Ndryshimet klimaterike në Shqipëri, Forumi Kombëtar, rekomandime për qeverinë
2023-03-31 14:37:00

Ndryshimet klimaterike (Foto Rtsh)

Ndryshimet klimaterike (Foto Rtsh)

Shqipëria po përballet me pasojat e ndryshimeve klimaterike, të tilla si frekuenca e shtuar e përmbytjeve, kohëzgjatja e shtuar e periudhës së thatësirave dhe zjarret e përhapura në pyje.

Sikurse referohet edhe nga Paneli Ndërkombëtar për Ndryshimet Klimaterike, Shqipëria është vendi më i cenueshëm në Mesdhe për sa i përket efektit të këtyre ndryshimeve në shkallë kombëtare.

Ndryshimet klimaterike po shkaktojnë probleme që lidhen me menaxhimin e sektorëve jetikë, si bujqësi, energjitike, transport, shëndeti dhe siguria publike etj. Për të trajtuar këto probleme, si dhe për të adresuar te qeveria rekomandime të nevojshme, një grup organizatash të shoqërisë civile, organizuan në Tiranë “Forumin për Klimën 2023”, citon “RTSH”.

Organizatat e shoqërisë civile dhe publiku i gjerë po ngrenë gjithnjë e më shumë alarmin për pasojat e ndryshimeve klimatike.

Gjithnjë e më shumë grupe po angazhohen në iniciativa advokuese për integrimin e klimës në të gjithë sektorët, duke rritur ndërgjegjësimin e publikut të gjerë dhe të institucioneve në nivel qendror e lokal, me synim rritjen e qëndrueshmërisë së komuniteteve përmes veprimeve që nxisin përshtatjen dhe përgatitjen. (Irma)