Kina dhe Brazili, marrëveshje për tregti duke përjashtuar dollarin amerikan
2023-03-31 15:23:19

foto nga VCG

foto nga VCG

Kina dhe Brazili kanë arritur një marrëveshje për tregtimin me monedhat e veta, duke përjashtuar dollarin amerikan si një ndërmjetës, bëri të ditur të mërkurën qeveria braziliane.

Marrëveshja do t'u japë mundësi Kinës, ekonomisë së dytë më të madhe në botë, dhe Brazilit, ekonomisë më të madhe në Amerikën Latine, të zhvillojnë tregtinë dhe transaksionet financiare masive të tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke këmbyer juanin me reaisin brazilian dhe anasjellas, duke zëvendësuar dollarin amerikan.

"Parashikohet se kjo masë do të pakësojë koston dhe do të nxitë shtimin e tregtisë e të investimeve dypalëshe," thuhet në një deklaratë të Agjencisë së Promovimit të Tregtisë dhe të Investimeve të Brazilit.

foto nga VCG

foto nga VCG

Kina është partnerja më e madhe tregtare e Brazilit, me një tregti dypalëshe që arriti 150.5 miliardë dollarë amerikanë vitin e kaluar.

Marrëveshja, që u arrit në bazë të një dokumenti fillestar në janar të këtij viti, u shpall pas një forumi të nivelit të lartë të biznesit Kinë-Brazil në Pekin.

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva do të merrte pjesë në këtë forum si pjesë e vizitës së tij në Kinë, por u detyrua ta shtyjë udhëtimin e tij pa afat pasi u prek nga pneumonia.

Banka Industriale e Tregtare e Kinës dhe Banka e Komunikacionit BBM e Brazilit do të zbatojnë këto transaksione, thanë zyrtarët.

Kina ka marrëveshje të ngjashme monedhash edhe me Rusinë, Pakistanin dhe disa vende të tjera. (Wang Lei/ Artan)