Xi thekson nxitjen e studimit dhe zbatimit të Mendimit për Socializmin me Karakteristika Kineze për Epokën e Re
2023-03-31 17:05:35

foto/VCG

foto/VCG

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) Xi Jinping theksoi të enjten përparimin e mëtejshëm të studimit dhe zbatimit të Mendimit mbi Socializmin me Karakteristika Kineze për Epokën e Re.

Xi i tha këto gjatë një sesioni studimi në grup të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së të kryesuar prej tij.

Pasi dëgjoi fjalimet e të gjithë të pranishmëve, Xi Jinping-u mbajti një fjalim të rëndësishëm. Ai theksoi se studimi dhe zbatimi i Mendimit për Socializmin me Karakteristika Kineze për Epokën e Re është kërkesa themelore për rrugëtimin e ri në epokën e re dhe për të krijuar një situatë të re për zhvillimin e kësaj kauze. Këmbëngulja për ta armatosur të gjithë partinë me arritjet më të fundit të marksizmit në Kinë dhe të modernizimit të tij është një përvojë e rëndësishme që PKK-ja të krijojë histori dhe të arrijë shkëlqimin, duke udhëhequr praktikën dhe duke promovuar punën. Në rrugëtimin e ri në epokën e re, përballë situatave komplekse ndërkombëtare dhe të brendshme, detyrave të mundimshme të reformës, zhvillimit e stabilitetit, si edhe rreziqeve e sfidave të ndryshme të pasigurta dhe të paparashikueshme, për të arritur objektivat strategjikë të vendosur nga Kongresi i 20-të i Partisë Komuniste të Kinës, është urgjente që shumica e anëtarëve dhe e kuadrove partiakë, veçanërisht kuadrot drejtues të të tëra niveleve, të studiojnë dhe të zbatojnë më tej Mendimin për Socializmin me Karakteristika Kineze për Epokën e Re. Kjo është arsyeja kryesore përse Komiteti Qendror i PKK-së vendosi të kryente fushatën e edukimit tematik në të gjithë Partinë.

“Ne duhet ta përdorim sa më mirë Mendimin për Socializmin me Karakteristika Kineze për Epokën e Re për të vëzhguar, kapur dhe udhëhequr kohën dhe për të bashkërenduar më mirë strategjinë e përgjithshme të rilindjes së madhe të kombit kinez dhe ndryshimet e mëdha në botë që nuk janë parë për një shekull. Ne gjithashtu duhet të kemi një njohje të thellë të kohës e të prirjeve, të krizave e të mundësive, dhe të njohim në mënyrë aktive ndryshimet e t'u përgjigjemi atyre. Ne duhet ta përdorim sa më mirë këtë ide për të promovuar arritjet dhe përparimet e reja të modernizimit të stilit kinez," vuri në dukje Xi Jinping. (Fang Xiaoyu/Artan)