Linja e shpejtë e autobusëve, Veliaj: Do të ndërtojmë 55 korsi të dedikuara
2023-03-31 11:16:20

Kryebashkiaku i Tirane Erion Veliaj (Foto Rtsh)

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi projektin e linjës së shpejtë të autobusëve, i cili do të prekë disa linja kryesore në kryeqytetin shqiptar. Ai deklaroi se falë këtij projekti do të dyfishohet lëvizja e shpejtësisë së lëvizjes së autobusëve nga 9 në 20 km/orë, do të përgjysmohet koha e një cikli të plotë që përshkon një autobus i linjës urbane nga 54 minuta që është, në 24 minuta, si dhe synohet rritja e kapacitetit të transportit nga 9 mijë në 23 mijë në orë, raporton “RTSH”.

Veliaj u shpreh se do të ndërtohen 55 kilometra korsi të dedikuara të lëvizjes së shpejtë tranzit, nga të cilat 10 kilometrat e parë, pritet të përfundojnë në fund të 2023-shit dhe pjesa tjetër deri në fund të planit 5-vjeçar.

Më tej, kryebashkiaku theksoi se për këtë projekt do të investohen 50 milionë euro në tre linjat që do të përshkojnë autobusët elektrikë.

“Janë 420 autobusë në gjendje shumë më të mirë se ato që gjetëm dhe transportojnë 9 mijë qytetarë në orë. Sot, ky sistem është diçka që po konsiderohet, po merr përkrahje universale. Qartazi është diçka më ekonomike dhe më realiste për t’u implementuar në vend. Autobusët kanë një rrugë ekspres. Ne do të ndërtojmë 55 km të korsive të dedikuara të lëvizjes së shpejtë tranzit. Deri në fund të 2023-shit do të kemi 10 km e parë dhe deri në fund të planit 5-vjeccar, do të kemi të plotë rrjetin e 55 km. Duam të investojmë mbi 50 milionë euro në këto tre linja, në këto korsi të super dedikuara. Plani është që autobusët t’i financojmë dhe bashkëpunojmë të transformohen në autobusë elektrikë në këto 3 korridore”,- tha Veliaj. (Irma)