Xi Jinping-u takohet me kryeministrin e Singaporit Lee Hsien Loong
2023-03-31 21:10:12

Të premten pasdite, presidenti i Kinës Xi Jinping u takua në Pekin me kryeministrin e Singaporit Lee Hsien Loong, i cili ishte për një vizitë zyrtare në Kinë.

Xi Jinping-u vuri në dukje se Kina dhe Singapori janë partnerë të rëndësishëm bashkëpunues. “Gjatë vizitës suaj në Kinë këtë herë, ne i kemi ngritur marrëdhëniet Kinë-Singapor në nivelin e partneritetit të gjithanshëm largpamës dhe me cilësi të lartë, duke përcaktuar rrugën për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Kina është e gatshme të forcojë komunikimin strategjik me Singaporin, të thellojë ndërlidhjet strategjike dhe ta bëjë ‘cilësinë e lartë’ simbolin më të veçantë të bashkëpunimit mes Kinës dhe Singaporit”, u shpreh presidenti.

foto/VCG

foto/VCG

Xi Jinping-u vuri në dukje se, gjatë këtyre viteve, rajoni aziatik ka ruajtur prirjen e mirë të paqes e të qëndrueshmërisë së përgjithshme, zhvillimit të shpejtë dhe rritjes së gjithanshme. “Ne duhet të mbrojmë së bashku paqen rajonale, të ruajmë drejtimin e duhur të globalizimit ekonomik dhe të integrimit ekonomik rajonal, të kundërshtojmë me vendosmëri veprimet hegjemoniste dhe t’u rezistojmë qartas ‘shkëputjes dhe prishjes së zinxhirëve’, si edhe të mos lejojmë asnjë vend t'i privojë popujt aziatikë nga e drejta e tyre për të synuar një jetë më të mirë dhe më të lumtur”, shtoi presidenti Xi Jinping.

Lee Hsien Loong u shpreh nga ana e tij se është shumë i lumtur që pas disa vjetësh viziton sërish Kinën dhe sheh se në të gjitha pjesët e Kinës po rikthehet me shpejtësi gjallëria ekonomike. “Unë kam besim të fortë në qëndrueshmërinë e ekonomisë kineze dhe besoj se ekonomia kineze do të vazhdojë të zhvillohet mirë,” tha kryeministri Lee Hsien Loong. Singapori dhe Kina kanë një miqësi solide, mirëkuptim të thellë e besim të ndërsjellë, dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë ruajtur gjithmonë një vrull të mirë zhvillimi. Singapori pret të komunikojë me qeverinë kineze sa më shpejt që të jetë e mundur për të promovuar bashkëpunimin në projekte të mëdha të ndërlidhjes.

Të dyja palët shkëmbyen edhe mendime mbi çështjet e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të mëdha dhe çështjet ndërkombëtare me interes të përbashkët.  (Fang Xiaoyu/Artan)