Kina paraqiti një numër rekord aplikimesh për patenta europiane në vitin 2022
2023-03-31 14:41:47

VCG

VCG

Kompanitë dhe shpikësit kinezë depozituan një rekord prej 19.041 aplikimesh për patentë në Zyrën Europiane të Patentave (EPO) në vitin 2022, bëri të ditur Indeksi i Patentave 2022 i zyrës.

Kjo shënon një rritje prej 15.1 për qind në bazë vjetore, më e larta në mesin e 20 vendeve kryesore të depozitimit të patentave, shkruan “China Daily”.

Në përgjithësi, Indeksi i Patentave 2022 tregon se pavarësisht nga pandemia dhe pasiguritë ekonomike në mbarë globin, aktivitetet që lidhen me inovacionin teknik mbetën të fuqishme. Zyra mori 193.460 aplikime në vitin 2022, 2.5 për qind më shumë se një vit më parë.

Pesë vendet e para aplikuese janë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Japonia, Kina dhe Franca, me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara që janë motorët kryesorë të rritjes në paraqitjen e patentave.

Në renditjen e kompanive, “Huawei” ishte ende aplikanti më i madh për patentë në EPO në vitin 2022, duke paraqitur 4505 patenta, mbi 27 për qind në bazë vjetore. Lista vijon me “LG” e Koresë së Jugut, “Qualcomm” e Shteteve të Bashkuara dhe “Samsung” e Koresë së Jugut.

Përveç “Huawei”, tetë kompani të tjera kineze gjithashtu figuruan në mesin e 50 aplikantëve më të mëdhenj të patentës në EPO, duke përfshirë “OPPO”, “ZTE” dhe “Tencent”.

Komunikimi digjital ishte sërish fusha me më shumë aplikime për patentë vitin e kaluar, me një total prej 16.705 aplikimesh, me rritje 11.2 për qind në bazë vjetore, e ndjekur nga teknologjia mjekësore dhe teknologjia kompjuterike me përkatësisht 15.683 dhe 15.193.

Deklarimet e patentave nga Kina, që tani përbëjnë gati 10 për qind të aplikimeve totale në zyrë, janë më shumë se dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit dhe janë gati pesë herë më shumë se niveli i një dekade më parë, deklaroi zëdhënësi i EPO-së, Luis Berenguer Gimenez.

Sipas tij, Kina nuk është vetëm e fortë në komunikimin digjital, teknologjinë kompjuterike dhe inteligjencën artificiale, por gjithashtu po bëhet më aktive në patentim në shumë fusha të tjera si bioteknologjia dhe teknologjia mjekësore.

“Duke pasur parasysh fokusin e vendit në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale për të ndihmuar në rritjen e tij ekonomike, numri rekord i aplikimeve për patentë kineze ka një rëndësi globale për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale”, theksoi ai. (Irma)