeve përkatëse.  

CMG: Shifrat që ju dhatë dhe vështirësitë që treguat dëshmojnë për domosdoshmërine e ndihmës dhe bashkëpunimit qeveri-sektor. Ndoshta ky bashkëpunim mund të nisë me pjesëmarrjen tuaj, të subvencionuar, në panairet ndërkombëtare të sektorit, si mendoni?

Edvin Prençe: Promovimi është një element shumë i rëndësishëm në punën tonë. Pa promovim nuk mund të ketë kontrata të reja. Po marrim një shembull. Ne e kemi nevojshme të marrim pjesë në një Panair ndërkombëtar në Londër, në Britaninë e Madhe. Ne kemi kërkuar t’u tregojmë vendeve partnere, në këtë rast Britanisë së Madhe, se ne nuk jemi vetëm një shtet që çojmë emigrantë, por jemi edhe prodhues të veshjeve dhe të këpucëve. Është pikërisht ky synimi ynë.

Promovimi është një tjetër element shumë i rëndësishëm që ju bashkangjitet trajnimeve, investimeve në makineri dhe çertifikimit të biznesve. Promovimi është unaza e fundit, finalja, për të gjetur klientët.

Në këtë moment, ti je i gatshëm të sulesh drejt një tregu të ri. Betejat në prodhim nuk janë ato që zhvillohen me armë. Betejat në prodhim janë beteja tregtare. Ato tregojnë edhe forcën e një shteti. Në rast se një shteti kënaqet me importet, është një shtet i mbaruar. Eksportet janë ato që tregojnë forcën dhe qëndrueshmërinë e një ekonomie. Për fat të keq, në Shqipëri kjo optikë akoma nuk është ngulitur në mendësinë e çdo institucioni qeveritar. Kjo optikë duhet të jetë objektivi ynë madhor. Ne mburremi kur shkojmë jashtë vendit dhe shohim nëpër dyqane produkte “Made in Albania”.

Por duhet që të kuptojmë se sa është kostoja për atë produkt, që ndoshta ka edhe çmime marramendase në tregjet e huaja. Flasim për kosto minimale.

Pyetja është: a nuk jemi ne të gatshëm ta bëjmë një gjë të tillë? Të bëjmë ciklin e mbyllur dhe të dalim me produktet tona “Made in Albania”?

Absolutisht që jemi të gatshëm! Kemi arritur ta realizojmë në disa raste. Nuk na kushton gjë që vetë prodhuesit të bëjnë lëndën e parë. Që vetë prodhuesit të bëjnë prototipet e këtyre materialeve dhe të dalin vetë në treg me produktin e tyre. Ky duhet të jetë edhe objektivi i qeverisë, krahas bizneseve. Qeveria është partnere e natyrshme e çdo biznesi shqiptar dhe është në interesin e qeverisë që bizneset të gëzojnë shëndet, të kenë faturime dhe të gjenerohen edhe taksat nga aktiviteti i tyre.         

CMG: Shifrën e 1 miliardë eurove eksporte që keni arritur vitin e kaluar, a jeni optimist se mund ta arrini dhe tejkaloni për këtë vit?

 

Edvin Prençe: Më tepër se sa të jesh optimist, është shpresa për të ardhmen. Thuhet gjithmonë që shpresa është e fundit që vdes. Ne jemi optimistë dhe kemi shpresë, por kjo shpresë ka nevojë për ndihmë, ka nevojë për mbështetje, ka nevojë për nxitje. I vetmi aktor që realisht mund ta bëjë këtë, është qeveria. Në të kundërt, ky sektor do të shkojë drejt fikjes graduale. Kemi shumë kërkesa për produktet “Made in Albania”. Kjo, për shkak të krizës në Ukrainë dhe faktit se shumë biznese në Evropë nuk e shohin më tërheqës tregun e Azisë së Largët dhe preferojnë të bëjnë porosi e kontrata me vendet e tjera evropiane. Pyetja që shtrohet është: a jemi ne të gatshëm? Në këtë moment, unë ju jap përgjigje që Jo! Nuk jemi të gatshëm.

Por ju garantoj, në rast se ka nga qeveria një strategji zhvilluese dhe ndihmuese për eksportet tona, në bashkëpunim me shoqatën Pro Eksport Albania, atëhere kjo shifër e eksporteve do të realizohet edhe për këtë vit, do të mundim të rrisim pagat me 30 përqind më shumë. Kjo do të sjellë që bizneset të gëzojnë një shëndet më të plotë dhe do të gjenerohen më shumë taksa, që me të drejtë duhet t’i paguhen shtetit. 

Intervistoi Fatos Çoçoli