Red Radoja (Foto nga facebook)
Kompozitorin dhe pianistin Red Radoja, e shohim shpesh në vendlindje me projekte të ndryshme muzikore. Në Ditën Ndërkombëtare të Frankofonisë pas Korçës dhe Durrësit, ai mbajti një koncert recital në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në kryeqytet. Kujtojmë se në Francë, në vendin ku ai jeton prej rreth 20 vjetësh, Red Radoja ka sjellë veprat e pesë kompozitorëve, duke luajtur edhe pjesët e tij. Radoja është pedagog i pianos në shkollën e muzikës në Francë, por edhe kompozon. Ai ka drejtuar projekte të ndryshme muzikore ku ka bërë pjesë dhe polifoninë e disa vendeve, përfshirë edhe atë shqiptare.
Red Radoja (Foto nga facebook)
Kompozitori Radoja ka sjellë në kohë pjesë muzikore të traditës si “Fuqia e Mujit” apo “Kalërimi”, të cilat i ka interpretuar edhe përpara publikut të huaj. Me ardhjen në Shqipëri në prononcimin për mediat Radoja është shprehur se:
“Në muzikë nuk duhet sjellë gjithmonë risi, por mund të bëhet një riciklim i asaj që ka qenë. Është një muzikë që shkon nga muzika baroke, nga shekulli i 18-të deri në shekullin e 21-të. Pra në periudha të ndryshme, janë gjashtë autorë francezë të periudhave të ndryshme dhe i fundit si mercenar shqiptar jam unë. Prej disa vitesh kompozoj, si dhe merrem dhe me promovimin e veprave të mia, por edhe vepra të kompozitorëve të krahinës ku unë jetoj dhe ky është qëllimi i këtij koncerti. Projekti trevjeçar që bëhej nga kështjella historike e qytetit ku banoj, ishin disa atelie të polifonisë tradicionale jo vetëm shqiptare, por asaj të Francës, Sardenjas, etj, por mbi të gjitha futa polifoninë shqiptare. Të këndohej polifonia shqiptare nga këngëtarët francezë ishte mjaft bukur, sepse krijohet një lloj theksi i çuditshëm, me një muzikë që për ne është e njohur, me një dialekt tjetër. Gjithsesi në vazhdim një nga synimet e mia është edhe muzikologjia. Në krijimtarinë time është gjithmonë ndikimi i traditës dhe i Eposit të Kreshnikëve, për të cilin e ndjej veten më të specializuar”.
Red Radoja (Foto nga facebook)
Mes të afërmve gjatë mbrëmjes Red Radoja kishte të pranishme dhe nënën e tij, por padiskutim që ndjente mungesën e babait, artistit të mirënjohur të skenës dhe ekrani shqiptar Guljelm Radoja.
Lidhur me këtë mungesë artisti u shpreh:
“Është e vështirë sepse im atë nuk është më, megjithatë nuk e di pse kam një ndjesi gjithmonë sikur ai ka dalë, pasi dilte gjithmonë me biçikletë, ishte shumë sportiv edhe më energjik se unë. Kam gjithmonë përshtypjen se ka dalë dhe do kthehet përsëri, sikur është vonuar vetëm pak. Nuk pajtohem ende me idenë që, ai ka ikur për të mos u kthyer më”.
Red Radoja me prindërit (Foto Konica.al)
Kompozitori dhe pianisti Red Radoja, djali i të madhit, Guljelm Radoja, ka interpretuar që në moshë të vogël në disa filma shqiptarë, por babai i tij nuk dëshironte që ai të bëhej aktor. Megjithatë ai në fëmijëri ka interpretuar në ekranin e madh rolin e pare të djalit të peshkatarit në filmin "Asgjë nuk harrohet" në vitin 1985 si dhe rolin e Nikut, vëllai i Donikës tek filmi "Balada e Kurbinit". Red Radoja ndërmori rrugën e muzikës, ashtu si nëna e tij. Ai tregoi se nga dy fëmijët, ndonëse ende tepër i vogël, i biri ka shfaqur një vesh të mirë muzikor.
“Kam një djalë që është shumë i vogël, vetëm tre vjeç, ai ka një vesh shumë të mirë dhe këndon gjatë gjithë kohës në shtëpi pjesët e mia. Ka një vesh që më befason. Ndoshta ai do të bëjë zgjedhjen që dëshiroj unë, por do ti mbetet atij në dorë”, shprehet artisti.
Natyra e muzikës së Radojës kompozitor është neoklasike, një muzikë që bazohet ende te melodika dhe te disa norma harmonike dhe ritmike që bëjnë të jetë një vazhdimësi e një muzike që nuk i thyen korrnizat. Tashmë prej vitesh ai jeton në Francë ku ushtron aktivitetin e tij artistik dhe profesionin e pianistit, si dhe është pedagog i pianos në Shkollën e Muzikës në Luneville.
Sava Lena