Shqipëri - Rritja ekonomike 4.84% në vitin 2022, u udhëhoq nga ndërtimi
2023-03-31 16:37:04

Kantier ndertimi ne Shqiperi (Foto Atsh)

Kantier ndertimi ne Shqiperi (Foto Atsh)

Produkti i Brendshëm Bruto për vitin 2022 shënoi një rritje prej 4.84%, krahasuar me vitin 2021.

Në raportin mbi rritjen ekonomike në tremujorin e katërt 2022 të Institutit të Statistikave (INSTAT) vlerësohet një rritje prej 4.73%, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2021, citon “ATSH”.

“Me vlerësimin e tremujorit të katërt, INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2022, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, shënoi një rritje prej 4.84%, krahasuar me vitin 2021”, thuhet në raport.

Sipas raportit të INSTAT-i, kontribut kryesor dhanë ndërtimi me 1.69 pikë përqindje dhe “tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, me 0.96 pikë përqindje. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme kontribuuan me 0.54 pikë përqindje, ndërsa informacioni dhe komunikacioni kontribuuan me 0.47 pikë përqindje.

Negativisht kontribuuan degët e bujqësisë me 0.12 pikë përqindje dhe aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative me 0.09 pikë përqindje.

Taksat Neto mbi produktet kontribuuan negativisht me 0.14 pikë përqindje

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi në tremujorin e katërt të 2022-shit u rrit me 4.49 %. Konsumi final i qeverisë pësoi rënie me 2,98 %.

Komponenti i formimit bruto të kapitalit fiks (investimet) pësoi rritje me 9.81 %, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0.59 %. Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 3.15 %.